Isuf Ismaili: Veprimtari e shkëlqyer për arsimin dhe kulturën shqiptare, në Zvicër

Isuf Ismaili: Veprimtari e shkëlqyer për arsimin dhe kulturën shqiptare, në Zvicër

Të dielën që shkoi, u mbajt një seminar nga “Shkolla Shqipe” për mësimdhënësit shqiptarë në Zvicër. Ky seminar i titulluar: “Si ta masivizojmë mësimin e gjuhës, kulturës dhe historisë shqipe” është një veprimtari e shkëlqyer për arsimin, kulturën e atdhetarinë shqiptare.

Seminaret dhe vetë zhvillimi  e përparimi nxënësve shqiptarë, hapja gjithnjë e më shumë e shkollave shqipe në kantonet e Zvicrës, janë një dëshmi e fortë, se ne shqiptarët e mërguar po frymëzohemi e gjallërojmë, duke e mbajtur të ngrohtë në zemrat e tona, së pari, gjuhën shqipe dhe vetitë e tona të mrekullueshme, që na karakterizojnë si popull e si komb me bashkatdhetarët tanë nga të gjitha trevat shqiptare. Vetë zhvillimet dhe përparimet e nxënësve tanë janë dëshmi e fortë, se gjuha shqipe dhe kultura shqiptare po zë, gjithnjë e më shumë, vend në zemrat e shpirtin e tyre. Të gjitha këto paraqesin karakterin, por edhe krenarinë si pjesë e pandarë e qenësisë shqiptare, pa mohuar asnjëherë edhe anën njerëzore e dashamirësinë për popujt e vendet e ndryshme të shoqërisë si tërësi.  Por, për të pasur suksese dhe për të vazhduar e përparuar mësimi në shkollat shqipe në diasporë është e domosdoshme një punë e veprimtari e gjithanshme me fëmijët e me prindërit e tyre, me autoritet administrative këtu në Zvicër, por edhe me ambasadat tona, siç janë:  Ambasada e Republikës e Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës e Kosovës e institucioneve të tjera shqiptare.

Këto punë administrative, këto veprimtari të shumanshme kërkojnë energji e përkushtim të madh, por njëkohësisht këto punë e veprimtari  shkaktojnë edhe shumë lodhje e duhen përpjekje gjithnjë e më të mëdha.  Në këtë drejtim ka punuar e vepruar me përkushtimin më të madh, kryesisht, prof.dr. Vaxhid Sejdiu. Ai ka bërë e po bën këtë punë e veprimtari, krahas mbajtjes së mësimit në shumë shkolla shqipe në Zvicër, krahas veprimtarisë letrare, artistike e shoqërore duke qenë gjithë kohën i zënë me punë e veprimtari. Natyrisht, profesor Vaxhidi ka në krah edhe mësimdhënësit të tjerë shqiptarë që e kanë dhënë e po e japin aq sa munden e aq sa dinë ndihmesën e tyre të gjithanshme, jo vetëm si mësues, por edhe si veprimtarë të denjë të gjuhës shqipe duke punuar me nxënësit, me prindërit e tyre e përgjithësisht me shqiptarët e mërguar këtu në Zvicër, për t’i bindur këta mërgimtarë, se gjuha jonë është gjuhë e zemrës dhe dritës dhe se kështu kemi mundësi për të mbijetuar e për t’u trashëguar si shqiptarë edhe në mërgim. Në këtë drejtim ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe Ambasada e Republikës e Shqipërisë në Zvicër, por edhe Ambasada e Republikës e Kosovës, si dhe institucionet shqiptare për diasporën. Por, profesor Vaxhidi ka qenë dhe është vetë si albatrosi që nuk pyet për furtuna, mjegulla e vështirësi. Ai ka dhënë e po jep gjithçka për të realizuar qëllimin  që sa më shumë shkolla të hapen në gjuhën shqipe si dhe  të shkojë puna sa më e mbarë.

Në seminare morën pjesë mësimdhënësit shqiptarë e të gjitha trevave shqiptare që jetojnë e punojnë këtu në Zvicër.

Seminarin e hapi, profesor,  Vaxhid Sejdiu, i cili foli për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe për aktivitetet e hapjen e shumë shkollave shqipe në Zvicër. Ai dha ide e këshilla të shkëlqyera se si mund ketë suksese sa më të mëdha mësimdhënësi në orën mësimore me nxënës, por edhe si duhet të ndërlidhet puna e veprimtaria arsimore në një harmoni bashkëpunimi në mes: mësimdhënësve, nxënësve, prindërve e shoqërisë  përgjithësisht. Ai u paraqit edhe me dy tema konkrete : “Si ta organizojmë një orë mësimore” dhe  “Si të masivizojmë “Shkollën Shqipe”.

Më pas mësuese,  Teuta Myrtaj, foli dhe dha ndihmesën e saj të madhe për mësimdhënien në diasporë, duke ndërlidhur mirëfilli mësimet e gjuhës dhe letërsisë e të historisë dhe gjeografisë shqiptare. Ajo u paraqit me temën:  “Rëndësia e ndërthurjes së mësimit të gjuhës shqipe me elementë të historisë së kombit tonë – bazë për ruajtjen e identitetit kombëtar”.

Mësimdhënës Isuf Ismaili u paraqit me temën: “Ndjenja gjuhësore dhe mënjanimi i gabimeve drejtshkrimore”.

Po kështu edhe mësimdhënëset: Anita Duriçi e Liljana Doda – Gojani dhanë ndihmesën e tyre duke paraqitur disa ide nga përvoja e shkëlqyer me nxënës dhe prindër, por edhe me autoritet arsimore e kulturore në Zvicër.

Me ide të vyera u paraqit edhe zoti Valon Gashi, këshilltar në Ambasadën Shqiptare në Zvicër.

Anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës në Kanada  Adriana Bejko u paraqit online. Ajo dha ndihmesën e saj të madhe duke trajtuar temën: “Mendësitë e reja bashkëkohore në mësimdhënien e gjuhës shqipe”.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …