Isuf Sherifi: Ta parandalojmë rrëshqitjen e Zvicrës drejt kaosit modern me përmbajtje mesjetare

Miqve të mi:

– banorë të Zvicrës,

– banorë të Kantonit St. Gallen,

– banorë të Zonës Elektorale të St. Gallenit: (Andwil, Eggersriet, Gaiserwald, Gossau, Häggenschwil, Muolen, St. Gallen, Wittenbach),

– miq të m`i në përgjithësi, kudo ku jetoni,

 

Të dashura mikesha,

Të dashur miq,

 

Siç jeni të informuar, Partia Socialdemokrate në Kantonin St. Gallen, – Zona St. Gallen, në garën politike për 120 ulëse të Parlamentit Kantonal, më ka ofruar një vend edhe mua në listë, kjo si rrjedhojë e angazhimit tim shumëvjeçar në këtë parti, dhe si rrjedhojë e angazhimit të komunitetit shqiptar, për dhe rreth temave që ka trajtuar kjo parti.

Sukseset tona si komunitet në St. Gallen, çmohen shumë nga ky subjekt, dhe kandidimi im është edhe një mundësi thellimi i bashkëpunimit tonë të mëtejmë në fusha të veçanta me interes të përgjithshëm.

Gjendja politike dhe ekonomike e të huajve, emigrantëve në përgjithësi, kërkon angazhim të theksuar të të gjitha forcave politike, që të DREJTAT dhe MIRËQENIEN e NJERIUT i kanë në fokus të parë, dhe jo përkatësinë racore, etnike apo fetare.

 

Jetojmë në një kohë kur forca të ndryshme politike, të huajt në Zvicër i trajtojnë, apo tentojnë t`i trajtojnë, si qytetarë të rendit të dytë, apo edhe të tretë.

 

Iniciativa e SVP e njohur në opinion si „Durchsetzungsinitiative“ , në vetvete ngërthen ksenofobinë e zërave ekstrem brenda kësaj partie, që mua personalisht më shpien në historinë politike të viteve 30 – ta të shekullit të kaluar, në Gjermani.

 

Forca jo të shumta politike, janë pozicionuar KUNDËR kësaj iniciative, por, kohëve të fundit, edhe zëra brenda SVP – së po pozicionohen KUNDËR. Ky diskurs politik, na jep të drejtë të mendojmë se kjo iniciativë është përpiluar shpejt e shpejtë, dhe qëllim parësor ka denigrimin dhe „eliminimin“ e të huajve në Zvicër, duke tentuar që të mirat e mëdha dhe të këqijat e vogla të të huajve t`i fusin në një thes.

 

Kjo iniciativë e zhbën shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, dhe e shpie drejt anarkisë ligjore me përmasa katastrofale për të huajt.

 

Ju ftoj që së bashku të angazhohemi që të parandalojmë rrëshqitjen e Zvicrës drejt kaosit modern me përmbajtje mesjetare. Nëse nuk angazhohemi seriozisht, e keqja mund ta mund të mirën, dhe me këtë të jemi vazhdimisht nën thjerrëzën e ligjeve antinjerëzore.

 

Për këtë, Ju ftoj që më 28. Shkurt t`i thuhet JO kësaj nisme, dhe iniciativave, që personalitetin dhe dinjitetin e njeriut e nënçmojnë dhe e nëpërkëmbin.

 

Unë, me grupin e kandidatëve që po garojmë për Parlamentin Kantonal, do të bëjmë ç mos që sa më shumë të jemi pranë Jush dhe me Ju, që bashkërisht të TRIUMFOJMË.

Për të triumfuar duhet SENSIBILIZIM dhe MOBILIZIM i përgjithshëm i yni.

 

Mirë se vini në udhëtimin e përbashkët!

Me respekt,

Juaji Isufi

Kandidat i Partisë Socialdemokratike për Parlamentin Kantonal

Lista 9 – Numri Rendor 29

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …