Adil Fetahu: Pse në Kosovën e pasluftës nuk u organizuan aksione vullnetare?

Luftërat përveç viktimave në njerëz, bëjnë shkatërrime të infrastrukturës, ekonomisë dhe objekteve publike e private. Shkatërrimet që shkakton lufta, sjell varfërimin e përgjithshëm të popullsisë së vendit që ka qenë arenë lufte. Gjenerata e re ka parë shkatërrimet e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, por ka parë (përmes mediave) edhe shkatërrimet që soldateska serbe ka bërë në Bosnje-Hercegovinë e në Kroaci. Gjenerata ime mban mend shkatërrimet dhe varfërimin e vendit edhe nga Lufta e Dytë Botërore (1941-1945). Te popujt e dalur prej lufte, me të gjitha pasojat që sjell ajo, ekziston njëfar enthusiazmi për të rinisur jetën e rindërtuar vendin. Nga lufta e fundit në Kosovë, afro 900 mijë shqiptarë u dëbuan, shpërngulën e degdisën nëpër botë. Vendin e shkatërruan bandat e shtetit serb. Jam i sigurt, se po t’i pyesje shqiptarët e degdisur kudo në botë, se po të çlirohej vendi e të ktheheshin në atdhe, a do të punonin vullnetarisht për rindërtimin e vendit, qoftë të shtëpive private, qoftë të infrastrukturës e objekteve publike, shumica e tyre do të deklaronin dhe do të nënshkruanin se janë të gatshëm të punojnë vullnetarisht, jo me ditë e javë, por me muaj të tërë, për disa vjet me radhë.


 


Me aksione vullnetare rinia ka ndërtuar shumë objekte pas Luftës II Botërore


 


Thuhet se po të kesh mendjen e plakut dhe fuqinë e të riut, mund të bësh çudira. Dhe kjo thënie nuk është e pabazë. Plaku me dijen dhe përvojën jetësore, din të gjejë zgjidhje në situata të ndryshme, ndërsa i riu me vullnetin dhe fuqinë e tij është në gjendje të realizojë zgjidhjen. Midis këtyre, dijes dhe fuqisë, duhet të ekzistojë një hallkë që quhet organizimi, e që është “nëna” e suksesit.


Në ish-Jugosllavi edhe gjatë luftës rinia ka krye punë vullnetare, në ndërtimin e disa rrugëve, në korrjen dhe mbledhjen e të lashtave, në prerjen e druve etj. Por, pas çlirimit, qysh në pranverë të vitit 1946 filloi organizimi i rinisë për aksione të mëdha të punës vullnetare për rindërtimin e vendit, siç thoshin atëherë, prej Sezhane deri në Gjevgjeli, ose prej Vardari deri në Trigllavë. U ndërtuan rrugë, ura, hekurudha, u hapen miniera, u ndërtuan fabrika, po u kryen edhe shumë punë në bujqësi. Në vitin 1946, për 7 muaj u ndërtua hekurudha “Bërçko – Banoviqi” (në Bosnje), e gjatë 92 km, me dy tunele në gjatësi të përgjithshme 667 metra, dhe 22 ura, me gjatësi të përgjithshme 455 metra. Ajo hekurudhë ishte me shumë rëndësi për shfrytëzimin e qymyrgurit nga miniera (Banoviqi), që të transportohej atje ku kishte nevojë industria. Në ndërtimin e hekurudhës kanë marrë pjesë 62.268 të rinj e të reja nga vendi,dhe rreth 2000 tjerë nga bota e jashtme. Vitin tjetër (1947) u ndërtua hekurudha Shamac – Sarajevë, e gjatë 242 km, me 2,2 km tunele, e 17 ura. Në te kanë marrë pjesë 217.000 brigadierë të rinj e të reja nga vendi dhe 6000 tjerë nga bota e jashtme. Në vitet 1948-49 u punua një pjesë e Autostradës “Vëllazërim-Bashkim” nga prej Beogradit për në Zagreb, në ndërtimin e së cilës ka marrë pjesë edhe Brigada e Rinisë “Misto Mane” nga Shqipëria. Po ato vite, me vazhdim deri më 1951, u ndërtua Beogradi i Ri. Në vitin 1951 u ndërtua hekurudha Doboj – Banjallukë. Janë ndërtuar me punë vullnetare edhe shumë objekte tjera: fabrika për shkrirjen e metaleve ne Zheleznik, Sevojnë, Zenicë, Nikshiq; hidrocentralet në Mavrovë, Jabllanicë, Zvornik, Vinodoll, Vllasinë; kanale për ujitjen e tokës bujqësore (Begej – Posavinë); rrugë e hekurudha rajonale e lokale. Shumë të rinjë nga Kosova kanë marrë pjesë në këto aksione punuese të rinisë (quheshin: ORA – omladinske radhe akcize).


 


Edhe në Shqipëri janë ndërtuar shumë objekte me punë vullnetare


 


Shqipëria që edhe ashtu ishte më e pazhvilluar, nga Lufta e Dytë Botërore ka dalë shumë më e varfër dhe e shkatërruar, por ajo ishte në gjendje shumë më të keqe për shkak se askush nga jashtë nuk i ofronte ndihma. Prandaj ka vuajtur edhe të zitë e urisë. Drita elektrike kishin vetëm disa nga qytetet e mëdha. Rinia shqiptare u angazhua në ndërtimin e shumë objekteve të infrastrukturës. Ajo ishte forcë aktive, si në luftën çlirimtare ashtu edhe në rindërtimin e vendit. Në vitet e para pas çlirimit, u ndërtuan të gjitha urat mbi lumenj, të cilat i kishte shkatërruar ushtria gjermane gjatë tërheqjes, dhe u normalizua puna në portet detare dhe në miniera. U ndërtuan disa rrugë në veri të vendit. U ndërtua hekurudha Durrës – Peqin dhe Durrës – Tiranë (38 km), Rruga e Rinisë Kukës-Peshkopi, Tuneli i Rrashëbullit (212 metra), Ura mbi lumin Erzen (91 m). Në aksionet e punës vullnetare të rinisë në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe të rinjë e të reja nga Bullgaria. Me punë vullnetare janë tharë e kthye në tokë të punueshme mijëra hektarë moçalesh. Po edhe në ndërtimin e mbi 700 bunkerëve që u ndërtuan gjithandej Shqipërisë, rinia ka investuar punë të madhe vullnetare. Dikush mund të thotë se gjithë ato punë janë kryer me urdhëra e detyrime, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se rinia ishte shumë enthusiaste për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit. Prandaj nuk ishte ajo punë “skllavëruese”, po vullnetare, nuk ishte diktat por dëshirë për ta rindërtuar e ndërtuar vendin. Natyrisht, organizimin e rinisë e kanë bërë strukturat udhëheqëse dhe punën e kanë ndihmuar kuadrot profesionale të fushave të ndryshme, të cilat asokohe ishin shumë deficitare.


 


 Në aksionet punuese, rinia emancipohej e përgatitej për jetë


 


Puna e tillë vullnetare e rinisë së pasluftës, përveç efekteve ekonomike, kishte rëndësi të shumëfisht për edukimin dhe arsimimin e të rinjve e të rejave. Asokohe popullsia, sidomos ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës ishte më se 90% analfabete. Në aksionet e rinisë organizoheshin kurse të ndryshme për të mësuar shkrim-lexim, për mësimin e zanateve të ndryshme, organizoheshin shfaqje, lojëra zbavitëse. Përgjithësisht, rinia krahas punës fizike mjaft të rëndë, me kazmë e lopatë dhe me shumë sakrifica, përgatitej për jetë, emancipohej, argëtohej, kultivohej. Dikush mund të thotë se aty kultivohej “vëllazërim-bashkimi”! Po pse jo, më mirë të kultivohej vëllazërim-bashkimi, se të kultivohej urrejtja vrastare, që u kultivua në Serbi para luftërave të përgjakshme nga fundi i shekullit të kaluar.


 


Po ç’po bënë rinia sot?


 


Edhe Kosova edhe Shqipëria e ka popullsinë me moshë të përgjithshme më të re në Evropë. Dhe shpesh lavdërohemi se kemi rininë më të mirë. Po ç’po bënë për vendin e vet dhe për vetveten e saj kjo rini kaq e shumtë e kaq e mirë? Askush nuk e mohon sakrificën dhe kontributin e saj për çlirimin e Kosovës. Po Kosova, edhe para lufte ishte me shkallën më të ulët të zhvillimit të ekonomisë dhe të infrastrukturës, me ambientin më të ndotur. Prandaj, me të drejtë është pritur e llogaritur, se rinia do të jetë edhe më e gatshme pas luftës të angazhohej edhe më me zell për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Por, jo. Kjo nuk ndodhi. Lufta e degradoi dhe shkatërroi akoma më keq Kosovën. Pas lufte, nuk u organizua rinia në asnjë aksion të punës vullnetare për rindërtimin e vendit, të objekteve ekonomike apo të infrastrukturës së shkatërruar. Kosova e pasluftës 1999, kishte  përkrahjen e madhe të faktorit ndërkombëtar për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, por ajo përkrahje e gatishmëri e faktorit ndërkombëtar nuk u shfrytëzua si duhet, prandaj nuk dha efektet e dëshiruara. Vet faktori i brendshëm ishte i paorganizuar, nuk kishte një strategji, ide as gatishmëri për të ndërmarrë aksione të mëdha e të dobishme për vendin, për ta mbrojtur pronën shoqërore, për ta aktivizuar e zhvilluar ekonominë. Në vend të kësaj, individë, grupe e udhëheqës politik dhe institucional plaçkitën, shkatërruan dhe zhvatën atë ekonomi, përmes privatizimit kriminal e të korruptuar. Ndihma ndërkombëtare u orientua e kanalizua në do punë shumë më pak të rëndësishme, se sa ishte rimëkëmbja e ekonomisë dhe rindërtimi i vendit. Shumë mjete nga donacione të ndryshme u shpenzuan për dofar trajnime, këshillime, seminare, “workshope”, kurse për mësimin e gjuhëve të hueja, kompjuterë, biblioteka, festivale, konferenca ndërkombëtare, promovime rinore, edukim joformal për vetëpunësim, edukim shëndetësor, fuqizimin e organizatave joqeveritare. Dhe ky “edukim demokratik” çfarë të mire i solli Kosovës dhe rinisë së saj, përveç nja 5000 e sa OJQ-ve, të cilat janë bërë qëllim i vetvetes, si burim mjetesh për disa të rinjë që sillen në to. Sot 17 vjet pas çlirimit të pjesërishëm të Kosovës, ekonomia është më keq dhe populli i Kosovës është më i varfër se para lufte, pa një perspektivë të daljes nga kjo krizë.


Sot shumica e të rinjëve të papunë mendojnë si të ikin nga Kosova. Deri sa janë këtu, sillen rrugëve ose rrinë gjithë ditën në kafiteri, duke pirë makiato e cigare (po edhe diçka tjetër). Asnjë organizate, asnjë parti politike, asnjë institucioni shtetëror nuk i shkon mendja të organizojë ndonjë aksion pune vullnetare, për pastrimin e ambientit, për pyllëzimin e sipërfaqeve të çveshura, për hapjen a rregullimin e shtratit të ndonjë lumi, për ndërtimin e ndonjë rruge, të ndonjë shtëpie kulture a sporti. Dhe, sa herë bie shi apo shkrihet bora, kemi vërshime e dëme të pallogaritshme, të cilat askush nuk i kompenson. Ndërkaq, partitë politike (si ato të pozitës, si të opozitës), synimin kryesor për realizimin e qëllimeve të veta e kanë te rinia, si grupacioni më i madh i popullsisë. Ato asnjëherë nuk i thërrasin e organizojnë rininë për ndonjë punë të dobishme në interes të vendit, por në do protesta e demonstrata, të cilat pastaj degradojnë në shkatërrimin e pronës publike dhe asaj private. Rininë e manipulojnë edhe për efektet e zgjedhjeve lokale a kombëtare. Është për të ardhur aq më keq që politika po manipulon me rininë studentore, e cila duhet të llogaritej si korpusi më i vetëdijshëm rinor.


 Po të llogaritet koha e humbur dhe dëmi material i shkaktuar nga protestat dhe demonstratat e zhvilluara pas luftës në Kosovë, për qëllimet e politikanëve të untë për pushtet, dhe gjithë ato orë të humbura e dëme të shkaktuara të ktheheshin në punë të dobishme, kushedi se sa objekte të infrastrukturës ekonomike e shoqërore do të ndërtoheshin, sa do të kultivohej ambienti jetësor e sa dëme nga vërshimet do të parandaloheshin. E sa dobi tjera perspektive do kishte vetë rinia dhe gjithë Kosova nga organizimi dhe orientimi i mbarë dhe i mirë i rinisë?


Për fund: deklaroj publikisht se as nuk jam nostalgjik për të kaluarën, as nuk jam anëtar as simpatizant i asnjë partie politike. Dëshiroj ta shoh Kosovën të zhvilluar e të bukur dhe popullin e saj të begatë e të lumtur. Rinia e orientuar mirë mund ta bëjë këtë.


 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …