Krasniqi

Jakup Krasniqi: E djathta e Kosovës pa ndikim në të djathtën evropiane

Më 29 mars 2017, mediet njoftuan se, kryetari i LDK-së ishte i pranishëm në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, në Maltë. Nga ajo që dihet deri më sot, ndikimi i partive tona të djathta, që tek ne janë me shumicë, nuk po kanë sukses të ushtrojnë ndonjë ndikim mbështetës në PPE-në, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në ketë të fundit, sa herë që votohet ndonjë çështje për Kosovën, nga partitë popullore të djathta,  zakonisht merr mbështetje tejet të pa rëndësishme, ndërsa nga e majta, partitë socialdemokrate Evropiane merr mbështetje të fuqishme, ndonëse në Kongresin e Internacionales Socialiste, nuk merr pjesë asnjë parti e orientimit të majtë (socialdemokrat) nga Republika e Kosovës. Është interesant, qytetaret e Kosovës me shumicë, votojnë djathtas, gjersa nga Evropa e marrim më shumicë mbështetje nga e majta progresiste. Pastaj, solidariteti dhe mbështetja vendit tonë edhe në vitet 1998/1999 i ka ardhur nga e majta Evropiane e Amerikane. Kjo të gjithëve na është mirë e njohur. Andaj socialdemokracia, jo vetëm për solidaritetin e viteve të vështira të luftës, por edhe për mbështetjet në vazhdim, meriton një falënderim e mirënjohje nga qytetarët e Kosovës dhe të gjitha partitë tona politike. Në një situatë të tillë, natyrshëm shtrohet pyetja: pse partitë e djathta të Kosovës (PDK-LDK etj.), janë të pa ndikim në PPE, në partitë e djathta të Evropiane? Pse këto nuk e ushtrojnë asnjë ndikim pozitiv të ato parti të djathta që ta mbështesin Kosovën, kur kjo ua ka nevojën? Ndërsa e majta e pa konsoliduar në Kosovë, merr mbështetje të fuqishme nga socialdemokracia evropiane e amerikane. Kjo është një dëshmi tjetër se në Kosovë duhet sa më parë të konsolidohet socialdemokracia moderne. Parimet socialdemokrate, drejtësia sociale, zhvillimet progresiste duhet të kenë një mbështetje më të fuqishme nga qytetarët e Kosovës, si dhe sindikatat e punëtorëve që zakonisht në vendet e Botës Perëndimore janë të rreshtuara përkrah të se majtës moderne, gjithnjë më qëllimin më të mirë që të fuqizohet socialdemokracia në Kosovë dhe të kemi një mbështetje më të madhe nga e majta moderne Evropiane për Republikën e Kosovës. Para disa viteve, kur PDK-ja ishte e majtë, kishte mundësi ta përfaqësonte denjësisht të majtën e Kosovës në Internacionalen socialiste ku përfaqësohen edhe partitë socialdemokrate të Botës! Por, ajo brenda natës pa asnjë diskutim e analizë, “ra e majtë e u zgjua e djathtë”?! Kjo bëri qe në mekanizma të ndryshme Evropiane të jemi me krah të thyer! Prandaj është më se i ngutshëm konsolidimi i socialdemokracisë në Kosovë. Kjo i duhet si për politikat e brendshme progresive ashtu edhe për një përfaqësim më dinjitoz në familjen e partive socialdemokrate të Evropës e të Amerikës.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …