Brickos

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Edi Rama nuk po tregton me Kosovën, këtë po e bëjnë krerët tanë

Me 13 e 14 tetor të 2016, në mediet shqiptare dhe ato serbe, u shkrua dhe u fol shumë për vizitën e Edi Ramës në Serbi, për takimin me Vuçiqin dhe paraqitjen e tij në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Gjatë paraqitjeve, ndoshta më tepër filozofike sesa politike, pati edhe prezantime dinjitoze. Është e kuptueshme se Kryeministri Rama, në Beograd, prezantoi Shqipërinë, edhe pse një ndër temat e debatit ishte edhe Kosova. Atë që të gjithë kishin mundësi ta dëgjojnë është fakti se fjalës së Edi Ramës për Kosovën nuk mund t’i bëhet asnjë vërejtje negative: ai foli fjalë të mira.

Fatkeqësisht, në kuadër të « Postës së porositur » në mediet tona dhe jo vetëm aty, pati edhe paraqitje e shkrime tendencioze dhe të pavërteta lidhur me këtë vizitë. U tha se gjoja “Edi Rama bëri tregti me Kosovën në Serbi ”! Shkuan deri aty sa drejtues të institucioneve tona ia mohuan të drejtën Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë a thënë ndonjë fjalë miradije për Kosovën?!  Një kualifikim i tillë është i paqëndrueshëm, pasi Kosova nuk është në duart e Edi Ramës që të“tregtojë” me të. Është e tmerrshme por fakt se me Kosovën janë duke tregtuar udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës. Në pazarllëqet që i zhvilluan në Bruksel, ata tregtuan me sovranitetin e shtetit të Kosovës përmes marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe; ata tregtuan integritetin territorial të Kosovës, duke ia humbur Kosovës mbi 8200 hektarë të territorit të saj; ata tregtuan edhe me njerëz, sepse imponuan krijimin e një gjykate politike për dënimin e UÇK-së mbi akuzat e sajuara nga qarqet antishqiptare. Unë nuk mund t’i kuptoj ata që mundohen t’i veshin Edi Ramës diçka që nuk është në kompetenca të tij, i cili as nuk ka bërë dhe as që ka pasur mundësi të bëjë tregti me Kosovën. Nuk ka logjikë të shpifet aq ulët pos në rastet kur vërtet kemi “postën e porositur” mediale.  Është për t’u shqetësuar, “rilindja” e një frymë anti Shqipëri ne disa qarqe “intelektuale” në Kosovë?! Edhe në Shqipëri ka mjaft të tillë që u fryjnë dallimeve shqiptare të këndej e andej Drinit.

Ndoshta Edi Rama, mund të kritikohet se u mundua të paraqitej më shumë si lider i rajonit tonë sesa i shqiptarëve. Por, që të jetë lider i rajonit i duhet paraprakisht një mbështetje e të gjithë shqiptarëve të rajonit. Bashkërendimi i mirëfilltë mbarëkombëtar do t’i jepte mundësi secilit personalitet politik fuqinë që me përgjegjësi të pretendonte liderizmin në rajon. Aktualisht, shqiptarët janë të copëtuar sa s’ka ku shkon më keq. Në këtë kontekst, as Edi Rama dhe as ndonjë shqiptar tjetër nuk mund të pretendojnë postin e liderit të shqiptarëve në rajon e lëre më edhe të kësaj pjese të Ballkanit.

Nëse Edi Rama, ia arrin qëllimit të hedhë një hap para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, ai duhet përshëndetur. Por, koha e përmirësimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe ende nuk shihet në horizont. Sidomos me logjikën e vjetër që dominon në institucionet e reja të Beogradit. Sa për ilustrim do përmendur kërcënimin e 12 tetorit 2016 të Presidentit të Serbisë të bërë në Shën Petersburg për të përsëritur skenarët e kohës së Millosheviqit. Ky kërcënim është si rezultat edhe i tregtisë që bartësit e institucioneve tona janë duke bërë me çdo gjë të Kosovës, madje edhe me lirinë e saj. Prandaj, mos kërkoni fajtorët aty ku nuk janë! Dhe shtrojmë, mbase me të drejtë pyetjen, e cila ka edhe përgjigjen në vetvete: kush në të vërtetë, po tregton me Kosovën?

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …