Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kohë e vendimeve të mëdha apo e dështimeve të mëdha?

Duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë e për Kosovën, nuk ka ndonjë vështirësi për të parë se mbretërit e partive të mëdha pa përjashtim janë duke luftuar e angazhuar fort dhe më energji të shtuara që të luftojnë për interesa të tyre e të një grupi të servilëve që kanë grumbulluar rreth vetës. Që të gjithë, pa përjashtim, synim kryesor kanë grabitjen e çdo gjëje për interesat e tyre e të kapadainjve rreth tyre e aspak interesin e shtetit të Kosovës. Përndryshe, si të kuptohet fakti se këta politikanë që nga fillimi i vitit 2011 e gjithë deri më tani nuk kanë qenë në gjendje t’i zgjidhin disa çështje që na zvarriten nga viti në vit. E këto çështje janë: liberalizimi i vizave, sundimi i ligjit, formimi i ushtrisë, demarkacioni, asociacioni. Këto çështje i kanë orientuar të gjitha energjitë e vendit të merren me to e që nuk kanë ndonjë efekt në përmirësimin e segmenteve të tjera që do të ndikonin drejtpërdrejt në ngritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se ata janë pa përgjegjësi dhe as t’i amnistojë qytetarët e Kosovës nga përgjegjësia e tyre, e cila përgjegjësi burimet i ka në zgjedhjet e lira e demokratike, që vazhdimisht janë duke u përcjellë më dobësi të natyrave të ndryshme.

Të gjithë politikanët e dinë, madje e dinë mirë se Sistemi Zgjedhor Proporcional e me lista të hapura, ku votohen shumë kandidatë, është burimi kryesor që mundësinë për zgjedhje demokratike i bën ato jodemokratike. Kjo çështje heshtet nga të gjithë, se të gjithë po e dëshirojnë votën e komanduar nga të plotfuqishmit e partive politike përmes komisionarëve të tyre. Madje edhe dy palë zgjedhjet e fundit dëshmojnë par parregullsi. Të plotfuqishmit e partive politike janë organi i vetëm, madje kryesor, i partive politike në Kosovë, saqë tani nuk ka mbetur hapësirë e as mundësi për të formuar parti politike që udhëhiqen nga organet kryesore të tyre. Nuk kam asnjë fije dyshimi, duhet liruar një herë e mirë nga ky despotizëm e mentalitet sundimi mbi partitë, e që pastaj, sipas një efekti domino, e njëjta logjikë bartet në institucionet e shtetit, që do të thotë mbi qytetarët e Kosovës. Ne nuk mund të presim qeverisje demokratike, liberalizim të vizave e integrime euroatlantike me këtë nivel të demokracisë që kemi instaluar. Ndryshe, si të kuptohet stërzgjatja e tranzicionit në trojet shqiptare (shtetet shqiptare), diku mbi 25 vjet e diku rreth 19 vjet lirie e dhjetë vjet pavarësie! Kjo edhe mund të kuptohet, se drejtuesit e politikës shqiptare pa përjashtim nuk dinë e më shumë nuk donë t’i bëjnë shtetet me demokraci funksionale e në shërbim të qytetarëve të tyre.

Pse po them që nuk duan?

Nuk duan, se ata e dinë që nuk shquhen për dije e dituri në qeverisje e as për ndonjë menaxhim të duhur në ndonjë sferë të jetës, veç dijeve për të shmangur e grabitur për vete dhe rrethin e tyre, rrethe që përbëhen nga jurishnikët e ndryshëm. Madje nuk është fenomeni në shqyrtim vetëm pse nuk dinë, por këta nuk donë as të afrojnë rreth vetes njerëz që dinë e donë të punojnë për shtetin e kombin e tyre. Në demokraci këta njerëz mund të shmangen në mënyrën më të lehtë përmes zgjedhjeve të lira. Por, tek ne kjo vështirë se bëhet, se këta i kanë kapur të gjithë mekanizmat e zgjedhjeve përmes partizanëve të tyre. Prandaj këto institucione dhe e gjithë reforma zgjedhore domosdoshmërisht duhet të ndryshohen tërësisht! Pa ndryshimin e tyre dhe pa gatishmërinë e politikës shqiptare për të ndërtuar sistemin shoqëror demokratik, nuk do të ketë zhvillim e progres në trojet shqiptare. Këta njerëz, që nuk kanë vullnet të bëjnë të duhurën, të domosdoshmen, imediaten – zgjedhjet e lira, të drejta e të pamanipulueshme, – kurrë nuk  do të jenë në gjendje të marrin vendime të tjera të mëdha, siç janë: demarkacioni, e ashtuquajtura bashkësi komunash serbe, ndërtimi i një sistemi efikas i drejtësisë (pa Gjykatën Speciale) si dhe formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës.

Po flas për gjerat qe të tjerët po ia kërkojnë shtetit tonë, madje edhe duke bërë presion, se gjendja është akoma edhe më e rëndë për të gjitha çështjet që janë shumë më vitale e më të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë, siç janë: zhvillimi ekonomik, punësimi i njerëzve të cilët po plaken pa e pasur e “shijuar” një vend të shumëdëshiruar pune, e të mos flasim për ata që perspektivën po e kërkojnë në theqafje: ikje nga atdheu! Pastaj vijnë arsimi i degraduar skajshmërisht, sistemi shëndetësor i vënë para një kolapsi total, hapësirë të degraduar e ambient të helmuar. Këto elementet e fundit janë ato që konfirmojnë më së miri, se të gjitha qeverisjet tona kanë qenë e me gjasë kanë mbetur të padijshme për të qeverisur, ndodhur pikërisht kjo, se interesit të vendit nuk i është kushtuar vëmendja e duhur qysh nga zgjedhjet e para nacionale të vitit 2001. Që nga ajo kohë, në të gjitha institucionet e shtetit pa përjashtim janë bërë pazare për interesat e krerëve të partive politike, pa e shikuar as edhe një herë interesin e kombit e të shtetit. Pazare që i kanë degraduar institucionet e shtetit. Kjo logjikë e ndjekur në vazhdimësi, nuk mund të prodhonte fryte të tjera, veç këtyre që po i shijojmë dhe shija e tyre është shije veç helmi e asgjë tjetër! Këtij helmi sikur i dhamë shije edhe me zgjedhje “të lira”! Mbase të gjithë qytetaret e vendit i ndihmuan kësaj gjendjeje! Sepse, edhe këta të fundit duhet të mbajnë përgjegjësinë, qoftë kur e hedhin votën e fshehtë në kutitë e votimit, qoftë edhe kur nuk e hedhin votën, me mosdalje, duke i shërbyer së keqes e viktimizuar pastaj po vetë ata!

Sepse, përfundimisht, duhet ta dimë apo ta dinë (ata, votuesit) se të zgjedhurit – të votuarit – kanë marrë përgjegjësinë e qeverisjes nga Ata dhe se është momenti i fundit që t’i marrin vendimet e duhura për të cilat jemi vonuar shumë. Gjithashtu duhet ta dinë këta që po qeverisin, në emrin e lëvizjeve të rezistencës kombëtare, se duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj problemeve të kombit e të shtetit ose të dështojnë e të nënshkruajnë kapitullimin e tyre para atyre forcave që janë me shikim nga lindja! Kjo tashmë ka edhe shenjat e para në horizont! Uroj të jem i gabuar në këtë parashikim! Ndaj, këta “lindorë” presin jo vetëm dështimin tuaj si kategori, por presin edhe dështimin e shtetit! Këtë duhet ta kini të qartë! Këta nuk janë pa mbështetjen e të gjithë atyre që e presin dështimin tuaj!

Është kohë e vendimeve të mëdha apo e dështimeve të mëdha! Kjo varet nga ju që numrat i keni me kimet!

Dështimi nuk i duhet asnjë qytetari të Republikës sonë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …