Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kosova, akti i shpalljes së pavarësisë, “MERITOKRACIA”

Me rastin e 8-vjetorit…

Kanë mbetur edhe një ditë a dy deri të dita e tetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ende pa e arritur një dekadë, kur shumëçka është tepër e gjallë në mendjen e kujtesën tonë, nga ajo ngjarje vërtet historike, ka përpjekje të çmendura falsifikimi, mashtrimi e privatizimi për interesa krejt personale, sikur gjithë të tjerët (të rënë e të gjallë) të ishim skllevër, çifçinj, analfabetë, primitivë e të padijshëm! Pyetja shtrohet, përse kjo përpjekje për  deformim, falsifikim, degradim e përvetësim tëhistorisë së lavdishme dhe përqendrimi i saj në një figurë kontraverse e me shumë të panjohura të rrugëtimin e tij politik, që pakkush e do e shumëkush i nënshtrohet vetëvullnetshëm?!

            Nëse shkenca e historisë sonë për antikitetin në njërën anë ka shumë golle, siç thotë Çabeji për gjuhën shqipe, e shumë të panjohura kur na mungonte shkrimi, në anën tjetër ka shumë retushime në vetë historinë e popullit shqiptar. Historia e kohës më të re, si shkencë, nuk duhet të lejojë asnjë formë të falsifikimit, të mashtrimit, të retushimitdhe të përvetësimit. Shkenca e historisë duhet t’ia japë vendin e merituar secilit që ka kontributin e tij në rrugën e gjatë të përpjekjes së kombit për liri, çlirim gjithë deri në arritjen më të madhe, kulmore – Pavarësinë. Secili duhet ta kuptojë se shkenca në bazament ka të vërtetën e jo gënjeshtrën.Vetëm përrallat për fëmijë që nga Ezopi e deri te La Fonteni e deri në ditët e sotme, i bëjnë edhe kafshët e egra e shpezët të flasin “gjuhë” të ndryshme njerëzore dhe të shpalosin karakterin e tyre kafshëror/njerëzor. Por, njerëzit duhet të jenë kërkues të së vërtetës, e në rastin tonë, në kërkim të rrugëtimit të vërtetë, në drejtim të meritokracisë së Pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008! Para më shumë se një shekulli, Sami Frashëri shkruante se ne nuk jemi si negrit e Afrikës, që mashtrohemi me cingla-minglat e askujt. Ndoshta, Samiu për kohen e tij kishte të drejtë, se shqiptarët kishin më shumë besë e moral! Çka të themi për të djeshmen, kur e sotmja, ndryshohet e falsifikohet para syve tanë e të botes. Si t’i besojmë historisë së shekujve të shkuar? A është historia jonë shkencë apo përrallë? Unë kam pasur shumë besim të madh në historinë tonë, por tani po dyshoj shumë! Pasi shkruesit e historisë po heshtin e librat e historisë të shkruara për nxënësit nga “shkencëtaret” e dëgjueshëm të Thaçit apo të ndonjë tjetrit, po gënjejnë shumë. Po na i gënjejnë fëmijët ata që duhet t’ju ofrojnë dije, edukim, arsim e shkencë! Po vringëllojnë armët apo frikësojnë muskujt, që i kanë bërë të heshtin muzat e artit e të shkencës!

Rruga drejt lirisë dhe pavarësisë

Fillimisht më duhet të sqaroj, apo të saktësoj përse kjo “ndarje” rruga e lirisë nga rruga e pavarësisë? Konsideroj se kryesorja është rruga e lirisë, e cila është rrugë nëpër të cilën ecën më shumë se tre breza (një brez llogaritet të ketë 25 deri në 30 vjet), të cilët përkundër vështirësive të shumta ka më vete plot lavdi. Kjo lavdi ishte tepër e shtrenjtë për popullin tonë. Në këtë rrugëtim të vështirë, ne ende nuk i dimë dhe as jemi munduar që t’i dimë të gjitha flijimet njerëzore, të gjitha humbjet ekonomike e as të gjitha vlerat e trashëgimisë historike e kombëtare, se në këto 17 vjet lirie e tetë (8) vjet pavarësie kemi investuar pak, madje tepër pak në arsim, në dije e në shkencë.  Nuk ka asnjë dyshim se errësimi i dijes dhe i shkencës e ushqen mashtrimin e falsifikimin e historisë sonë të lavdishme. E gjithë historia jonë na dëshmon se shtrembërimin e historisë sonë e kanë ndihmuar partizanet e kultit të individit. Partizanët e krijimit  të kultit nëpër kohë, janë përpjekur jo pak herë që ta errësojnë të vërtetën e ta ngritin gënjeshtrën, mashtrimin sepse e vërteta do t’i verbonte. Shkenca dhe shkencëtarët kanë për detyrë të eliminojnë çfarëdolloj velloje të errësirës, që gjerat të ndriçohen dhe te thuhen ashtu siç janë. Këtë e kemi për detyrë, por jo të shkojmë nga një kult në tjetrin, që të na përsëritet historia e mashtrimit dhe e zhgënjimit. Apo ndoshta, njerëzit tanë janë të lavdishëm, vetëm kur nuk janë në pushtet, e kur nuk kanë pushtet. Shi, mbase mu për këtë populli thotë: “Nuk mundesh me e njohtë njeriun pa i dhënë pushtet”. E kur merr pushtet, bëhet për ibret!

            Në këtë shkrim do të përpiqem të hedh dritë në vija të trasha, për fazat sesi erdhëm te Pavarësiae Kosovës që nga viti 1912 deri në vitin e lirisë (1999), e të pavarësisë (2008). Shkoqitja ‘vitet e lirisë’ nga ‘vitet e pavarësisë’ ka një domethënie dhe dallim esencial në mes tyre. Në fazën e parë të lirisë, të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës dhe të trojeve shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi bëheshin për çlirim e bashkim kombëtar. Ky fakt mund të konfirmohet edhe me Betimin e ushtarit të UÇK-së, i cili thotë: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj  për çlirimin  e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem më ligjet më të ashpra të luftës,  dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM!”Edhe pse ky betim mbeti deri në fund të luftës, nga bashkimi është hequr dorë në muajin nëntor të vitit 1998, kur Kosova është ndarë në 7 (shtatë) Zona Ushtarake. Deri atëherë Kosova ishte e ndarë në nënzona ushtarake, pasi deri atëherë Kosova ishte njëra nga Zonat Ushtarake të UÇK-së. Pra, në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999, nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar dhe në pamundësi të organizimit, veprimit e të operimit dhe mosbashkimit të duhur politik e financiar, përqendrimi është bërë në çlirimin e Kosovës brenda kufijve të saj administrativë. Sigurisht që këtu ishte ndikimi i qartë i Konferencës së Helsinkit për mosndryshueshmërinë e kufijve. Mbase kishte edhe diçka tjetër që e ardhmja mund ta tregojë më mirë!

            Nuk ka asnjë dyshim se ky nuk ishte vullneti ynë, por një domosdoshmëri që e impononin shumë faktorë dhe mbi të gjitha ishin: mosunifikimi politik i shqiptarëve të Kosovës, i cili kishte depërtuar edhe në radhët e UÇK-së (ku një rol të veçantë përçarës kishin ish-oficeret e AJ), mosunifikimi në financimin e luftës dhe pengesat e shumta në financim dhe ekzistimi i një bajraktarizmi në radhët e organizatorëve të UÇK-së (përçarje në radhët e LPK-së të inspiruar jo pak nga Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij, të cilët e kishin si paravan Azem Sylën). Kjo ndarje kishte depërtuar edhe në Zonat Operative të UÇK-së, e sidomosishte e shtrirë në Zonat Operative të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit dhe të Pashtrikut, ndërsa më pak të Shalës, të Bajgores, të Neredimes e të Karadakut. I ceka të gjitha këto për të pasur një pasqyrë më të qartë për arsyet që sollën si domosdoshmëri ngushtimin e kërkesës për çlirim e bashkim kombëtar. Ta themi troç, faktori politik shqiptar i të gjitha trojeve, përfshi edhe Shqipërinë, nuk ishte i gatshëm, ashtu siç nuk është edhe sot që të luftojë për bashkim kombëtar.

Rrugëtimi i Kosovës pas krijimit të Shqipërisë Londineze

             Fuqitë e Mëdha padrejtësisht ia shkëputën Shqipërisë Kosovën, Çamërinë, Maqedoninë Perëndimore dhe Malësinë e Madhe me Ulqin e Tivar dhe kështu e gjymtuan kombin shqiptar dhe atdheun tonë – Shqipërinë (1878 dhe 1913). Qëllimi im, në këtë punim është që të merrem enkas me rrugëtimin historik të popullit shqiptar të Kosovës nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri te Pavarësia e Kosovës,shpallur më 17 Shkurt 2008. Në përvjetor të tillë, ia vlen të ecim gjurmëve nëpër të cilat eci kjo pjesë e kombit tonë, pa nënvlerësuar kontributin kolektiv të kombit e të personaliteteve dhe të organizatave që i krijuan ata. Konsideroj që është momenti i duhur, mbase edhe i domosdoshëm që shkenca jonë, por edhe vetë politika e shëndetshme të shkëputet njëherë e mirë nga praktikat e përqendrimit të të gjitha meritave në një personalitet të vetëm. Po, a nuk thotë populli ynë se “me një hu nuk thuret gardhi” dhe “me një lule nuk çel pranvera”. Kjo formë e deformuar e të menduarit, në të shumtën e rasteve bëhet kur njerëzit e veshur me pushtet real a fiktiv (siç ndodh shpesh tek ne), i personalizojnë a privatizojnë meritat e kolektivit, por edhe të kombit e të gjeneratave. Ashtu siç dinë t’i përvetësojnë edhe pasuritë kombëtare, pasi ai apo ata na paskan “ndihmuar” e “çliruar”. Kjo frymë primitive na është përsëritur shumë herë deri më tani dhe gjithherë prapa kanë lënë pasoja e konflikte ndërvëllazërore. Gjithashtu, edhe praktika e shfaqur jo pak herë, në tridhjetë vitet e fundit, se historia e vërtetë e mendimit politik, atdhetarizmi, fillon me një individ, parti a lëvizje, vendit tonë deri më sot nuk i ka sjellë dhe as do t’i sjellë ndonjë gjë të mirë.

            Lufta e shqiptarëve të Kosovës për çlirim e bashkim kombëtar ka filluar në pjesën e dytë të vitit 1912, menjëherë pas depërtimit të forcave ushtarake të Serbisë në tokat shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë. Ndërsa në mënyrë të organizuar ka filluar nga nëntori i vitit 1918 kur edhe është krijuar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër. Komiteti është drejtuar nga Hoxhë Kadri Prishtina, kryetar me anëtarët: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Salih Nivica, Bedri Pejani etj. Nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” është udhëhequr Lëvizja Kombëtare për Çlirim e Bashkim Kombëtar e njohur edhe si Lëvizja Kaçake në krye me Azem e Shotë Galinën si dhe Kryengritja e udhëhequr nga Sadik Rama i Gjergjevikut të Madh. Lëvizja pat një rol mjaft aktiv deri në vitin 1928. Më pastaj kemi një rënie të aktivitetit kryengritës. Nuk ka dyshim se rënia e aktivitetit kryengritës erdhi si pasojë e vrasjes së Azem Galicës (1924) dhe vdekjes së Shotës (1927).

            Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës edhe pse hezituan t’i bashkoheshin Luftës Nacionalçlirimtare për shkak të mosbesimit që kishin në PKJ, e cila edhe pse kishte premtuar se pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do t’i bashkoheshin Shqipërisë, ajo nuk u realizua, pasi më 8 – 10 korrik 1945, Kosovën ia aneksuan Serbisë. Aso kohe atë vendim me një vendosmëri të veçantë do ta kundërshtonte Ramiz Cernica, i cili pati thënë: “Me Shqipërinë Po, me Serbinë Jo!” Ata që e kundërshtuan u burgosën me shumë vite heqje lirie, kështu që shqiptarëve nuk u mbeti tjetër, veçse ta vazhdonin luftën për çlirim e bashkim kombëtar. Luftën kundër këtij aneksimi e nisi NDSH-ja e Gjon Sereçit, Imer Berishës, Ukë Sadikut dhe e shumë veprimtarëve të tjerë nga Kosova dhe jashtë saj.

            Pas shuarjes së NDSH-së, në Kosovë, në kohë të ndryshme kanë ekzistuar shumë organizatatë fshehta, por nga më të shtrirat ishin: LRBSH e udhëhequr nga Adem Demaçi dhe ajo e Metush Krasniqit. Gjatë kohës sa Adem Demaçi ishte në burg, në vitet ‘70, me një kohë më të gjatë veprimi ka ekzistuar Grupi Revolucionar i Kosovës, i cili në vitin 1975 shndërrohet në GMLK e më pas në OMLK, udhëhequr nga Mehmet Hajrizi, Kadri Osmani, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Gani Sylaj, Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Jakup Krasniqi etj. OMLK-ja ishte organizatë e fshehtë, me veprimtari më të gjatë veprimi e organizimi. Edhe pas burgosjes së shumë veprimtarëve pjesëtarë te organizatave të fshehta në vitin 1981 e më pas, organizatat e fshehta kanë vazhduar veprimtarinë deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999. Jam i vetëdijshëm se shumë organizatave të fshehta dhe shumë personaliteteve u kam hyrë në hak, por natyra e këtij shkrimi është që të jap një orientim në vija të trasha deri te çlirimi e pavarësia e Kosovës. Ia vlen që të them se ideatori shpirtëror i gjithë Lëvizjes së Fshehtë për Çlirim e Bashkim Kombëtar, pa dyshim që ishte Adem Demaçi, i cili nga viti 1958 e deri më 1990 u dënua tri herë dhe qëndroi mbi 28 vjet burg. Nga viti 1945-1990, shqiptarët në Jugosllavi kanë mbajtur mbi 666 shekuj burgim, vetëm në vitet 1981-1990, shqiptarët kanë mbajtur mbi 250 shekuj burgimi. Nga viti 1944/45 e deri me 1999 në forma të ndryshme janë vrarë mbi 95.000 shqiptarë. Pas vitit 1945 e deri në vitet 1966/67 janë shpërngulur për në Turqi mbi 200.000 shqiptarë. Shpërngulja apo ekzodi i shqiptarëve nga trojet e tyre ka vazhduar deri në vitet 1998/99. Madje, largimi i shqiptarëve, për shkak të qeverisjes së keqe e të pasigurisë për punë e jetë vazhdoi edhe 16 vjet pas lirisë e shtatë vjet pas pavarësisë.

Liria e Pavarësia, vepër e finalizuar nga UÇK-ja e Adem Legjendarit

Nuk ka asnjë dyshim, vitet 1990-1999 ishin vitet ndër më të vështirattë shqiptarëve në shekullin XX. Shqiptarët i qenë nënshtruar jo vetëm një shtypjeje të egër, por edhe një diskriminimi e poshtërimi barbar, kulmuar me vitet 1990-1999. Qëllimi i kësaj politike të gjenocidit ishte pastrimi etnik i Kosovës dhe kolonizimi i saj  me serbë e malazezë. Shqiptarët me të madhe ishin larguar nga jeta politike e publike, ekonomike e mediale. Nga viti 1990-1999, nga Kosova janë larguar mbi 400.000 shqiptarë, të cilët kanë shkuar në vendet e Evropës Perëndimore, Skandinavi, Mbretëri e Bashkuar, SHBA etj. Në rrethana të tilla, politika pacifiste e LDK-së nuk kishte arritur ta ndalte trendin e zbrazjes së Kosovës. Në këtë kohë kemi krijimin dhe  rritjen e UÇK-së së Adem Jasharit, e cila ishte melhem në varrën e robërisë sonë. Rënia e Adem Legjendarit dhe e familjes Legjendare të Jasharëve, luftës çlirimtare e Kosovës i dha dimensionin e një lufte popullore të përmasës kombëtare. Epopeja e UÇK-së ishte Kthesa më e Madhe për mobilizimin e masivizimin e kombit për Luftën Çlirimtare. Pa atë rënie të fisnikshme të Jasharëve të Prekazit në Drenicë, pa atë mobilizim shpirtëror që i dha kombit ai flijim, pa atë mobilizim politik e ushtarak, nuk do të shpërthente Ushtria Çlirimtare nga një guerile e kufizuar në një ushtri popullore, e cila zhvilloi edhe luftime frontale, mu ashtu siç ishte strategjia e Komandantit Legjendar të UÇK-së, e cila u jetësua vetëm pas rënies së tij heroike.

            Përmenda përmbledhtazi ngjarje e personalitete që na e trasuan rrugën e lavdisë, rrugën e lirisë e të çlirimit (qershor 1999) dhe finalizimin e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008. Nuk ka asnjë dyshim, në këtë histori suksesi, roli i komunitetit ndërkombëtar me SHBA në krye është i një rëndësietë veçantë. Liria e Kosovës është vepër e një rezistence të pandërprerë 87-vjeçare e shqiptarëve të Kosovës, është vepër e guximit dhe e gjakut njerëzor (jo vetëm në luftën e fundit), është vepër e humanizmit dhe e veprimit ushtarak të Botës Demokratike me NATO-n në krye. Por, pa qëndrimin tonë historik nëpër shekuj në trojet tona stërgjyshore, pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa organizimin tonë në organizatat e fshehta çlirimtare, pa luftën e sakrificën tonë, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, askush nuk do të merrej seriozisht me kombin tonë. Dhe kur e them këtë, nuk e mohoj as minimizoj ndihmëne jashtëzakonshme të aleatëve tanë.

Ndërsa, një ngjarje e rëndësishme që ndihmoinë pavarësimine shtetit tonë, pa dyshim që janë Bisedimet e Vjenës, të cilave i ka paraprirë deklarata e Grupit të Kontaktit, e cila i dha të gjitha parametrat për orientimin e bisedimeve të Vjenës. Një dokument tjetër, shumë i rëndësishëm që ia ka hapur të gjitha rrugët 17 shkurtit 2008, ka qenë Letra që Presidenti Ahtisari i ka dërguar Presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Në atë letër, Ahtisari nënvizonte domosdoshmërinë që Kosovës t’i njihej Pavarësia e Mbikëqyrur.  Në saje të atij propozimi, Kosovës i janë hapur rrugët e njohjes nga 110 vende të Botës. Nuk ka asnjë dyshim, në pavarësinë e Kosovës si projekt ka hisen e vet sekondare edhe faktori ndërkombëtar, por ky projekt është dëmtuar shumë në substancë nga Bisedimet politike të zhvilluara me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Me Serbinë është dashur të zhvillohen vetëm bisedime teknike dhe në asnjë mënyrë nuk është dashur të përfundonin në bisedime politike. Me bisedimet politike të zhvilluara në Vjenë (2006/2007), me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Statusin Përfundimtar të Kosovës, kanë qenë të përfunduara e të mbyllura bisedimet politike. Delegacioni ynë në ato bisedime (të Brukselit) është treguar skajshmërisht i pavemendshëm, duke reflektuar si një trup pa kokë.

Nëse e shikojmë rrugën nëper të cilën ecën breza luftëtarësh deri në qershorin e vitit 1999, shihet qartë, se pas kësaj date qytetarët e Kosovësvetëm sa e kanë pritur zyrtarizmin e pavarësisë dhe ai moment, e them më përgjegjësi, është vonuar për tetë-nëntë vjet me fajin e drejtuesve politikë të kohës, për shkak të moskomunikimit mes shefave të subjekteve politike, e ndonjëri sot përpiqet ta marrë mbi vete gjithë mundin, gjakun dhe sakrificën e brezave në supet e tij “foshnjore”, gjithë historinë e lirisë, të çlirimit, të pavarësisë e besa edhe  të integrimeve euroatlantike! E gjithë historia jonë na tregon se akti i shpalljes së Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, është vepër e popullit shqiptar ndër vite, është vepër e finalizuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar në Kuvendin e Kosovës dhe assesi nuk mund të personifikohet e personalizohet me emrin e asnjë drejtuesi të kohës e më së paku mund të përvetësohet nga lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë. Deklarata si dokument zyrtar është nënshkruar nga Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe deputetët tjerë nënshkrues. Ndërsa, si akt final dhe i plotfuqishëm është votimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe deklarimi i rezultatit të votimit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë ka pasuar pas votimit nga ana e deputetëve të Kuvendit. Pse ky akt personalizohet nga Hashim Thaçi, është çështje që kërkon të trajtohet seriozisht nga shkencat humanitare e psikologjike. Por nuk është pa interes për t’u studiuar edhe fakti, sesi ky njeri arrin të manipulojë komunitete kaq të gjera gjithandej?!

Sido që kanë rrjedhur ngjarjet pas Pavarësisë së Kosovës, çlirimi i Kosovës në qershorin e vitit 1999 dhe formalizimi i Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ku Kosova shpallet shtet i pavarur, sovran e demokratik, janë ngjarje tepër të rëndësishme për kombin tonë. Shkurt e shqip, Pavarësia e Kosovës është vepër e formalizuar nga Kuvendi i Kosovës, përpjekjet e derisotshme që lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë të konsiderohet si njeriu që shpalli pavarësinë është një lloj bajraktarizmi fisnor mesjetar. Nëse mediat sot janë të yshtura në forma të ndryshme që ta hanë karotën mashtruese të Thaçit, shkenca e historisë, nuk guxon ta pranojë gënjeshtrën për fakt historik, por duhet të mbështetet në dokumentet zyrtare të Kuvenditsi dhe storiet filmike që tregojnë rrjedhat e mbledhjes solemne për shpalljen e pavarësisë në Kuvendine Kosovës. Fakte historike nuk mund të jenë përrallisjet e Televizionit Publik të Kosovës në çdo përvjetor të pavarësisë.

Deklarata e Pavarësisë si edhe ndonjë dokument tjetër a ligj, nuk janë të vlefshme, derisa nuk i nënshtrohen votimit në Kuvend, ndërsa marrin fuqinë e dokumentit zyrtar vetëm pasi të jenë votuar nga shumica ose dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, Thaçi vetëm sa ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga ekspertët amerikanë e më pas e përkthyer në gjuhën shqipe. Bile Thaçi në leximin e tij, Deklaratës së Pavarësisë ia heq fjalën sovranitet, fjalën më domethënëse, pasi nuk ka shtet pa sovranitet. Ndërsa, pas votimit të Deklaratës së Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit e thotë se: “Sot më 17 shkurt 2008, deputetet e zgjedhur të popullit një zëri  e shpallën Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik”, ashtu siç shkruan edhe në Deklaratën e nënshkruar nga të përmendurit më lartë. Kjo është e vërteta e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Shtet i Pavarur, Sovran e Demokratik.

Çdo interpretim tjetër i Shpalljes së Pavarësisë është mashtrim dhe falsifikim i një ngjarjeje historike, ndër më të rëndësishmet për vendin e popullin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …