Krasniqi: Prokuroria e Dhomave të Specializuara, shpirtin e bazamentin e Kosovës, UÇK-në, po e quan ndërmarrje kriminale?!

Jakup Krasniqi: Mësimet që duhet të nxjerrim, pas mos pranimit të Kosovës në INTERPOL

Nuk ka asnjë dyshim, mos pranimi i Kosovës në Interpol është një dështim i Shtetit tonë në përgjithësi dhe i diplomacisë sonë të paaftë e të pagjak në veçanti. Kjo gjithashtu është në një formë një disfatë edhe e shteteve më të cilat Kosova e ka koordinuar pavarësinë, pastaj është disfatë edhe për BE-në e cila në gjirin e saj ka shtete që nuk kanë asgjë të përbashkët më vlerat e proklamuara evropiane, siç janë të drejtat e liritë e njeriut, shtete që edhe në një formë janë mbështetëse të politikave të gjenocidit që i ka ndjekur politika e Millosheviqit dhe që vazhdon t’i ndjekë politika zyrtare e Beogradit edhe sot e gjithë ditën. Pasi edhe këta të sotshmit ishin eksponentë të asaj politike.

E sa për shtetet si Izraeli dhe vende të botës arabe të gjirit dhe të Magrebit, të botës islame aziatike (të Azisë Qendrore e ato të arkipelagut – Malajzi e Indonezi), mbase edhe nuk habitëm pasi që të gjitha që votuan kundër, jo vetëm që nuk shquhen për vlera njerëzore e demokratike, për liri e të drejta njerëzore, por janë të njohura për despotizëm e tirani, për krim e gjenocid për të gjithë ata që nuk janë e nuk mendojnë si ata, tiranet, despotet e pashpirt të asaj bote. Ajo botë e ka “kulturë”, mbase e ka në gjak, gënjeshtrën, mashtrimin e korrupsionin. Nuk ka më lehtë për Serbinë se sa për të korruptuar atë botë grykëse e  mjerane. E vetmja gjë që me habiti janë disa vende si Japonia etj., që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe abstenuan! Kjo pa dyshim që është paaftësi e diplomacisë sonë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës!

Pa marrë parasysh këto që u thanë, institucionet e Kosovës duhet ta nxjerrin nga ky pësim një mësim të mirë. Janë të detyruara ta nxjerrin mësimin se: a ia vlen të vazhdohen bisedimet e Brukselit me Serbinë e pa penduar për gjenocidin që ka ushtruar në Kosovë? Të analizojnë në mënyrë të gjithanshme se a ia vlen që mallrave serbe tu lihen hapur të gjitha dyert e Kosovës, që pastaj Serbia t’i nxjerr miliardat nga parat tona, pastaj i shfrytëzon për të lobuar e korruptuar shtete kundër vendit tonë kudo që i epet rasti, siç ishte edhe rasti i fundit për anëtarësimin në Interpol. Dhe ky rast nuk është i vetmuar! Gjithashtu edhe çështja e dialogut duhet të rishikohet se a duhet biseduar pa fund më një shtet që nuk ka dhënë asnjë shenjë të gatishmërisë as për pendim se jo më për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Mbase është momenti i duhur që në mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Pejë në prag të Nëntorit Kombëtar të bisedojnë më seriozisht se kurrë më parë për Sigurinë Kombëtare se paku për dy dekadat e ardhshme. E kanë ketë përgjegjësi, përgjegjësin për Siguri Kombëtare!

Shkurt, Kosova nuk duhet ngutur e as shfaqur asnjë shenjë dobësie ose të ndonjë interesimi individualisht për të vazhduar dialogun në Bruksel, derisa politika zyrtare serbe e ka ketë nivel të lartë armiqësisë ndaj Kosovës e shqiptarëve. Ndërsa masat ndaluese për mallrat serbe duhet ashpërsuar deri në maksimum. Çdo shenjë dobësie e ngutje e shfaqur nga ana e jonë, do të jetë fitore për Serbinë armike. Dhe kjo nuk guxon të ndodhë! Pala e jonë duhet të heq dorë nga gatishmëria e deritashme për të arritur marrëveshje të shpejtë me Serbinë.

Për ketë çështje duhet të arrihet një konsensus nacional dhe pastaj për ketë vendim duhet të njoftohen të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e veçmas SHBA dhe BE-ja! Përkundër kësaj, institucionet tona, secili prej tyre duhet t’i marrin përgjegjësit që  kanë deri edhe në dorëheqje! Në politikë edhe në atë të interesit duhet që të ketë pak moral! Ajo që u pa dhe u tregua në votimin e Interpolit është se politika nuk është biznes, politika është art tjetër! Nuk mund të them e as besoj se politika e jonë i ka kapacitetet e duhura për të nxjerrë mësimin e duhur.

Nuk ka dyshim, jo vetëm diplomacisë sonë, por gjithë institucioneve të shtetit i duhen energji e koordinim politik si i djelmoshave të kombëtares sonë që e treguan në futboll në dy ndeshjet e fundit! ! Kosovës i duhet shumë suksesi në fushën politike, por kjo do të jetë e mundur vetëm me një ekip tjetër politik!

Në fund falënderimi im shkon për djelmoshat e futbollit! Suksese!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …