Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Po na përsëritet historia në variantin më tragjik

 Që nga viti 1878, sa herë që na janë rrëmbyer pjesë të rëndësishme të trojeve etnike, si nga Traktati i Shën-Stefanit dhe Kongresi famëkeq i Berlinit, nuk kanë munguar jo pak shqiptarë lakmitarë të pushtetit që të thoshin: “S’ka gjë”, se kështu po thotë: “Baba Mbret”. Madje kjo “s’ka gjëja”, shqiptarëve u është përsëritur jo më pak së pesë herë (1878, 1913, 1925, 1945 dhe, së fundmi në 2015). Ç’prej atëherë shqiptarëve u janë përsëritur mbase katër llahtari të mëdha, u janë përsëritur katër periudha gjenocidi (1876/78, 1912/1913, 1944/45 dhe ai i vitit 1998/99). Problemi nuk është vetëm pse ndodhen këto shkëputjesh të mëdha territoresh (në mesin e këtyre territoreve ishte dhe Çamëria), por pse në kontinuitet nuk kanë munguar përpjekjet nga vetë shqiptarët, madje në kohën tonë edhe “akademikë” e ”shkencëtarë”, se për “politikanë” të mos flasim, që t’i rehabilitonin dhuruesit e hapësirave shqiptare, armiqve të Shqipërisë! Ky fenomen është shfaqur edhe në mileniumin e ri (shek. XXI)! Nuk ka dyshim se rastet më eklatante ishin ai i vitit 1925, kur Zogu ia fali Vermoshin e Shën-Naumin Serbisë dhe tani, kur Thaçi e Mustafa po ia falin hiç më pak se mbi 8200 hektarë tokë (nga më strategjiket!) Malit të Zi! Veprime të tilla sikur janë kthyer e po trajtohen si normalitet për një pjesë të shqiptarëve. Se herave të tjera “disi” mund të arsyetohemi, se ishin vendimet e Fuqive të Mëdha!

Herën e parë, në 1876/78, nga forcat e Princ Millanit, është zhbërë Shqipëria e Toplicës, nga ku janë zhbërë (shkatërruar) mbi 500 vendbanime shqiptare, të cilat veprime u legjitimuan nga Traktati i Shën-Stefanit dhe Kongresi i Berlinit. Madje nga ky i fundi, Mali i Zi në përbërjen e tij gëzonte 50 për qind toka të shqiptarëve! Kështu ishte, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës në emër të dobësimit të Perandorisë Osmane, tokat shqiptare ua dhuronin të krishterëve shovinistë (me gjuhën e sotme mund të thuhet edhe ekstremistë!) të Ballkanit. Nuk duhet mohuar fakti, se në letër, vendimet e Kongresit të Berlinit i obligonin shtetin e Serbisë e të Malit të Zi, që t’i rikthenin të shpërngulurit në trojet e tyre dhe t’i respektonin të drejtat e pakicave, por në praktikë një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë! Përkundrazi, përpjekjet serbe për shkatërrimin e dëbimin e shqiptarëve nuk pushuan kurrë, madje as sot e kësaj dite!

Herën e dytë, në1912/13, në Luftën e Parë Ballkanike, kur ushtritë e Serbisë e të Malit të Zi, ushtruan gjenocidin e radhës, të dytë, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë. Në vitin 1913, të dielën e Pashkëve, në prag të Luftës së Parë Botërore, shkrimtari vienez, izraeliti Leo Frojndlih (Leo Freundlich), e kishte botuar një libër që jo rastësisht e kishte titulluar: “Akuza që ulërijnë”). Në atë libër autori rrëfen për “Golgotën shqiptare” ose holokaustin shqiptar siç e ka cilësuar gjermani Hans Peter Rullman në parathënën e librit “Golgota shqiptare”, botuar në HAMBURG 1992 (shih, Leo Frojndlih: Golgota shqiptare, “Lilo”, Tiranë 1995, f. 10), gjermanisht, anglisht dhe kroatisht.

Në faqen 39 të librit, izraeliti Leo e tregon qëllimin e librit të tij. Ai thotë: “Qëllimi i këtij botimi është ngritja peshë e ndërgjegjes së popullit Evropian. Raportet e përmbledhura këtu në vetvete përmbajnë disa nga ata që kemi mundur të grumbullojmë. Tjetër. Materiali është i njohur nëpër qeveritë e Evropës përmes konsujve të tyre zyrtarë, si dhe nga artikujt e bollshëm që janë pasqyruar në shtyp.”  Në të njëjtën faqe, gjithnjë sipas të dhënave të kohës, autori kishte argumentuar me të dhëna të shumta se Serbia dhe Mali i Zi kishin ardhur në përfundimin se: “Shqiptarët duhet shfarosur”. Sipas autorit, kjo politikë e gjenocidit, kishte shkaktuar shumë reagime, me ç’rast sjell reagimin e francezit Pierre Loti, i cili kishte shkruar: “Një popull trim, një popull të shquar, po e torturojnë të mbërthyer në kryq përpara syve të gjithë botës. Por Evropa, Evropa Kristiane, Evropa e civilizuar, nuk po flet qoftë edhe një fjalë për këtë. Me dhjetëra-mijëra numërohen njerëzit e pambrojtur, të cilëve u ka kaluar qafa nëpër tehun e thikës e të bajonetës, gratë e përdhunuara, pleqtë dhe fëmijët e mbytur, me qindra fshatra të djegura e të rrafshuara për tokë; priftërinjtë të lënë pa frymë. Por Evropa vazhdon të heshtë”. (Po aty, f. 39).

Për të realizuar politikën “shfarosëse (shkatërruese – J. K.)”, shtetet e përmendura e kishin vetëm një gjuhë dhe ajo ishte, gjuha e çizmes me gozhdë, e çizmes më çnjerëzore të ushtarit të shfaqur në mënyrën më të llahtarshme të mundshme dhe të paparë në Evropën e kohës. (Po aty). Ato llahtari Evropa do t’i shihte vetëm në kohën e nazi-fashizmit, në Luftën e Dytë Botërore. Ato llahtari e kishin shtyrë, njohësen më të mirë të popujve të Ballkanit, Edit Durhramin që t’ia kthente  Medaljen e Florinjtë Kral Nikollës dhe t’i thoshte: “… tani e di mirë se Kral Nikolla dhe pasuesit e tij, janë shumë më mizorë sesa Turku dhe nuk mund ta mbaja qoftë edhe një çast më tepër dekoratën e tij të përlyer me gjak”. (Po aty, f. 30). Edhe në luftën e fundit, regjimi i Beogradit ka ndjekur të njëjtën shkollë. Me këtë rast po e shkëpusim një përshkrim te intelektualit e gazetarit serb, Mirosllav Filipoviq. Ai thotë: ”Jo vetëm që kam plotësisht të drejtë, por ato ngjarje që i kam përshkruar në rrëfimet e mia, janë lodra fëmijësh në krahasim me atë që u kanë bërë djelmoshat tanë civilëve kosovarë. Gjatë kohës që isha në burg më shkruanin edhe priftërinjtë dhe murgjit që kishin shërbyer në Kosovë. Në ditarët e këtyre etërve përshkruhen, nga dita në ditë, mëkatet që bënin policët dhe ushtarët tanë. Ditarët e këtyre priftërinjve dhe murgjve janë plot me shqiptarë të vrarë, shqiptare të dhunuara, fëmijë të vdekur dhe të djegur (…). Politikanët tanë, as që i komentojnë këto ngjarje e lëre më t’i dënojnë (…). Sado që dikush mendon se ky operacion ishte i justifikueshëm dhe i duhur në planin kombëtar, ose ‘kombëtarisht i nevojshëm’, qëllimi i operacionit «Patkoi» është kriminal”. (Mirosllav Filipoviq: “Dugi marš ka istini o zlocinima”, Marsh i gjatë drejt së vërtetës për krimet, Revista Republika nr. 263).

E njëjta logjikë, me atë që e thoshte serbi Filipoviq para shumë viteve, po vazhdon edhe sot nga qeveritarët e Beogradit, madje edhe pas pesë viteve të bisedimeve me ndërmjetësimin e Brukselit! Qeveritarët serbë planifikojnë t’i ngrenë Përmendore edhe Millosheviqit! Kjo i bie sikur gjermanët e italianët t’iu ngrenë përmendore Hitlerit e Musolinit?! Mbase edhe më keq! Po të vepronin kështu evropianet në vitet e ’50-ta, a thua do të kishte BE?

Herën e tretë, në 1925, pasi Zogu ishte kthyer në pushtet me ndihmën e qeverisë serbe të Pashiqit dhe si shpërblim, qeveria e Zogut ia dha Serbisë Vermoshin dhe Shën-Naumin në rajonin e Ohrit. Më pas Zogu e filloi masakrimin e patriotëve shqiptarë. Ndonëse, çuditërisht, sot e gjithë ditën, bëhen përpjekje për ta arsyetuar Ahmet Zogun! Po, shqiptarët sipas Fallmerajerit (Jacob Philipp Fallmerayer), “tradhtinë e marrin si diçka normale”. Kjo, mbase na ka mbetur që nga koha e Skënderbeut.

Hera e katërt, në 1944/45, kur ndodhi një terrori egër i ushtruar nga partizano-çetniket e Tito-Rankoviqit, dhe me mbështetjen e disa “shqiptarëve”. Madje, në verën e 1945-ës vendosen që Kosova t’i aneksohej Serbisë! Edhe kësaj radhe, si zakonisht pati shqiptarë që thanë: “S’ka gjë!”. Ndashtë ishte bërë refren i një kënge që përsëritej sa herë shqiptarëve iu shkëputej një copë tokë!

Hera e pestë, në 2016! Dy njerëz, kanë vendosur që Serbinë ta bëjnë hisedare në sovranitetin e shtetit përmes Listës Serbe (që vazhdojnë të mos e njohin Kushtetutën, ligjet dhe simbolet e Republikës së Kosovës, pra, që nuk e njohin shtetin e Kosovës!) dhe Malit të Zi t’ia falin mbi 8200 hektarë të tokës stërgjyshore, se kështu po e kërkon interesi i pak njerëzve që kanë grabitur pushtetin. “Po na thonë miqtë”, deklarojnë paturpësisht këta qeveritarë!!! Dhe për hatër të tyre përsëri s’ka gjë! -Jua falim malazezëve “do bakrrina  në Bjeshkët e Nemuna”, po mëshirohen Isa e Hasha!

Është ky një refren tepër i njohur vite e vite për çdo shqiptar të vëmendshëm!

Përfaqësuesit e popullit shqiptar të Kosovës kanë rastin ta vazhdojnë pambarim refrenin… apo, shkurt, t’i thonë një Jo të madhe! Le të shpresojmë se një refren ndryshe do ta këndojnë DEPUTETET e Kosovës!Historia është duke na u përsëritur në variantin më tragjik të mundshëm!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …