Jakup Krasniqi: Ta ruajmë fitoren si sytë e ballit

Jakup Krasniqi: Ta ruajmë fitoren si sytë e ballit

Në vitin 2011 kam botuar trilogjinë : Pranvera e Lirisë, Guxo ta duash Lirinë dhe Flijimi për Lirinë. Në librin e fundit – Flijimi për Lirinë, që kryesisht i kushtohet Komandantit Legjendar Adem Jasharit, gjendet edhe shkrimi në vazhdim:

Këto ditë, në tërë Kosovën po behën rivarrime të dëshmorëve dhe viktimave të terrorit serb që ranë për këtë kthesë të madhe për popullin, për Kosovën, për ardhmërinë e vendit e të fëmijëve tanë. Këto varre janë dëshmia më e mirë për sot e për mot se ky popull e ky truall, në fund të shekullit XX, është detyruar të bëjë një luftë të imponuar e të pabarabartë, një luftë të guximshme dhe heroike ndaj armikut më të egër e më barbarë që kanë njohur këto troje, që ka njohur Evropa. Kjo është lufta më e madhe, më e pabarabarta që ka bërë ky popull në këtë shekull kundër shovinizmit sllavist dhe pasardhësve të titizmit e rankoviqizmit, që kanë qenë e kanë mbetur armiket më të përbetuar të popullit shqiptar në përgjithësi e këtij kosovar në veçanti.

Lufta që u udhëhoq dhe u organizua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është më e organizuara, më e lavdishmja dhe më e suksesshmja e këtij shekulli, pas shpalljes së pavarësisë. Prandaj edhe përpjekjet për ta zvogëluar, për ta zbehur e komprimituar janë të shumta dhe vijnë nga drejtime të ndryshme. Është në nderin dhe obligimin e udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së, që të organizohen për të luftuar kriminelët, keqbërësit, meskinët e matrapazët e ndryshëm që po e njollosin luftën e shenjt të UÇK-së si edhe ata që po tentojnë të shkelim mbi gjakun e veprën e Dëshmorëve të Kombit.

Varret e reja që po sistemohen duhet të shndërrohen në përmendore përkujtimore dhe do tu flasin kalimtarëve e brezave në vazhdim për luftën e egër e barbare të armikut, do tu flasin për luftën e popullit dhe Ushtrisë së tij Çlirimtare për ndjenjën e latë të guximit e të sakrificës, për luftën e drejtë e fitimtare që u arrit me ndihmën e SHBA dhe vendeve tjera të NATO-s. Të gjithëve duhet të na mbetet në kujtesë e ta mbajmë mend si shahadetin se: pa mundin, djersën, gjakun dhe sakrificat e shumta të popullit e të Ushtrisë së tij Çlirimtare, pa vendosmërinë dhe guximin e kësaj ushtrie, pa ato katrahura që i përjetuam të gjithë e që tronditën botën, nuk do të sensibilizoheshin SHBA dhe vendet tjera të NATO-s.

Janë këta të rënë, janë këto varre tepër të dhimbshme por të domosdoshme për epokën e re, që Kosova të mbetej pa bandat e kriminelëve Millosheviq-Arkan-Sheshel. Kosova tani po frymon më lirshëm edhe pse pasojat e luftës shihen kudo, pasojat më të dhimbshme janë varret e reja pa të cilat nuk do të ndodhte kjo kthesë e madhe. Pushtuesit kurdo e kudo kanë qenë e vazhdojnë të jenë barbarë, pushtuesi serb edhe një herë tregojë dhe dëshmojë se nuk i ka jetuar periudhat e civilizimit e qytetërimit bashkëkohor, bile as atë mesjetar, se ka ruajtur me fanatizëm atavizmat e egërsisë e të barbarisë primitive.

Duke përkujtuar këta të rënë që kishin synim lirinë, pavarësinë e demokracinë, ne që patëm fatin të mbijetojmë luftën e të shohim Kosovën e lirë, jemi të obliguar të përkulemi kudo para varrezave të rënëve në luftën për liri dhe ti themi vetës: Pa gjakun e jetëtat e tyre,në Kosovë asgjë nuk do të frymonte lirshëm, as puna për ekzistencë e pasuri, as njeriu e ardhmëria e tij. Shikojeni Drenicën, Llapin dhe Dukagjinin e pjesët tjera të Kosovës që armiku e shndërroi në gërmadha, këto i shihni përditë në fshatrat e shtëpitë tuja dhe e kuptoni se humbjet e më të dashurve ishin një domosdoshmëri, domosdoshmëri që Kosova ta fillonte epokën e lirisë e të pavarësisë pa ato bandat policore dhe ushtarake, me të cilët dikush dëshironte të ndërtonte rendin demokratik në Kosovë. Tani dhe mund t´i pyesim qytetarët e Kosovës, a kishte shans ndërtimi i demokracisë me ata kanibal që theren, vranë e djegën njerëz për se gjalli? Përgjigjja dihet, një gjë e tillë s´do të ndodhte kurrë.

Një popull që nderon e kujton me respekt luftën e të rënit për liri i siguron dhe i garanton veti ardhmëri. Populli që nuk shkundet njëherë e mirë nga filozofja e robit, e mjerimit dhe e poshtërimit rrezikon të humbas atë që e ka arritur me gjak dhe sakrifica. Neve që patëm fatin të mbesim, që të shohim Kosovën e lirë, jemi të obliguar ta vazhdojmë luftën për ndërtimin, rindërtimin e zhvillimin e Kosovës së çliruar me kaq shumë sakrifica, njerëzore e materiale. Se vetëm kështu realizojmë dëshirat dhe amanetet e dëshmorëve të lirisë.E mbi të gjitha e kemi për obligim ta ndërtojmë të sotmen e kombit! Dhe e sotmja u përket të gjallëve.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …