Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Të ligjërosh me afsh patriotik

Nuk ka më lehtë sesa të ligjërosh me afsh patriotik para një mase që 70% e saj janë analfabet funksional, të cilët lehtë “mashtrohen” nga fjalët e mëdha të thëna në vetën e parë?! Unë! Unë! Unë!  Universitetet e shumta të periudhës se “demokracisë” (publike e private) në Shqipëri e Kosovë na kanë ndihmuar që të shumëzojmë numrin e analfabetëve funksional!

Një mase të tillë, mjafton t’ua thuash në fillim një fjali të mbushur si një tullumbace me patriotizëm patetik, “se unë nuk lejoj (e thënë gjithnjë në veten e parë) pa kaluar mbi trupin tim, te ndryshohet kufiri i Kosovës”?! Dhe pastaj e njëjta fjali demantohet, jo vetëm një herë, më të gjitha fjalitë tjera në vazhdim, fjali që e konfirmojnë jo korrigjimin, por, “zgjerimin” në një anë pa e cekur shkurtimin e madh që mund t;i ndodhë anës tjetër. Zgjerimi a nuk është ndryshim i kufirit?  Nuk do të preken kufijtë, por do të zgjerohet Kosova?! Çfarë mrekullie! As zgjerimi i Kosovës nuk qenka ndryshim i kufirit ekzistues? Kjo që dëgjuam dje në Tiranë, thënë më se buti ishte fyerje e inteligjencës të atyre që e dëgjonin e duartrokisnin fjalimin patriotik! Por, edhe të gjithë atyre që ju dedikohej lajmi gjithandej hapësirës shqiptare si një super lajm.

Kush mund ta haj karremin e hedhur në Tiranë nga i vetmi atdhetar i Kosovës, se Serbia e cila që 20 vjet e sa nuk ishte  e gatshme t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën, pa ia kthyer ajo kësaj të fundit – Kosovën Lindore (Preshevën, Medvegjën e Bujanocin)?! Ketë karrem të hedhur në Tiranë, mund ta hanë vetën peshqit në Detin Adriatik?!

Mua me erdhi keq, për duartrokitjen frenetike e cila më pas u përcjell me heshtje qyqare, madje jo vetëm në Tiranë. Nuk ka dyshim, është në natyrën njerëzore të mashtrohen e të vetëmashtrohen që dymijë  e sa vite, sidomos kur dëgjohen fjalë të mira për veshët.

Eh! Sikur Kosova të ishte çliruar nga individi, atë do ta bënte Ahmet Delia me sopat e Azem Galica me pak trimat që i shkonin prapa. Se paku, ata na e lan prapa një trashëgimi luftarake për lakmi. Mbase situatës i përgjigjet më mirë po të thuhet: Do ta çlironte Bali Katravella me shpatën e tij prej talle! Një gjë dihet se individi as e ka mbrojtur as e ka çliruar dhe as do ta bëjë shtetin funksional të së drejtës. Natyrisht, për ketë nuk është dëshmi për ne shqiptarët vetëm Republika e Kosovës!

Kosova është si të gjitha shtetet e Ilirikut Perëndimor, të Evropës e të OKB-së, por shqiptarët që i kanë hipur në zverk, janë të çakorduar, janë individualistë të skajshëm të cilët shqiptarët në përgjithësi i kanë lënë vetëm me perspektivën e ikjes nga trojet e tyre stërgjyshore! Dje, Lufta i sillte shqiptarët edhe përtej Atlantikut në Luftën e Kosovës, sot, Kosova e lirë po i degdisë edhe më larg se përtej Atlantikut!

Këta njerëz që kanë marr shumë përgjegjësi publike, nuk dinë, nuk donë  dhe as që kanë gatishmëri që t’i bëjnë bashkë as edhe dy pleshta për të mirën e kombit, pasi veshët i kanë dyllosur për të mos e dëgjuar as edhe një zë ndryshe, nuk po them zë racional, pasi racional është vetëm zëri i tyre zhurmëmadh! Por, dinë të bëjnë bashkë ndonjë servil e puthador për interesat e tyre krejt personale. Në ketë fushën e fundit janë më shumë se finok, besa edhe shumë të zhdërvjelltë! Zhdërvjelltësi për prapsi!

Apo ndoshta, po jetojmë erën kur Kosovën mund ta e “mbrojë” edhe  një trup i vetëm mbi të cilin nuk mund të kaloi askush?!

Amen! Amen! Amen!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …