Ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi ka folur për angazhimin e tij shumëvjeçar në mbështetje të çështjes shqiptare dhe Kosovës, duke theksuar vështirësitë me të cilat, sipas tij, është përballur populli shqiptar në paraqitjen e historisë së tij. DioGuardi tha se një nga arsyet që e shtyu të kandidonte për Kongresin amerikan ishte pikërisht mungesa e përfaqësimit të zërit shqiptar në Uashington. “Për shekuj me radhë shqiptarët janë varrosur nga armiqtë e tyre. Ata nuk kishin asnjë mënyrë për të folur për veten!”, ka deklaruar ai. Ai theksoi se angazhimi i tij për çështjen shqiptare nuk ka qenë komercial dhe se nuk ka marrë pagesë për këtë punë, duke thënë se aktivitetet janë mbështetur përmes kontributeve bamirëse. Duke folur për zhvillimet aktuale, DioGuardi shprehu shqetësim për, siç tha, rikthimin e ndikimit serb në rajon. “Serbët po mobilizohen… Nuk e kisha menduar kurrë se do të riktheheshin kështu, por po rikthehen”, tha ai. Ish-kongresisti amerikan foli edhe për luftën në Ukrainë dhe sulmet ndaj civilëve, ndërsa kritikoi qasjen e administratës amerikane ndaj mbështetjes për Ukrainën. Sa i përket Kosovës, DioGuardi tha se, pavarësisht zhvillimeve globale, ai do të vazhdojë të jetë i përqendruar në mbështetjen e saj. “Nuk mund ta mbroj botën, nuk mund t’i mbroj të gjithë, por mund ta mbroj vetëm Kosovën”, u shpreh DioGuardi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
