Jusuf Zenunaj

Jusuf Zenunaj: NE, ZBRITEM NGA MALET

Ne , zbritem nga malet tona,

në fushat ku s’kishte njeri,

shekuj e shekuj më vonë

ju erdhet nga Karpatet,

erdhet bashkë me stuhi !

Pushtuat arë, bjeshkë e vërri,

në maje shpatash e hanxharësh

ngulët gra e fëmijë,

me plumb e bomba, sofrat i bëtë hi.

Këngën vrastare, Bërnadiq,

këndoni edhe në shekullin 21 !!!

 

DIlbeek, më 2 qershor 2019

 

GËZUAR SIPARUNT

 

Gëzuar Pejë, Siparunti i vjetër

dita e çlirimit edhe shumë çka tjetër !

Si ndihet ,sot , Rugova që e ke si vetull

me trupin e tkurrur si asnjëherë tjetër ?!

E plisbardhi me shall si dëbora,

ç’thotë për Çakorrin që i iku nga dora ,

për fjalët për viza me vlerë sikur mizat ?!

Si ndihet bariu andej nga Podguri

edhe në Ishtedim na i është luajtur guri.

Kodër , lendinë, bjeshkë e mal

jo më shumë se 8200 hektarë…

 

J.Z. 16 qershor 2019

 

BASHKIMI KOMBËTAR

 

Me këta prijatarë,

Bashkim kobëtar

na u bë si në përrallë ! ?

Fjalët e mëngjesit

si lagshtia e vesës,

ato të drekës e të darkës

si dielli mbas shtrëngarës.

Dilbeek, më 30 maj 2019

 

KOHA E FABRIKAVE

 

Autostrada e rrugë

pakkund si te ne,

punëtorët shpresojnë

shpresojnë n’jetë të re.

 

Si shtegtarë “të vonuar ”

do të përshkojnë autostradën,

qoftë edhe një herë në vit

ditën, apo natën.

 

Shpresojnë xhepshtjrrurit

si kurrê më parë

se koha e fabrikave

tashti është në radhë .

 

Dilbeek , më 29 maj 2019

 

PUNTORI NGAZËLLUES

 

Me përzierëse në krah,

kush s’e shqetëson,

ditën e një majit

ngazëllues në punë shkon.

170 euro, jo më pak në muaj,

mendja nuk i shkon

t’ia mësyejë vendit të huaj.

Skelet pa mbrojtje

nuk e frikësojnë fare,

as ditëve me shi,

as në vapë të madhe.

 

J.Z. Dilbeek, maj 2019

 

NUK..

 

Nuk i buzëqesh mjegullës

për qejf të ujkut, as të dhelpres.

Nuk mallkoj rrugën që s’pati ura,

deshta dhe i dua kasollat

aq sa edhe kullat …

Shtegun e shkurtër kurrë s’ e zgjodha.

Si breshka nuk hapërova,

as si lepuri nuk vrapova…

 

Jusuf Zenunaj, Dilbeek, më 22 maj 2019

 

LULJA ÇELË EDHE NË PLEH

 

Një politikan doli këmbë në qytet

bashkë me t’shoqen e fëmijët e vet.

Vajza i kërkoi akullore ,

pa marrë përgjigje nga i ati,

drejt te i varëfëri mori vrapin,

nê dorë ia lëshoi ca lekë plakut,

mbrapa u kthye me uratën.

Tek i ati gjet shamatën !?

Lekët n’tokë i bien varfnjakut,

me zë të shtjerrur thirri,

kundër vajzushës zëri mos e ngreh !

Të gjithë lekët që kam , ja ku i ke,

lulja çelë edhe në pleh !!!

 

Dilbeek, më 13 maj 2019

 

UDHËHEQËSIT TANË

 

Kush tha se udhëqësit i kemi pa shkollê ?!

Xhepat s’i mbushin me një dorê.

Kur u lodhet njëra, mbledhin me tjetën;

mendjen s’e paten vetëm për veten,

menduan për nipin, s’e harruan mbesën,

për dy-tri gjenerata varg e vijë,

asnjëri n’politikë kot nuk ka hy…

 

Dilbeek, më 11 maj 2019

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …