KADRI REXHA: BUKA E GATUAR ME MIELL TË MYKUR NUK HAHET

( Vështrim për filmin dokumentar “Marsi i thyer”, shfaqur nga RTK, realizuar nga ekipi në krye me gazetarët: Baton Haxhiu dhe Andi Bushati )

Ngjashëm si dikur në filmat e Zh.Mitroviqit, filmi dokumentar hapet me prolog. Një fshatar i vetmuar, grindavec, gjaknxehtë dhe i padurueshëm ankohet zëshëm, mallkon dhe gjestikulon ashpër. Simbolika, sipas logjikës së Azem Vllasit: Fshatarët, pjesa rurale, shtresat e varfëra, së bashku më fëmijët e tyre injorantë, me paudhësitë e tyre e thyen marsin në mes, na larguan nga sofra e të Madhit, nga bashkim-vëllazërimi dhe nga parajsa e kësaj bote. Pra, në vend që të jetojnë në parajsë, me Beogradin, ata alternativë të vetme zgjedhin Tiranën, fundin e ferrit të kësaj bote. 


Në orët e vona të së shtunës së 11 marsit 2006, RTK-ja shfaqi filmin dokumentar me titull simbolik “Marsi i thyer” të autorëve Baton Haxhiu dhe Andi Bushati, kushtuar demonstratave mbarëpopullore të Kosovës që filluan më 11 mars të vitit 1981. 
Filmin dokumentar e prita me padurim dhe me bindje të arsyeshme se, më në fund, tashti, pas një çerek shekulli, në jubileun e tyre, do ta shoh një vepër të mirëfilltë autentike, një dokumentar me vlerë të qëndrueshme për demonstratat e marsit-prillit 1981, të cilat, asokohe, e tronditën botën dhe hapën horizonte të reja si asnjë ngjarje tjetër e gjysmës së dytë shekullit të fundit. Dhe në fund, kur filmi mbaroi, mbeta edhe gjatë kohë në pozitën siç isha, ashtu ulur, i kapluar nga mendime gjithfarëshe, i zhgënjyer, i vrarë në shpirt dhe i fyer sa nuk bën. 
Në vend të një vepre që evokon një epokë të lavdishme të historisë sonë, në vend të një vepre përmendore kushtuar Motit tonë të Madh dhe veprës së lartë të studentëve tanë, lules së trimërisë së asaj kohe, dokumentarin në fjalë e përjetova si një gjyq të pashembullt, të autorëve dhe RTK-së, kundër demonstratave dhe kundër mbarë epokës që do të vijë më vonë. Thuaja se nuk më kishin mjaftuar fyerjet, poshtërimi dhe dhuna serbe gjatë tërë jetës. 

Nuk u tha asnjë fjalë për pabarazinë, për shkeljen e çdo të drejte shqiptare 

Syzheu i filmit: Ngjashëm si dikur në filmat e Zh.Mitroviqit, filmi dokumentar hapet me prolog. Një fshatar i vetmuar, grindavec, gjaknxehtë dhe i padurueshëm ankohet zëshëm, mallkon dhe gjestikulon ashpër. Simbolika, sipas logjikës së AZEM VLLASIT: Fshatarët, pjesa rurale, shtresat e varfëra, së bashku më fëmijët e tyre injorantë, me paudhësitë e tyre e thyen marsin në mes, na larguan nga sofra e të Madhit, nga bashkim-vëllazërimi dhe nga parajsa e kësaj bote. 
Skena plotësohet në vijim: bijtë e fshatarëve, pra rinia rurale, evokojnë mbi derdhjen e pjatës me pasul në mensen e studentëve, mbi fillimin e rrëmujës së studentëve dhe mbi daljen e studentëve në rrugë, ku në mes të tjerash, kërkojnë që Kosova të bëhet Republikë. Pra, në vend që të jetojnë në parajsë, me Beogradin, ata alternativë të vetme zgjedhin Tiranën, fundin e ferrit të kësaj bote. Përballë fshatarëve, pra elementit rural, autorët e filmit vënë prijësit e dikurshëm të popullit si dhe bijtë e tyre inteligjentë, të shkolluar, të kulturuar, të hareshëm dhe të buzëqeshur. Thonë: ishim të befasuar me demonstratat e studentëve dhe me revoltën e popullit. Me fjalë të tjera: studentët nuk kishin kurrfarë arsyeje që të ngritin kokën sepse asokohe në Kosovë gjithçka lulëzonte. Dinarë kishte mjaft, bile edhe marka, vila luksoze, vetura të reja, shporeta, televizora kolor, qejfe sa të duash, studime në qytete të mëdha, punë përjashta Kosovës, zhvillim të kulturës, të letërsisë, të muzikës, e kështu me radhë e kështu me radhë. Por, ranë demonstratat, e hidhëruan Zotin, atje lartë në Olymp, dhe të gjitha u ndërprenë si me thikë. Dështoi programi për ndërrimin e kombit nga ai shqiptar në kosovar ose në jugosllav, dështoi ndërrimi i gjuhës nga gjuha e unifikuar në kosovarishte (gegërishte), dështoi ndërrimi i flamurit, dhe, më në fund, dështoi programi që Kosova pahetueshëm të bëhet krahinë e thjeshtë e Serbisë, si Vojvodina. 
Pra, Marsi u thye. 
Gjithçka mbeti në gjysmë. 
Na lanë me gisht në gojë. 
Medet, çka na gjet. 

Filmi, me materialin që e solli, është i padenjë që ta arsyetojë shfaqjen e vet. Aq më pak të arsyetojë shënimin jubilar të demonstratave të marsit të vitit 1981. Lidhur me shpërthimin e demonstratave asnjë fjalë nuk u tha për shkaqet ekonomike, asnjë fjalë për plagët e rënda sociale, asnjë fjalë për shkaqet politike, asnjë fjalë për shkaqet historike dhe asnjë fjalë për shkaqet kombëtare. Nga materiali i prezentuar fitohej përshtypja se gjithë ajo furtunë që e kishte përfshirë Kosovën kishte zbritur nga qielli, për së kthjellëti. Politikanët e kohës, si dikur para padronit të tyre, i rrudhnin krahët. Vallë, në cilin dimension, në cilën shtresë të qiellit, në cilën planet kishin jetuar asokohe, kur edhe fshatarët, duke prashitur në ara, me shqetësim të papërmbajtur e kishin ndier se si po i përgatitej qefini Kosovës, si po i bëhej gjëma mbarë një populli? 
Paturpësisht, edhe sot, me bindje të plotë, ata pohuan se ishim të befasuar, nuk kishim fare shenja se do të shpërthenin demonstratat. MAHMUT BAKALLI, për të arsyetuar qëndrimin e vet të padenjë të dikurshëm (thënë më së buti), shkaqet e demonstratave i gjente në implikimin e agjenturave dhe të faktorit të jashtëm, kurse tjetri, Vllasi, në mendjelehtësinë e rinisë dhe të popullatës rurale, të fshatarëve të varfër, tek katundarët që verbërisht e donin Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. 
Asnjëri prej udhëheqësve të dikurshëm nuk e zuri në gojë vlimin e shovinizmit serbomadh dhe përgatitjen tyre për kryqëzata antishqiptare. 
Asnjëri nga ta nuk e tha se çfarë strategjie kishin përgatitur kundër shovinizmit serb, si prijës të popullit që ishin. Asnjëri nga ta nuk e tha asnjë fjalë për të ashtuquajturin “Libri i Kaltër”. Nuk u tha asnjë fjalë për pabarazinë, për shkeljen e çdo të drejte shqiptare, asnjë fjalë për diferencat e mëdha ekonomike, për mungesat e mëdha të artikujve ushqimor dhe të amvisërisë, të krijuara qëllimisht ndaj shqiptarëve. 
Nuk u tha asnjë fjalë për burgosjet masive të shqiptarëve: asokohe, në prag të demonstratave, mbi 2000 shqiptarë atdhetarë dergjeshin nëpër hetuesitë dhe burgjet e Jugosllavisë. 
Nuk u tha asnjë fjalë për burgosjen e veprimtarëve kryesorë të organizatës patriotike ilegale- LNKVSHJ- në vitin 1975, 1979 dhe 1981. 
Nuk u tha asnjë fjalë për veprimtarinë kombëtare të organizatës patriotike OMLK, e cila vepronte masovikisht dhe kishte depërtuar në çdo pore të Kosovës. 
Nuk u tha asnjë fjalë për veprimtarinë e organizatës PKMLSHJ. 
Bakalli e Vllasi e kishin thënë të veten qysh në vitin 1981 
Asgjë nuk kishte pikur nga qielli. 
Deri në vitin 1980, mbi 50 organizata patriotike për platformë të veprimit dhe të luftës së tyre kishin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Populli shqiptar ishte arsimuar, ishte pjekur dhe kishte arritur në shkallën e vetëdijësimit se padrejtësisht ishte ndarë nga trungu i atdheut, Shqipërisë mëmë. 
Populli shqiptar e kishte kuptuar tradhtinë e serbëve menjëherë pas LDB-së, kur në Prizren u shkel me të dy këmbët lufta dhe vullneti shekullor i shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera në Jugosllavi të sanksionuara në Rezolutën e Bunjajt. 
Baballarët e studentëve të viteve të stuhishme të demonstratave me jetën e vet kishin provuar flakën e ferrit serb, të PKJ-së dhe të UDB-së. 
Kishin provuar gjyqe të montuara dhe vrasje të kurdisura në kufirin me Shqipërinë, kishin provuar kolektivizimin, aksionin për mbledhejen e armëve, i vetmi si i tillë në Jugosllavi, presionin për çkombëtarizimin e shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre me dhunë në Turqi dhe në vise të tjera të botës. 
Sëbashku me fyerjet dhe me poshtërimet e padurueshme ata kishin provuar edhe dhunën mbi emrin shqiptar, edhe dhunën mbi gjuhën, mbi flamurin, e kështu me radhë. 
Dhe, të gjitha këto për “prijësit” tanë nuk ishin kurrëfarë shenjash se do të shpërthenin revoltat e masave të gjëra, revoltat e popullit mbarë. 

Në verën e vitit 1979, në një vizitë pune që ua bëri shkrimtarëve në pushimorën e Deçanit, Fadil Hoxha, duke i lutë për kujdes, që të mos nxisin popullin me krijimet e tyre, në mes tjerash, e thotë edhe këtë profeci: Për t’u bashkuar Kosova me Shqipërinë duhet të shkojnë së paku 200 mijë shqiptarë. Shkrimtarët të shtëndosur do të pëshpërisin: “Nuk qenka tagër e lartë kjo, gjeneratat, edhe ashtu, duke u tërhequr zvarrë do të vdesin njëra pas tjetrës si skllavë të zgjebosur. Të dalim nga zgjedha serbe se humbjet, sado të mëdha, do të kompenzohen me kohë”.
Kardeli, një ndër funksionarët më të lartë jugosllav, kishte kohë që kishte ardhur në këtë përfundim për të të çuditshëm: “I kuptoj shqiptarët e Kosovës që i duartrokasin Shqipërisë kur luan futboll me Jugosllavinë, por çuditëm pse shqiptarët duartrokasin gjithmonë për kundërshtarin e Jugosllavisë”. 
E kuptonte ai bërthamën e gjithë kësaj apo jo kjo tashti nuk ka rëndësi. Rëndësi ka se shqiptarët, si komb i narë me dhunë, si popull i shkallës së fundit në Jugosllavi, e kishin vra frikën njëherë e përgjithmonë, dhe, me guxim e me ngulm, me sakrifica deri në vdekje, po e kërkonin të drejtën e vet të patjetërsueshme për t’u bashkuar me pjesën tjetër të Atdheut. Ato që ende i dërdëllisë Vllasi mbi stalinizmin e rinisë së Kosovës le t’i mbanë në ndërgjegjen dhe në nderin e vet, nëse në vena i ka mbetë hala diçka nga gjaku i të parëve. Shqiptarët e robëruar kishin halle të tjera, të rënda sa malet me borë. 

As organizatorët dhe as analistët, personazhe të këtij dokumentari, nuk i shkoqitën shkaqet e vërteta të shpërthimit të demonstratave. Duket sheshit se ky edhe ishte qëllimi i autorëve të filmit. Filmi dokumentar, si çdo film tjetër, ka skenar. Dhe, sipas skenarit kërkohet edhe realizimi i filmit. 
Të dy protagonistët e filmit, udhëheqësit e lartë të dikurshëm, e kishin thënë të vetën qysh në vitin 1981. MAHMUT BAKALLI, në konferencën për gazetarë, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave dhe vetëm pak ditë para se ta detyrojnë të japë dorëheqje, në pyetjen e një gazetari se si u pritën demonstratat nga populli, do të përgjigjet: “Populli i ka pështyrë demonstruesit”. Ndërsa tjetri, AZEM VLLASI, prototip tipik i Kainit, me zellin më të madh, për tetë vjet rresht, me topuz në dorë, si murtajë e zezë, do ta shkelë, do ta shkatërrojë dhe do ta poshtërojë popullin e vet deri sa, më në fund, padroni do të shpërblejë me të njëjtën dhuratë të bashkëkombësve të tij, burgun. 
Pra, me personat, si këta, që ende qëndrojnë në mendësinë e “kohës së artë të tyre”, që ende janë të bindur se gjatë karrierës së tyre politike kanë bërë vepra të mëdha për mbrojtjen e popullit dhe të kërkesave të tij, që ende janë të bindur se vepra e tyre ishte pozitive dhe se për këtë duhet të dekorohen me “myhyrin e patriotit”, pra, me persona të këtillë muk mund të bëhet diç për të qenë e të mos flasim se mund të bëhet film dokumentar mbi demonstratat e vitit 1981. 
Me miell të mykur nuk bëhet bukë, por edhe nëse bëhet ajo bukë nuk hahet dot.

Kontrolloni gjithashtu

Nën patronatin e kryeministrit Haradinaj sot bëhet rivarrimi i heroit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit, Hazir Malaj

Më 9 maj të vitit 1998, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, …