Kadri Rexha: Demonstratat e vitit 1981 si Referendum i shkruar me gjak

 


Më 11 dhe më 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat nga studentët në Universitetin e Kosovës. Vetëm pas pesë ditësh, më 1 e 2 prill, si edhe gjatë ditëve të tjera të atij muaji, demonstratat e para u pasuan me demonstrata të reja. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm, si deti në baticë, dhe kështu zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstrata masive u ngrit Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Besiana, Drenasi, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Kaçaniku, Theranda, Lypjani, Kastrioti dhe pothuajse të gjitha lokalitetet e Kosovës. Në demonstrata morën pjesë studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë etj. të cilët kështu formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Përveç kërkesave ekonomike, demonstruesit shtruan edhe kërkesa politike, duke kërkuar liri dhe të drejta demokratike. Në kuadër të së drejtës së ligjshme të popujve për vetëvendosje, përmes demonstratave në rrugë, populli i Kosovës kërkoi statusin e republikës në kuadër të federatës jugosllave.


 Në vazhdimësinë e përpjekjeve, luftërave dhe qëndresës shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, demonstratat e pranverës së vitit 1981 shënojnë njërën ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, ato shprehin sintezën e vetëdijes dhe virtyteve më të larta morale e patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, pra, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptar e hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re.


Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen si protesta mbarëpopullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme shtatëdhjetëvjeçare që mbretëronte në Kosovën e ndarë me dhunë nga trungu i atdheut, në Kosovën e pushtuar, në Kosovën e robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb. Demonstratat ishin rebelim dhe kryengritje e një populli kundër shtypjes kombëtare, kundër diskriminimit social dhe shoqërorë, kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore dhe të trajtimit të Kosovës si burim lëndësh të para, apo thjeshtë, si zonë koloniale serbe… kundër varfërisë dhe mjerimit të skajshëm të popullit, kundër padrejtësive thelbësore politike dhe ekonomike, kundër zbatimit të gjenocidit dhe të papërspektivës kombëtare të popullit shqiptar.


Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu dasht të kalojë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegëjeve të katundeve dhe shkretërimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të çkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare…


Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk ishte as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshet Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor të Hyjit ilyrian dhe me bekimin hyjnor të Zotit fuqiplotë. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhë fundi, atëherë kur një popull kishte ardhë në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia i tejkalon të gjitha vlerat e kësaj bote, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta.


Populli shqiptar nëpërmjet demonstratave të vitit 1981, nëpërmjet qëndresës heroike dhe demonstratave të tjera të përgjakshme që do të pasojnë nga viti në vit, deri në epokën e lavdishme të UÇK-së, kur me vendosmëri ia ktheu pushkën Serbisë, bindi mbarë botën liridashëse se pa zgjidhjen definitive të problemit shqiptar në mënyrë pozitive kurrë nuk do të ketë paqe dhe qetësi në rajon e as në Evropë. Duke u bërë ballë në mënyrën më të qytetëruar të gjitha kryqëzatave mesjetare dhe moderne serbe, që qëllim të fundit kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta dhe serbizimin e Kosovës, populli shqiptar fitoi jo vetëm admirimin e njerëzve liridashës, por edhe përkrahjen e pa rezervë të opinionit ndërkombëtar.


   Pra, demonstratat e vitit 1981, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …