Brickos

Kadri Rexha: KENI THËNË: JO – MBAJENI FJALËN!

 


Udhëheqës të Popullit!
Kosova sot është para një rreziku të ri të copëtimit.
Këtë rrezik sot po e sheh qartë i madh e i vogël.
Dhe shqetësimi i popullit është shumë i arsyeshëm.
Keni folur shumë. Jeni mburrur shumë. Keni premtuar shumë…
Më plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund vuajtjet edhe lufta e tij mbi njëshekullore u kuptuan nga fuqitë vendim marrëse.
Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund vuajtjet dhe lufta e tij do të shpërblehen drejt. Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund Evropës i erdhi rasti ta korrigjojë gabimin e vet të bërë në Londër në vitin 1913.
Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund vuajtjeve të tij mbi njëqindvjeçare u erdhi fundi.
Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund dhuna, shfrytëzimi i egër, burgosjet, vrasjet, shpërnguljet dhe robëria e shumëfishtë serbe, tashti e tutje do t’i takojnë të së kaluarës së hidhur të tij, historisë. Populli shqiptar me plot të drejt mendoi se në trojet e tij edhe ashtu të zvogëluara tej mase nuk do të përsëritët më fati i zi i mbi gjashtëqind fshatrave të Sanxhakut të Nishit dhe ai i Çamërisë fatmjerë, se nuk do të përsëritët më fati i mjerë i Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe i Medvegjës, se nuk do të përsëritët më kasaphana dhe eksodi biblik i viteve 1998 dhe 1999.
Populli shqiptar është lodhur dhe nuk ka nga t’ia mbajë më.
Vetëm në këto njëzet vitet e fundit u bënë copë e grimë të gjitha trevat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, të gjitha trojet shqiptare që lidheshin me trungun e Kosovës. Deri sa në njërën anë, në emër të decentralizimit, gjakësorja Serbi shpërblehet me territore të reja shqiptare si komuna, zona ekonomike, zona industriale, zona kulturore dhe zona historike, në anën tjetër, në emër të pavlerëshmërisë së kufijve të Evropës së Bashkuar, trojet shqiptare u ndan me kufij të ri nga fqinjët tanë sllavë. Ku është sot Lugina e Preshevës? Ku është Ilirida? Ku është Veriu i Kosovës? Ku është Debëlldeja? Ku është Plava dhe Gucia? Ku është Malësia e Madhe dhe Ulqini?
Nën maskën e demokracisë, me kombin tonë u eksperimentua në mënyrë perfide. Nën kujdesin e ndërkombëtarëve dhe me përkrahjen Tuaj të pa rezervë, substanca kombëtare po pjesëtohet dhe po shkapërderdhet pamëshirshëm. Kombi shqiptar u godit nga të gjitha anët në gjërat më të shenjta, edhe aty ku nuk guxon të preket asnjë komb.
Në radhë të parë Kosovës iu mohua lufta çlirimtare. Ndërkombëtarët, me qëllime të caktuara, luftën tonë e kualifikuan si konflikt ndëretnik dhe pati përpjekje që kësaj lufte t’i japin edhe ngjyra fetare. U heshtën krimet shekullore të Serbisë. U heshtën planet dhe programet shtetërore serbe për dëbimin e shqiptarëve dhe serbizimin e trojeve të tyre. U hesht, më në fund, lufta e shenjtë serbe, lufta e “tokës së djegur” për shfarosjen definitive të shqiptarëve! Sipas kësaj logjike, edhe me ndihmën Tuaj, Kosovës iu shanë, iu njollosën, iu vranë dhe iu burgosën thuaja të gjithë komandantët e luftës çlirimtare. Gjithnjë sipas kësaj logjike ushtrisë së dalë nga lufta në fillim iu zhbë emri i saj i lavdishëm për ta shpërbërë sot sikur të mos kishte ekzistuar fare.
Mbi një milion mërgimtarëve shqiptarë iu pamundësua riatdhesimi në kohën kur edhe refugjatëve serbë të ikur nga hapësirat jugosllave iu garantohet e drejta e qytetarit të Kosovës, puna dhe shtëpitë falas. Edhe me ndihmën Tuaj u rrënua bujqësia dhe ajo pak industri që shpëtoi nga lufta. Në emër të privatizimit me mijëra punëtorë u hodhën në rrugë.

Me qëllim të krijimit të pakënaqësisë në popull, me qëllim të shkatërrimit të ekonomisë vendase, si dhe me qëllim të hajnisë dhe pastrimit të parave gjiganti energjetik i Kosovës shërbeu si vend ku u luajtën lojërat më misterioze.
Për nëntë vjet rresht u arrit të bëhet fakt i kryer ndarja e Kosovës veriore si dhe zona kufitare me Maqedoninë.
Gjatë kësaj kohe, edhe me bekimin Tuaj, në hartën e Kosovës u krijuan enklava dhe komuna të reja të popullatës serbe si dhe u uzurpuan mijëra hektarë toke në emër të zonave mbrojtëse rreth kishave ortodokse.
Për nëntë vjet rresht, në emër të statusit të ri të Kosovës, shqiptarëve iu ndërrua përkatësia kombëtare, iu ndërrua flamuri dhe himni kombëtar, me një fjalë iu ndërrua identiteti mijëravjeçarë. Një shembull i këtillë nuk njihet kund në botën e qytetëruar. Më në fund, kërkesës së ligjshme të popullit për vetëvendosje me referendum, së bashku me ndërkombëtarët, iu përgjigjet me dhunë policore dhe skuqët rrugët me gjakun e dëshmorëve të ri.

Jeta, që po e gëzojmë pas luftës së fundit Kosovës i kushtoi mbi 250 shekuj dergjjeje të rinisë shqiptare nëpër burgjet mesjetare serbe, mbi dy milionë shqiptarë të shpërngulur përgjithmonë në Turqi dhe në vise të tjera të botës, mbi gjysmë milioni shqiptarë të vrarë dhe të masakruar, mbi 35.000 vajza dhe gra të dhunuara, një eksod milonësh ndër më të përgjakshmit gjatë historisë njerëzore, disa herë e djegur me themel dhe e ringjallur sërish nga hiri dhe thuaja një shekull eksploatim të egër kolonialist.
Për hir të ardhmërisë ky tagër i llahtarshëm nuk guxon të harrohet.
Për hir të gjeneratave të ardhshme ky det gjaku nuk guxon të shkelet.

Udhëheqës të Popullit!
Plani i Ban Ki Mun-nit prej gjashtë pikave, më në fund, ua hapi sytë.
E keni thënë JO-në e madhe dhe mbajeni fjalën!

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …