Kadri Veseli: Peticioni për Astrit Deharin nuk iu ka drejtuar Kryesisë së Kuvendit

Kadri Veseli: Në pozitë, ose opozitë, shteti për mua është njësoj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha sot në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për tarifën ndaj Serbisë, se qasja konfrontuese e kryeministrit Albin Kurti me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke e dobësuar Kosovën në raport me Serbinë, ende pa filluar dialogu.  Lideri i opozitës tha se shenjtërinë e këtyre marrëdhënieve të Kosovës me partnerët strategjikë, të ndërtuar me dekada, Albin Kurti është i gatshëm ta rrënojë brenda ditësh. “Madje, duke instaluar edhe frymën anti-amerikane te qytetarët, ai po ia sjell Kosovës rrezikun më të madh të mundshëm, që as Serbia nuk ka mundur ta bëjë. E ardhmja e shtetit të Kosovës, e cila është e pasigurt dhe e rrezikuar me këtë koalicion dhe me Albin Kurtin Kryeministër”, tha Veseli në fjalimin e tij.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Të dashur qytetarë,

Në janar të vitit 2019, me një draft-dokument, unë kam propozuar pezullimin e taksës për 120 ditë, për t’i dhënë mundësi arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjatë kësaj periudhe kohore.

Nëse nuk do të arrihej marrëveshja, do të rikthehej taksa dhe do të vendosej reciprocitet i plotë.

Arsyeja e vendosjes së taksës ishte legjitime, që të mbrohemi nga agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës.

Por, edhe atëherë, sikurse edhe sot, taksa kërkohej të hiqej me insistim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kishte të bënte drejtpërdrejt me mundësinë e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishte dhe është shqetësim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë po i japin mundësi Rusisë për influencë në Evropë.

SHBA-të kanë investuar në këtë rajon dhe janë autoriteti më i lartë dhe më legjitim.

Kjo ishte arsyeja pse atëherë propozova suspendimin e taksës.

Pra, me këtë veprim, Kosova do t’i mbronte interesat e saj, do ta kthente sërish avantazhin e saj ndërkombëtar përballë Serbisë, si dhe më kryesorja – do t’i ruante marrëdhëniet me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me arritjen eventuale të marrëveshjes, Kosovës do t’i hapej perspektiva euro-atlantike, do ta fitonte ulësen në OKB, do të përmbyllej shtetësia, dhe më e rëndësishmja – gjeneratave të ardhshme do t’u hiqej barra e së kaluarës.

Më duhet ta them se askush në këtë sallë, asnjëra parti, nuk e pat përkrahur këtë propozim timin dhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

Populizimi dhe llogaritë elektorale ishin gjithçka. Harrohej se shteti është përtej individit, partive dhe tekave të tyre. Prej atëherë, Kosova dhe qytetarët e saj kanë humbur shumëçka.

Përveç izolimit – edhe liberalizimit, edhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës prekën pikën më të ulët. Për shkak të kalkulimeve për pushtet dhe mungesës së veprimeve të mençura.

Nëse nuk keni harruar, njësoj pat ndodhur edhe me demarkacionin.

Sot, një vit pas, Vetëvendosje dhe LDK po e kërkojnë gati të njëjtën gjë që unë e kisha propozuar për taksën.

Çfarë ndryshoi? Bota apo pozicioni i tyre politik? Por, pse ky ndryshim tash?

Duan të tregohen të përgjegjshëm përballë vendit, apo janë të shtrënguar të veprojnë kësisoj – që ta ruajnë me çdo kusht pushtetin e tyre?

Kam frikë se ky është morali i kësaj politike.  Në opozitë, ia vënë flakën vendit. Në pushtet, tregohen gjoja të përgjegjshëm.

E vërteta është – dhe këtë e dimë të gjithë – se Qeveria e kaluar ka rënë pikërisht nga taksa. Edhe kjo Qeveri mund të bjerë pikërisht nga taksa.

Të nderuar qytetarë,

Kur kisha përgjegjësi institucionale, unë mora qëndrim të qartë për pezullimin e taksës.

Edhe sot, kur jam në opozitë, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës kemi të njëjtin qëndrim.

Nuk e kam ndërmend të ndryshoj, pavarësisht nga pozicioni i të qenit në pushtet ose në opozitë.

E ky është një dallim i madh mes meje dhe këtyre që sot kanë pushtetin.

Është një dallim i madh mes meje dhe tyre se si e kuptojmë përgjegjësinë ndaj shtetit, qytetarit tonë.

Në pozitë, ose në opozitë, shteti për mua është njësoj.

Taksa ishte dhe mund te jetë interes vetëm kur i kundërvihet agresivitetit të shtetit serb.

Nuk ishte dhe nuk është kundër serbëve.

Dhe, asnjëherë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve tanë perëndimorë.

Ditëve te fundit, po shohim skenat e këtij koalicioni për heqjen e taksës.

Edhe sot nuk janë te sinqertë me qytetarët.

Njëra palë kërkon heqje të menjëhershme të taksës, ndërsa pala tjetër heqje të pjesshme.

Këto sjellje, në fakt, kanë nuanca hipokrizie.

E vërteta është se ata ose duhet t’i dëgjojnë SHBA-të, ose të përgatiten për humbjen e pushtetit. Rrugë të mesme nuk ka.

Të nderuar qytetarë,

Dialogu me Serbinë është tema më e abuzuar në politikë-bërjen tonë. Është bërë streha e çdo marrëzie politike.

Sharjet më të mëdha dhe damkimet më të rënda kanë ndodhur për këtë çështje.

Dhe, Vetëvendosje, si opozitë, ishte e specializuar në këtë manipulim.

Sot, me vetëm pak javë pushtet, kreu i saj, po e lë namin me qëndrimet që po i ndryshon vazhdimisht.

As mosbesuesit më të mëdhenj nuk do e kishin pritur këtë kapërcim.

Por, vetë-demaskimi i tillë i tij, sa është fat, aq është edhe rrezik për qytetarët dhe shtetin.

Është fat, sepse kauzat e tilla të rrejshme, të cilat e kanë izoluar vendin dhe e kanë lodhur qytetarin, po shplohen me lehtësi dhe shpejtësi.

Është rrezik, sepse me një Kryeministër të tillë të paqëndrueshëm, Kosova në sfidat që e presin mund ta humbë atë që ka arritur deri më tash.

Por, unë sot nuk dua të flas për të kaluarën e tij, e cila është e mbushur me premtime të mëdha, e të shkelura brutalisht pastaj, e as për dietën e tij të parimeve.

Konvertimi i tij – nga një mohues i të gjithëve në një mohues të vetvetes – është çështje e tij, tekefundit. E moralit të tij politik. E personalitetit të tij të paqëndrueshëm.

E një njeriu që dikur i akuzonte të tjerët për tradhti, e sot po e tradhton pandalshëm edhe vetveten.

Sot, me këtë nuk dua të merrem fare!

Sepse, ballafaqimin – ai do ta ketë të pashmangshëm me qytetarët që i ka mashtruar dhe po i mashtron.

Në fund, ata do t’ia shkruajnë diagnozën politike.

Nuk dua të flas as për të tashmen e tij, që është tërësisht e paqartë.

Por, ajo që brengos është – e ardhmja.

E ardhmja e shtetit të Kosovës, e cila është e pasigurt dhe e rrezikuar me këtë koalicion dhe me Albin Kurtin Kryeministër.

Duke qenë i paparashikueshëm në veprimet e tij politike, frika për dëmin që mund t’ia bëjë vendit, kur të vijë koha e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, është e paevitueshme.

Shqetësimi ynë i madh, që hap shumë pikëpyetje për qasjen e Kryeministrit të paqëndrueshëm, është serioz!

Sepse, qëndrimet e tij të paradites – nuk janë ato të pasdites.

Sepse, besimi në të është shembur. Me meritën e tij.

Si do të reagojë ai në ballafaqimin me Serbinë?

Si do të reagojë ai me Zajednicën të nënshkruar nga partneri i tij aktual?

A do të thotë në mëngjes se ajo është e papranueshme, ndërsa  në mbrëmje ta pranojë atë, siç na mësoi nga sjellja e tij gjatë këtyre muajve të fundit?

Me kë do të jetë partner ai, si Kryeministër i Kosovës në ballafaqim me Serbinë armiqësore?

Qasja e tij konfrontuese me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke e dobësuar Kosovën në raport me Serbinë, ende pa filluar dialogu.

Shenjtërinë e këtyre marrëdhënieve të Kosovës, të ndërtuar me dekada, Albin Kurti është i gatshëm ta rrënojë brenda ditësh.

Madje, duke instaluar edhe frymën anti-amerikane te qytetarët tanë, ai po ia sjell Kosovës rrezikun më të madh të mundshëm, që as Serbia nuk ka mundur ta bëjë.

Por, këtë s’do t’ia lejojmë.

Ashtu siç nuk do t’ia lejojmë rrënimin e Kosovës përballë Serbisë.

Aty ku vlerësojmë se e ardhmja e këtij shteti, interesi i përgjithshëm i këtij shteti, po rrezikohet, Partia Demokratike e Kosovës do të veprojë ashtu siç ka vepruar gjithmonë, do ta mbrojë interesin e qytetarëve dhe të shtetit, përtej politikave partiake.

Partneritetet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më shumë se kurrë të domosdoshme.

Institucionet e Kosovës duhet ta këndellin veten shpejt dhe manipulimet e tilla, që e kanë dobësuar shtetin, e kanë stagnuar dhe izoluar atë, duhet të marrin fund.

Kjo që po ndodh me këta pushtetarë sot – është shembull se si nuk duhet të sillet askush nga ne me shtetin tonë.

Pozitë dhe Opozitë kanë obligim për ta çuar përpara shtetin.

Ne si opozitë do të veprojmë në kuadër të përgjegjësive tona.

Dhe, ju si pushtet – merrni përgjegjësitë që ju takojnë, merrni vendimet që duhet, mbani fjalët që keni dhënë, dhe mos e dëmtoni shtetin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …