Behajdin Myrteza Allaqi (7.4.1963 – 11.6.1998)

Katër figura të LPK-së kundërshtojnë versionin e Speciales për përplasjen Thaçi-Allaqi

Katër figura të lidhura me Lëvizjen Popullore të Kosovës, Ramadan Avdiu, Fatmir Brajshori, Bexhet Kelmendi dhe Ali Ahmeti, kanë kundërshtuar publikisht një pjesë të versionit të paraqitur në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara lidhur me raportet mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit. Në aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trupi Gjykues ka përshkruar një mosmarrëveshje serioze mes Allaqit dhe Thaçit, e lidhur edhe me çështjen e Shaban Shalës dhe zhvillimet brenda strukturave të LPK-së në vitin 1993. Por, persona që thonë se kanë qenë të pranishëm në takimet e asaj periudhe e kanë mohuar se ka pasur konflikt mes dy figurave. Ramadan Avdiu ka thënë se takimi në Kollare ishte konsultativ dhe se aty kishte pasur debate politike për mënyrën e organizimit, por jo përplasje personale. Ai ka theksuar gjithashtu se, me insistimin e Allaqit, Thaçi ishte përfshirë në grupin për organizimin e mbledhjes së ardhshme të LPK-së. Edhe Fatmir Brajshori ka bërë dallim mes debateve politike dhe një konflikti, duke mohuar se mes Thaçit dhe Allaqit kishte pasur përplasje apo përpjekje për ta larguar politikisht këtë të fundit. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Bexhet Kelmendi, i cili e ka mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë konflikti mes tyre. Ndërsa Ali Ahmeti, i cili më herët ka deklaruar se kishte dhënë dëshmi edhe para Prokurorisë së Specializuar, ka thënë se në takimin e Kollares nuk kishte pasur përplasje mes Thaçit dhe Allaqit dhe se Thaçi ishte ndër pjesëmarrësit më të rinj.

Kontrolloni gjithashtu

“Ndërhyrja e NATO-s nuk kishte lidhje me skandalin Clinton”

Gjenerali amerikan në pension Wesley Clark hodhi poshtë si “qesharake” pretendimin se ndërhyrja ushtarake e …