Tre vjet pasi Republika e Kosovës e shpalli organizatë terroriste të ashtuquajturën “Brigada e Veriut”, kërcënimet që lidhen me këtë grup nuk kanë pushuar. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Zubin Potok është iniciuar një hetim, pasi përmes rrjeteve sociale janë kanosur me jetë zyrtarë institucionalë. Rasti po trajtohet nga njësitet përkatëse policore. Sipas informacioneve, kërcënimet u janë drejtuar disa zyrtarëve policorë të angazhuar në sigurimin e lokacionit në fshatin Kalludër i Vogël, ku prej disa ditësh po zhvillohen gërmime mbi dyshimet për ekzistimin e një varreze masive. Të martën, në këtë lokacion u gjetën mbetje mortore njerëzore. Ndërkohë, autoritetet serbe njoftuan se në Kragujevc është arrestuar 46-vjeçari nga Istogu, Ranko Tepavac, nën dyshimin për spiunazh. Sipas Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Tepavac dyshohet se për vite me radhë i ka transmetuar informacione shërbimeve të inteligjencës së Kosovës lidhur me aktivitetet e pjesëtarëve aktualë dhe ish-pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë serbe, veçanërisht atyre nga Zubin Potoku. Po në këtë komunë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia arrestoi dy persona të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, M.J. dhe M.B. dyshohen se gjatë vitit 1999 kanë kryer krime ndaj popullsisë civile në rajonin e Mitrovicës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
