Ramë Shabani, një nga të mbijetuarit e Masakrës së Reçakut, është shprehur skeptik se gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte do të sjellë drejtësi për viktimat e masakrës së 15 janarit 1999. Shabani tha se për fillimin e procesit gjyqësor nuk ishte njoftuar nga institucionet dhe se lajmin e kishte mësuar përmes mediave, ndërsa nuk kishte marrë ftesë për të dëshmuar. Duke kujtuar ditën e masakrës, ai rrëfeu se forcat serbe granatuan shtëpinë ku ishte strehuar me familjarët, i nxorën jashtë, i rrahën dhe i dërguan në vendin ku më pas u ekzekutuan dhjetëra civilë shqiptarë. “Na shanë serbisht… unë arrita të ik në një teposhtë, ndërsa shtatë apo tetë persona që ishin pas meje u vranë”, kujton Shabani. Në mesin e viktimave ishte edhe vëllai i tij, Bajrush Shabani, së bashku me 11 kushërinj dhe më shumë se 30 bashkëfshatarë. Megjithëse e mirëpret nisjen e procesit gjyqësor, Shabani vlerëson se drejtësia nuk mund të jetë e plotë pa praninë e të akuzuarve në bankën e të pandehurve. “Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata nuk hyjnë më në Kosovë dhe pa qenë në bankën e të akuzuarve nuk mund të bësh asgjë”, tha ai. Sipas Shabanit, gjykimi në mungesë përbën të paktën një njohje institucionale të krimeve të kryera në Reçak dhe një përpjekje për të adresuar atë që ndodhi, edhe pse, sipas tij, nuk mjafton për të vendosur drejtësinë e plotë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
