KMDLNJ

KMDLNj: Qëndrimi dhe votimi dyfytyrësh i deputetëve për marrëveshjen me Danimarkën

Para një jave deputetët e Kuvendit të Kosovës e rrëzuan marrëveshjen për shitblerje të të burgosurve midis Danimarkës dhe Kosovës. Në ndërkohë, qeveria e Kosovës e riktheu në Kuvend këtë Marrëveshje raciste, të turpshme dhe diskriminuese që legalizon trafikimin me qenie njerëzore duke mundësuar në mënyrë kriminale zbatimin e standardeve të dyfishta të trajtimit të të burgosurve brenda një vendi. Qeveria e Kosovës, me përkrahjen klienteliste të deputetëve të joshur me privilegje pas zgjedhjeve të parakohshme, legalizoi dy standarde të të drejtave të njeriut për të burgosur, shumë të larta për të burgosurit e blerë nga Danimarka e që asnjëri nuk është danez kurse, fare modeste për të burgosurit kosovarë.

Po legalizohen dy sisteme korrektuese brenda një shteti që deklarohet i pavarur dhe sovran kurse, në anën tjetër e shesin një pjesë të territorit të Kosovës dhe sovranitetit për një afat 10 vjeçar. Për 10 vjet Burgu i Gjilanit, me hapësirën rrethuese do të konsiderohet territor ekstraterritorial ku institucionet e Kosovë nuk do të kenë qasje pa lejen e administratorit racist danez. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kosovarë do të zhvendosen në qendra tjera duke e rritur mbipopullimin e atyre qendrave dhe duke i bërë të vështirë vizitat familjare e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, mbështetur në standardet ndërkombëtare. Sot, po ata deputetë të Kuvendit të Kosovës, pa u krijuar asnjë rrethanë e re që do ta arsyetonte këtë votim, e votuan këtë Marrëveshje raciste dhe diskriminuese duke shkelur rëndë të drejtat e të burgosurve kosovarë dhe duke krijuar trajtim superior për të burgosurit e importuar nga Danimarka që janë të stigmatizuar në Danimarkë nga pozicioni racist për faktin se nuk janë danezë dhe kryesisht janë të besimit islam.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka negociuar këtë Marrëveshje nga pozita e të nënshtruarit duke mos e informuar publikun kosovar e as deputetët për përmbajtjen, pasojat dhe rreziqet që paraqet për sigurinë e vendit. Kjo marrëveshje është marrëveshje e territ, marrëveshje e korrupsionit, e pamoralshme, e bërë dhe e votuar nga persona të papërgjegjshëm që kanë të theksuar mungesën e integritetit profesional prandaj KMDLNJ thërret votuesit që të mendojnë mirë kur të votojnë në zgjedhjet, kurdo që ato do të mbahen. Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe trajtimit Degradues i Kombeve të Bashkuara ka gjetur shumë shkelje të mundshme të drejtave të njeriut prandaj ka kërkuar nga Danimarka që të mos e zbatojë Marrëveshjen. Për institucionet e drejtësisë të Kosovës, të hendikepuara skajshmërisht profesionalisht, kërkesa e OKB drejtuar Danimarkës nuk i bënë përshtypje sikur as deputetëve të Janusit të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka blerë votat e opozitës duke premtuar zgjedhje të parakohshme që paraqet korrupsion klasik dhe të dënueshëm. KMDLNJ- ë thërret familjet e të burgosurve të Burgut të Gjilanit të kundërshtojnë transferimin në qendra tjera e që e bëjnë kundër vullnetit të tyre sikur që edhe të burgosurit nga Danimarka po transferohen dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre.

KMDLNJ kërkon që të burgosurit kosovarë të kenë të drejta të njëjta, kushte të njëjta dhe trajtim të njëjtë me të burgosurit nga Danimarka. Nëse jo, atëherë ata duhet të kërkojnë realizimin e tyre duke përdorur të gjitha mjetet e lejuara në këto raste. Në realizimin e të drejtave të tyre duhet të përkrahen nga organizatat për të drejtat e njeriut, vendore dhe ndërkombëtare sikur edhe nga legjislatura e atëhershme e Kuvendit të Kosovës për të cilën KMDLNJ – shpreson të jetë më e përgjegjshme dhe më profesionale. Duke e kundërshtuar këtë votim klientelist dhe korruptiv të Marrëveshjes raciste dhe diskriminuese, KMDLNj ia kujton opinionit se faturat ndëshkuese do të vijnë shpejtë dhe do ta kenë një çmim të lartë për sigurinë dhe sovranitetin e vendit.

KMDLNj, që nga fillimi ka kundërshtuar këtë Marrëveshje dhe është angazhuar të mos votohet, gjithnjë në mbrojtje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria kosovarë sikur edhe të atyre fatkëqinjve që do të përzihen nga Danimarka shkaku i përkatësisë etnike dhe besimit. Me këtë votim Kosova po bëhet pjesë aktive e shkeljeve të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kriminelët serb

Prof. dr. Agim R. ZOGAJ: Rizgjimi i fashizmit serb

Lajthitjet e diplomacisë evro-perëndimore Mendimi politik shqiptar, veçmas në Kosovë, vazhdimisht e mbron pikëpamjen se, …