Komuna e Skenderajt subvencionon fermerët kultivues të mjedrës

Më qëllim të zhvillimit dhe përkrahjes së bujqësisë, edhe këtë vit Komuna e Skenderajt ka subvencionuar fermerët më mjedra dhe pajisje e preparate për kultivimin e saj.

Tashmë 30 fermerë të Skenderajt kanë përfituar nga subvencionimi në këtë fushë, duke shfrytëzuar mundësinë e kultivimit të mjedrës dhe rritjes se parcelave mbjellëse me mjedër.

Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural Musa Lushtaku ka sqaruar se përfitues të subvencioneve në bujqësi të ndara nga Komuna e Skenderajt janë 30 fermerë, të cilët kanë përfituar në mbjelljen e nga 20 ari me mjedër cilësore. Fermerët kanë përfituar nga 2000 fidane si dhe pajisje përcjellëse si: rezervuar uji, sistem të ujitjes, pleh artificial dhe pesticide.

“Edhe ne edhe fermerët jemi të kënaqur me cilësinë e fidaneve dhe me gjithë procesin e subvencionimit në këtë fushë, duke pasur parasysh edhe interesimin e madh dhe participimin e vetë fermerëve”, tha z.Lushtaku.

Komuna e Skenderajt në kuadër të rritjes së përkrahjes për bujqësinë këtë vit ka ndarë një shumë prej 45 mijë eurosh për këtë qëllim, ndërsa fermerët përfitues kanë participuar në vlerë të përgjithshme prej 9 mijë eurosh.

Në Drejtorinë e Bujqësisë shprehen shumë të kënaqur me cilësinë e fidaneve të mbjellura nga fermerët, si dhe me punën që po bëjnë ata në kultivimin e saj. Sipërfaqja e përgjithshme e bjellur me mjedër në Komunën e Skenderajt vetëm në këtë vit është 6 hektarë dhe të gjitha punët në procesin e mbjelljes kanë shkuar shumë mirë, sipas ekspertëve. Ata vlerësojnë lartë interesimin e fermerëve për kultivimin e mjedrës dhe zellin që kanë treguar ata në ndjekjen e trajnimeve që kanë pasur për qëllim aftësimin në kultivimin e saj.

Mjedra është produkt bujqësor shumë i kërkuar në tregun evropian dhe kultivimi i saj nga fermerët është shumë profitabil, por edhe krijon mundësi të punësimit në fermat individuale të fermerëve.

Në Skenderaj tashmë që disa vite funksionon edhe fabrika për përpunimin e bimëve mjekësore-natyrale, e cila ju siguron fermerëve kultivues shitje të sigurt të produkteve të kësaj natyre.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për takimin e dytë publik të Kryetarit Latifi

Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit, grupet e interesit dhe palët e tjera …