Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) organizoi në Prishtinë takimin e parë të Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, duke mbledhur përfaqësues të komunave, partnerë dhe organizata bashkëpunuese për të diskutuar prioritetet dhe sfidat në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal dhe koordinimi i politikave lokale, ku AKK-ja prezantoi aktivitetet dhe prioritetet e saj në mbështetje të komunave dhe avancimit të qeverisjes lokale.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e kolegjiumeve profesionale si mekanizma të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në nivel lokal dhe qendror.
Gjatë takimit u bë edhe konstituimi i udhëheqjes së Kolegjiumit, ku kryesuese u zgjodh znj. Jeta Rafuna, Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prishtinës, ndërsa zëvendëskryesues z. Sylë Dukolli, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua masave afirmative për subvencionet komunale në mbështetje të grave në bujqësi.
Në këtë kuadër, EcoKosWomen dhe Caritasi Zviceran prezantuan iniciativat dhe aktivitetet në zhvillim për fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale, ndërsa Komuna e Podujevës ndau përvoja konkrete nga zbatimi i politikave lokale në këtë drejtim.
Takimi u karakterizua nga diskutime konstruktive dhe frymë bashkëpunimi ndërmjet Komunave dhe partnerëve relevantë, me theks në nevojën për politika më efikase dhe mbështetje të qëndrueshme për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe komuniteteve rurale në Kosovë.