KOS-i kërkon nga “bashkëqytetarët” e Serbisë në Kosovë “falje të ndërsjellë”

 


“Sinodi i Shenjtë” i Kishës Ortodokse Serbe, ka lëshuar një deklaratë publike, në të cilën shqiptarët e Kosovës i konsideron “bashkëqytetarë” të Serbisë, duke kërkuar nga ata falje të ndërsjellë dhe pajtim. Kjo deklaratë, bëhet në kohën kur pritet të fillojnë negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Edhe pse deklarata e tillë është cinike dhe në esencë antishqiptare, shumë liderë dhe politikanë të Kosovës e kanë vlerësuar si hap të guximshëm dhe të drejtë të Kishës serbe, për pajtim. Sinodi i Kishës serbe përmes deklaratës publike për “pajtim të ndërsjellë me shqiptarët”, bën përpjekje për të fshehur të gjitha të ligat dhe të zezat, që i ka ideuar dhe i ka realizuar gjatë gjithë shekujve kundër shqiptarëve. Ata shqiptarë të vendit tonë, që janë të informuar, ata që e njohin aktivitetin shovinist, okupator dhe antishqiptar të kësaj kishe, nuk habiten fare me këtë ofertë djallëzore të KOS-it. Habit vetëm fakti sa shpejtë bien në karreme të tilla njerëzit tanë, sidomos portparollët e Qeverisë dhe ndonjë sharlatan tjetër politik, apo ndonjë deputet kokëgdhe, që nuk logjikon me kokën e tij, ose logjikon mbrapshtë, në mungesë të dijes elementare për të komentuar një deklaratë publike, e cila mban emrin “ofertë për pajtim të ndërsjellë të bashkëqytetarëve”, duke i konsideruar shqiptarët e Kosovës, bashkëqytetarë të Serbisë dhe duke iu bërë thirrje për pajtim, pasi paraprakisht i konsideron bashkëfajtorë. Kjo shëmti e njerëzve tanë është e pafalshme, sepse nxjerrë në sipërfaqe paditurinë dhe shpirtin skllav të tyre.
Kisha serbe, e njohur tashmë në krejt botën për qëndrimin e saj ekskluziv dhe urrejtjen morbide kundër myslimanëve e katolikëve, nuk ka të drejtë morale as njerëzore të kërkojë falje, qoftë edhe nga viktimat, pa pranuar paraprakisht të gjitha të ligat, krimet masakrat dhe barbaritë, të cilat në të gjitha periudhat e historisë u ka bërë të gjithë besimtarëve të tjerë, përveç atyre ortodoksë. Dhe për çudi, në kohën e informimit universal, në kohën e Internetit, ende në mesin tonë gjenden papagaj politikë fare të paniformuar, të cilët përshëndesin këtë akt të kishës Serbe, këtë akt cinik dhe fyes në të njëjtën kohë, sepse nuk ka cinizëm më të shëmtuar, sesa të kërkosh ta pajtosh viktimën dhe xhelatin, derisa xhelati arsyeton krimin, në emër të një ideje, nga e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë. Dhe kjo vë në pikëpyetje të madhe esencën “fetare” të krishterimit serb.
Nëse me të vërtetë krishterimi në Serbi përfaqësohet nga ky sinod, i cili pa asnjë rezervë ka përkrahur, madje edhe ka yshtur politikën antishqiptare të ish Jugosllavisë monarkiste, ka përkrahur madje edhe pushtimin fashist të Serbisë në vitin 1941, ka përkrahur politikën fashiste, barbare dhe masakruese të Drazha Mihajloviqit dhe të Slobodan Milosheviqit. Me veprime të tilla, Kisha ortodokse Serbe ka humbur prestigjin e vërtetë fetar. Me veprime të tilla, Kisha serbe, jo vetëm që ka pranuar të jetë instrument i politikës kolonizuese e hegjemoniste serbe, por ka qenë dhe ka mbetur projektuese dhe zbatuese e këtij projekti, madje edhe në ditët tona. Janë po këta priftërinj, të cilët ardhjen në pushtet të Slobodan Milosheviqit, edhe pse me pikëpamje e bindje komuniste e socialiste, e përshëndetën me tërë qenien, duke e konsideruar atë si prijës të fortë, që do ta zgjidhte çështjen serbe, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Është po kjo Kishë politike e krimit dhe e gjakut, e cila asnjëherë nuk është distancuar nga politika nacionalfashiste serbe, madje as pas Masakrës së Srebernicës, kur dhjetë vjet më parë, bandat ushtarake e policore serbe vranë dhe masakruan, vetëm për disa orë, më shumë se 8 mijë myslimanë, fëmijë gra e pleq. E shurdhër mbeti Kisha shënsaviste serbe asokohe, ashtu sikurse ishte e shurdhër, por djallëzore në veprime të fshehta, edhe gjatë tërë kohës së luftës në Kosovë.
Tani kur faktori politik ndërkombëtar ka filluar ta vë në zbatim projektin për fillimin e bisedimeve lidhur me statusin politik të Kosovës, kreu i KOS-it bën përpjekje për ta larë, aq sa mund ta lajë në këtë mënyrë gjakun e krimeve, duke kërkuar nga shqiptarët “falje të ndërsjellë”, sepse sipas rezonimit të KOS-it edhe shqiptarët paskan bërë krime, po aq sa serbët. Kjo lojë paragjykuese, në esencë është djallëzore, dhe nuk ka asgjë të përbashkët me krishterimin dhe me asnjë fe të vërtetë të qytetërimit botëror. Pas fytyrave dhe mjekrave të priftërinjve serbë gjithnjë janë fshehur thikat e gjata, të cilat kanë therë edhe fëmijë shqiptarë e myslimanë. Këto të liga ata i punojnë edhe sot nën petkun e zi të idesë së tyre të zezë, ide që nuk kanë të bëjnë me asnjë fe të vërtetë.
Pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve mund të ndodh vetëm pasi të jenë shëruar plagët shumëshekullore, vetëm pasi të ketë kaluar një kohë e gjatë në fqinjësi të ndarë, përse jo edhe të getoizuar. Deri atëherë, çdo kërkesë e njëanshme dhe cinike për pajtim të viktimës me xhelatin, vetëm sa e përkeqëson gjendjen e sigurisë në vend dhe vetëm sa prek në plagët e pashërueshme. Shqiptarët liridashës në Kosovë nuk i harrojnë dot krimet dhe masakrat që kanë kryer bandat ushtarake dhe policore serbe, të përkrahura dhe të bekuara nga po kjo Kishë, nga po këta udhëheqës fetarë.
Shqiptarët dhe serbët kanë në mes armiqësinë e tyre 13 shekullore, e cila nuk harrohet dhe nuk mund të kthehet në miqësi qoftë edhe nën presionin ndërkombëtar. Mund të ketë miqësi të caktuar individësh apo grupesh të interesit, mund të ketë qytetarë shqiptarë, të cilët për interesa të ngushta familjare e grupore shërbehen me pasaporta dhe letërnjoftime të Serbisë, por nuk mund të flitet për pajtim të vërtetë, pasi që nuk janë krijuar parakushte, meqë ende në humbëtirat e Sodomës Serbi kanë ngelur eshtrat edhe të 3000 martirëve shqiptarë, të rrëmbyer, të vrarë dhe të masakruar nga serbët gjatë luftës në Kosovë. Nuk mund të përjashtohet as ndonjë krim i izoluar, i ndonjë shqiptari, apo i ndonjë grupi shqiptarësh të jetë kryer kundër serbëve. Mirëpo, shqiptarët si popull i robëruar asnjëherë gjatë periudhës kohore prej vitit 1912 e deri më 11 qershor të vitit 1999 nuk kanë pasur pushtet mbi serbët, dhe nuk kanë mundur të ushtrojnë as krime, as pushkatime, sikur pretendon KOS-i. Pushtetin ushtarak dhe politik në Kosovë prej 11 qershorit të vitit 1999 e ka administrata e UNMIK-ut dhe paqeruajtësit e KFOR-it.
Kombet edhe mund të robërohen e të shfarosen, por nuk mund të detyrohen të bashkëjetojnë kundër dëshirës të tyre, edhe atëherë kur kryetarët e këtyre popujve insistojnë në një pajtim të tillë, për të përfituar favore politike, apo favore të tjera. Për më tepër Kisha Ortodokse serbe nuk ka kredibilitet moral, fetar as njerëzor për të ndërmarrë nisma të tilla pajtuese, derisa vetë nuk është diferencuar nga politika e saj djallëzore, inkuizicionale.
Shqiptarët liridashës të Kosovës nuk do të pranojnë me asnjë çmim dhe me asnjë kusht të jenë bashkëqytetarë të Serbisë, dhe nuk kanë asnjë arsye të pranojnë se fajet për krimet qenkan të ndërsjella, andaj të dyja palët u dashka të kërkojnë falje. Pranimi i tillë i ofertës së KOS-it nga ndonjë shqiptar i papërgjegjshëm, do të thotë shkelje mizore në gjakun e derdhur për liri dhe pranim për të barazuar xhelatin me viktimën. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …