Thaçi Kurtit

Kryeministri Kurti, pezmatohet kundër Hashim Thaçit, pasi sipas tij ai paska nënshkruar që Ushtria e Kosovës të mos e ruajë kufirin

Tani që i ka ardhur fundi i gënjeshtrave dhe i mashtrimeve, tani kur doli gjithçka në shesh dhe që është zier në kazanin e tij të intrigave politike për shumë kohë, kryeministri, Kurti,  pezmatohet kundër Hashim Thaçit, i cili sipas tij paska nënshkruar që ushtria e Kosovës të mos e ruajë kufirin. Kjo nënkupton se po të kishte pasur Kosova ushtri në Kufi, Serbia nuk do të pipëtinte dhe kjo dihet fare mirë, sepse po të kishte qenë atje, do të kishte qenë e  mbrojtur nga forca ushtarake e KFOR-it, e cila është e vetmja ushtri,  që operon në Kosovë dhe nuk i merr leje Albinit as Vjosës, as xhelë ministrit  dhe askujt tjetër, sepse ka mandat nga OKB-ja dhe ka një rezolutë së cilës i përmbahet, që nga qershori i viti 1999.

Ditë më parë ndodhi që deputeti i PDK-së, Ferat Shala kishte  pyetur Kurtin për deklaratat e para, të bëra kur ka ndodhur rasti,  e kur Kurti kishte thënë se terroristët i kanë vetëm dy opsione, meqë janë të rrethuar dhe ose duhet të dorëzohen, ose do të asgjësohen. Deputeti i PDK-së Shala ka ngritur shqetësim për sigurinë e asaj pjese duke thënë se si ka qenë e mundur që janë futur një numër aq i madh i paramilitarëve serbë. Kurti në fjalën e tij ka thënë se vija kufitare në atë pjesë është shumë e gjatë dhe se kufiri në Leposaviq , Zubin Potok e Zveçan do të duhej të ruhej nga ushtria. Por sqaron se sipas tij   ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2013 kishte çuar letër tek NATO-ja që Ushtria nuk e kalon Ibrin. Kryeministri ka thënë se ajo letër edhe tani po i kufizon raportet me NATO-n dhe sipas Kurtit ishte një veprim katastrofal i Hashim Thaçit, sepse  po të mos ishte ajo letër, Ushtria do të ishte në Veri të Kosovës.

Kurti nuk ka përmendur  fare ushtrinë e vetme që vepron në Kosovë dhe që është forca ushtarake e KFOR-it, nën flamurin e së cilës vepron policia e ministër  Xhelalit, e kur zihet ngushtë dhe duhet të përleshet  me serbët, shkojnë dhe e nxjerrin nga katastrofa ushtarët e KFOR-it duke rrezikuar jetët e tyre.

 

Ja se çfarë hipokrizie është në gjendje ta nxjerrë në sipërfaqe i pari i Qeverisë së Kosovës, i cili mendon se me ushtrinë  që e kemi, madje  pa praninë e NATO-s fare lehtë mund të ballafaqohemi me Serbinë. Këtë naivitet prej një zevzeku delirant nuk e beson as populli i Vetëvendosjes, por Kurti nuk i mban dot në duar patatet e nxehta dhe ato ia adreson, Hashim Thaçit, të cilin vazhdon ta përbuzë, pa marrë parasysh pozitën e tij, as akuzat e Gjykatës Speciale e cila UÇK-së e quan organizatë kriminale. Për të gjitha lëshimet, dështimet dhe pamundësinë për të ndërruar pozitën e Kosovës në bisedime me Serbinë, ai vazhdon ta akuzojë Hashim Thaçin e Isa Mustafën. Dhe si hipokrit që është mendon se askush nuk e di deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore. Ato nuk harrohen, sepse janë kumtuar publikisht, janë incizuar, ruhen dhe mund të postohen pa asnjë vështirësi.

Duke shkruar për këto sulme të ulëta të Albin Kurti drejtuar Thaçit e PDK-së, Ish-deputetja e kësaj partie, Besa Ismaili, në një postim të saj drejtuar kryeministrit, Albin Kurti  ka shkruar se nuk po na kërkon Vuçiqi e Serbia në Bruksel, por po na kërkon në Hagë. Ajo ka theksuar se nga padrejtësia, si një formacion i rënduar mbi çlirimtarët në radhë të parë, e pastaj te qytetarët dhe shteti në tërësi, ka kaluar në përndjekje. Tërë javës pamë përndjekje, madje edhe të ish këshilltarëve të çlirimtarëve. Tërë javës pamë seanca gjyqësore, që shpalosnin dosje të ziera nga kuzhinat e Vuçiqit dhe prokurorisë së Serbisë. Pikërisht dje u arrestua komandanti i zonës së Malishevës, Isni Kilaj. Për ironi, me të qeshur nëpër dhëmbë dhe sytë e drejtuar kah Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Kurti në Kuvend po bërtiste: ‘Po ju kërkon Vuçiqi!’.

 Gjuha e tij antikombëtare në kuvend është e papranueshme. Kurti do  të duhej të ishte kundër Vuçiqit dhe Serbisë që nuk heqin dorë nga shpifjet dhe nuk po heqin dorë së kërkuari që gjithë çlirimtarët të përndiqen e të dënohen në Hagë. Sepse, realiteti po e tregon çdo ditë dhe historia do ta dëshmojë se, Vuçiqi po e kërkon Partinë Demokratike të Kosovës, si pasardhësen kryesore të UÇK-së, në Hagë, nuk po e kërkon në Bruksel! Në Bruksel, për fatkeqësinë e Kosovës, Vuçiqi dhe Serbia, si dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare, e kanë pikërisht atë që deshën ta kishin, e që nuk do të gjenin dot një më të mirë sesa Albin Kurtin me kompaninë e tij  ka shkruar ish-deputetja Besa Ismaili.

Po kështu, në përpjekje për të krijuar mjegull, dhe sa më shumë ndasi e përçarje kombëtare, Gjatë fjalës para pjesëmarrësve në mbledhjen e Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur mes tjerash edhe për Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen e po mbahen me pa të drejtë në burg, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por nga shumë të burgosur që po mbahen atje, Kurti ka vënë theksin vetëm te Rexhep Selimi. Para se të flasë për të arriturat, rezultatet dhe sukseset e qeverisjes sonë dëshiroj të kujtoj me mall mikun dhe bashkëveprimtarin tonë, luftëtarin e lirisë, 10-shin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi. Rexhep Selimi tash e tre vjet po vuan në burgun e Hagës. Deputeti i ynë qysh në 2010-n, kur edhe së pari vendosi të marrë pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Mezi presim të na kthehet” theksoi mes tjerash, kryeministri, Albin Kurti, por nuk shfaqi dëshirë për kthimin në Kosovë edhe të të burgosurve tjerë, madje si gjithnjë duke mor u përmendur as emrat. Kjo deklaratë ku ndahet dhe përmendet me emër vetëm Rexhep Selimi, është hiq më pak se idiotike, përçarëse, arrogante. Kjo është fytyra e vërtetë e Albinit. Kjo deklaratë është e rëndë për Rexhep Selimin, sepse ai atje në Hagë e ka shumë më afër Hashim Thaçin, e të tjerët se Kurtin e të gjithë kurtiçit e tij.

Kurti, gjatë fushatës zgjedhore  ishte betuar se nuk do të bisedonte me Vuçiqin, se të gjitha vendimet që i kishin marrë qeveritë paraprake  nuk do të zbatoheshin, se kurrë nuk do të lejonte  të themelohej Asociacioni, të cilin me cinizëm e quante zajednicë, por tani doli se në të vërtetë kishte  qenë një zajebnicë që ishte ruajtur pikërisht për Kurtin dhe për ata që ende po ia mbajnë ison.

Duke thurur vargje për hipokritët e lepe-peqet e kohës së tij, Noli i madh kishte ironizuar Faik Konicën kundërshtarin e Ahmet Zogut, por  kur ai erdhi në pushtet me gjak e dhunë dhe ia dha një post  ai e ndërroi  qëndrimin dhe filloi ta lavdërojë mbretin   e vetëshpallur.

 

Dhe Feridi faqe ndërron,

Dje shante sot lavdëron,

Fryn bulçitë e trumpeton,

Që katrani zbardhëllon.

 

Albinit sot i shkojnë për shtati këto vargje analoge:

 

Dhe Albini faqe ndërron,

Hiq pa turp po deklaron,

Zajednica po  kalon,

nuk ka forcë që e ndalon.

 

Ahmet Qeriqi

6. 11. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …