Traktati i Berlinit

Evropa kurrë nuk ka vendosur për të drejtën e Shqiptarëve, mjafton t’ i përkujtojmë vitet: 1878, 1912, 1918, 1939, 1945

Vitet vendimtare për ekzistencën e kombit shqiptar kanë qenë, vitet e vendimmarrjes amerikane: 1920, 1990, 1999, 2008

Deputetja gjermane e Parlamentit Evropian nga Grupi i të Gjelbërve, Viola Taubadel, i ka thënë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, se ai s’duhet të shqetësohet për aspiratat e Kosovës drejt BE-së. “Jam e lumtur t’i tregoj Isa Mustafës se PE-ja është në anën e Kosovës për aspiratat e saj në BE. Ai s’duhet të brengoset, sepse politikanë nga familje të ndryshme partiake, përfshirë edhe familjen e partisë së tij, EPP-në, po e mbështesin integrimin në BE, reformat, institucionet e qëndrueshme dhe funksionale, e jo vetëm të majtit.

Kështu me këto fjalë të mira dhe entuziaste  si kjo zonja gjermane, Viola,  iu ka premtuar zyrtarëve të Kosovës për afër 20 vjet, edhe sa e sa zonja e zotërinj të tjerë evropianë,  por përveç këtyre fjalive krejt të njëjta dhe të përcjella nga njëra te tjera,  as e ka marrë Kosova liberalizmin as do ta marrë, sepse kushti i parë i Evropës është që Kosova të pajtohet me të gjitha kërkesat e Serbisë. Violat, ashtonet, mogerinët, kocijanqyqet, doriset e zonja të tjera evropiane janë tallur dhe tallen me shqiptarët e Kosovës, sepse  qëllimi i tyre është që Kosova t i lëshojë pe Serbisë, t ia heqë taksat, të pajtohet me qëndrimet e Beogradit dhe në fund, në emër të “dashurisë” së madhe që kanë do shqiptarë për Evropën, të pajtohen e edhe njëherë ta fusin kokën nën zgjedhën e Beogradit.

Dhe me siguri se kështu do të ndodhte po të hiqte dorë Amerika nga Kosova dhe shqiptarët, e cila jo vetëm në rastin tonë është bërë pengesë e BE-së për të arritur qëllimet e veta.

 

Kanë kaluar 21 vjet dhe Evropa po e mbanë në geto Kosovën.

 

Ky është një fakt i pamohueshëm të cilin nuk e mbulon dot velloja e hollë e fytyrës së zonjës gjermane, Viola, pavarësisht delikatesës, retorikës së butë, shpresëdhënëse, premtimeve tashmë krejt bajate, të cilat ata as i kanë realizuar as i realizojnë, por ama fjalët e mira kurrë nuk na i kanë munguar. Për këtë  nuk mund të ankohemi, pavarësisht edhe do kërcënimeve të buta…

Dhe kjo nuk është pak për ne nga ana e Evropës hallemadhe e nënëmadhe…

Tani në kohën e pandemisë, në kohën e solidarësisë dhe humanizmit, vetëm shqiptarët e Kosovës jetojnë në Geton e Evropës “humaniste”. Dhe duke qenë se shqiptarët historikisht kanë jetuar dhe janë mësuar  të jetojnë në geto, ata po e përballojnë me sukses pandeminë, edhe për faktin sepse besojnë fort se më mirë është të mos i braktisë Zoti, sesa robi mujshar i Evropës.

Premtimet e zyrtarëve të PE-së BE-së dhe krerëve të shumë organizatave tashmë janë fjalë e fjali koti, kakofonike  e kaotike, që nuk kanë më kurrfarë vlere.

Vitet vendimtare për ekzistencën e kombit shqiptar kanë qenë, vitet  e vendimmarrjes amerikane: 1920, 1990, 1999, 2008

Po të mos kishin qenë amerikanët në vitin 1920, kur kryetari i atëhershëm Vudrou Vilson përdori vet për mos shuarjen e Shqipërisë, po të mos kishin qenë amerikanët në vitin 1990 në kohën e kryetarit Bush, kur Millosheviqit iu tha, të mos sulmojë Kosovës, po të mos kishin qenë amerikanët e anglezët në vitin 1999 në krye të NATO-s në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës, sa për Evropën,  Serbia do të na kishte kthyer në një “banovinë mesjetare”, me një të katërtën e popullatës shqiptare në të.

 

Evropa i ka datat e veta të palavdishme  142 vjet kundër  shqiptarëve.

Në vitin 1878, në Berlin, kancelari gjerman Bizmark, stërgjyshi shtetëror i kancelares  Merkel, kishte thënë nuk ka shqiptar as Shqipëri,  po ka vetëm  një term gjeografik.

Në vitin 1912, kjo Evropë shqiptarët i trajtoi si mbeturinë turke dhe urdhëroi sllavët e grekët ta pastronin Ballkanin nga arnautët. Fushata e përgjakshme  bartalomeane, rezultoi me 400 mijë të masakruar një milion shqiptarë të shpërngulur.  

Viti 1918 i Kongresit të Versajës legjitimoi  copëtimin e  tokave shqiptare dhe dy të tretat e trojeve tona  iu dhanë Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.

Në vitin 1999, në Rambuje Evropa kishte  hartuar planin që  t ia bënte sërish Kosovën tapi Serbisë, madje tapi të përjetshme, por ishte Amerika, (për herë të parë edhe Britania e Madhe)  ajo që ia hodhi bombat  nga ajri Serbisë gjakatare, pa e pyetur Evropën as pa e lutur për shumë kohë Milosheviqin sikur kërkonte Franca e Gjermania.

Sot një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, për interesa pushtetare, mungesë vizioni e strategjie, xhelozi dhe inate politike, qesëndis  në mënyrë krejt naive me “Shtëpi të Bardha e do Shtëpi të verdha”, duke shpërfillur përpjekjet amerikane për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit shumëshekullor shqiptaro-serb.

Po të kishim vetëm një rast, një rast të vetëm kur Evropa ka vendosur në dobi të së drejtës për shqiptarët, do të mund të besonim se mund të ndodh edhe një tjetër.

Nuk e kemi asnjë dhe nuk kemi pasur kurrë.

Nuk e keni të shënuar në asnjë histori të asnjë populli të Evropës apo të botës, që Evropa, një herë në historinë e saj  ka vendosur pro shqiptarëve në të drejtën e tyre.

Le ta thonë një datë të vetme kur Evropa ka vendosur në të drejtën e Shqipërisë historianët e analistët  që e  shqyejnë gurmazin e llapin  duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë dhe Amerikën!

Nuk ka asnjë datë në historinë e popullit shqiptar,  kur në një qytet apo shtet të Evropës, të jetë mbajtur një konferencë, një Kongres dhe ku të paktën vetëm  të jetë propozuar që shqiptarët të keni një shtet si gjithë popujt e tjerë.

Sa shumë do t i kishin rënë atij  teli historianët e sotëm  e të politizuar po ta kishin pasur vetëm një datë. Ata kurrë nuk e përmendin as vitin 1975, kur Shteti shqiptar nuk pranoi mos korrigjimin e kufijve të shteteve të Evropës, në Helsinki, sepse dy të tretat e tokave dhe kombit kishin mbetur jashtë Shqipërisë që me ironi  ende quhet Shqipëri londineze, sepse atje iu prenë rrobat.

Vetëm politika e fortë shtetërore e Tumpit mund t’ i japë një zgjidhje përfundimtare problemit të Kosovës dhe atij shqiptar në përgjithësi, sepse këtu do të mund ta instalonte një shtet unitar shqiptar, ashtu sikur në vitin 1947 kishte instaluar Anglia  por edhe Amerika, Shtetin e Izraelit.

Po kaloi ky tren, po u zemëruan amerikanët, po nuk e zumë vagonin e fundit të lokomotivës amerikane, nuk do të mund t’ i ruajmë as këto të arritura, sepse nuk duhet harruar kurrë që Serbia shtrihet prej kufirit në Merdare e deri në Moskë e tutje tëhu…

Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të na përsëritet fati i Çeçenisë i vitit 1999, krerët  e së  cilës me mendjelehtësi e prishën marrëveshjen paraprake dhe e humbën edhe autonominë e kohës së Bashkimit Sovjetik.

Ahmet Qeriqi

6. 4. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, mori pjesë në takimin e liderëve të BP-së në Shkup

Majlinda Bregu: Pikturimi i tregjeve të punës së Ballkanit Perëndimor me ngjyra më të ndezura

Nga Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Ka shumë pak lajme …