Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet t’u rikthehen takimeve për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Kjo vjen pasi LDK-ja hoqi dorë nga bisedimet për përfshirje në bashkëqeverisje me LVV-në, si dhe nga kërkesa për pozitën e Presidentit. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, deklaroi sot në një konferencë për media se Kurti i ka thënë se me LDK-në “do të ketë një takim shumë shpejt”. Edhe Abdixhiku kishte deklaruar një ditë më parë se takimet zhvillohen me kryetarët e partive, duke theksuar se në këtë rast takimi mund të bëhet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Ndërkohë, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja nuk morën pjesë në takimin e thirrur sot nga Haxhiu në Presidencë. Takimi ishte thirrur për të diskutuar zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
