Brickos

Kush duhet të japë dorëheqje në polici?

Subjekti politik që drejton Albin Kurti, kërkoi edhe kësaj radhe dorëheqjen e Bajram Rexhepit nga posti i Ministrit të Brendshëm. Një gjë të tillë, ata e arsyetojnë me atë që Bajram Rexhepi ishte përgjegjës për skenarin me nuanca të forta dhune nga ana e policisë me 12 maj. Si pasojë e veprimeve të ashpra policore, u lënduan dhe u rrahën një sërë aktivistësh të subjektit të Albin Kurtit, që merrnin pjesë në protestën legjitime kundër ardhjes provokative të Borislav Stefanoviçit në Prishtinë. Është përtej çdo dyshimi, që Bajram Rexhepi si Ministër i Brendshëm ka një hise të caktuar në dhunën e pararsyeshme që u ushtrua atë ditë në mbrojtje të një zyrtari serb, shteti dhe qeveria e të cilit e luftojnë pavarësinë e Kosovës. Por a do të ishte e mjaftueshme një dorëheqje e Rexhepit në rrethanat e tanishme? Sa do të ndikonte për përmirësimin e institucioneve të sigurisë – dorëheqja e tij? Janë këto pyetje që kërkojnë një analizë të shumënashme nga vetë Albini dhe subjekti i tij politik që kanë kërkuar dorëheqjen e tij? Një kërkesë e tillë kaq këmbëngulëse shfaq mundësinë që të amnistohen persona të caktuar, përgjegjësia e të cilëve është shumëfish më e madhe sesa ajo e Rexhepit. Një emër tjetër ka kohë që po përvidhet jashtë vëmendjes së opinionit shqiptar. Është ky vetë Reshat Maliqi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ka kohë që mediet po rreken që personit të lartpërmendur t’ia stisin imazhin personal duke e portretizuar si një njeri largpamës i policisë i cili paska plane ambicioze për të shtrirë autoritetin e shtetit edhe në veri të Kosovës! Mirëpo, veprimet e manifestura nga ana e tij dëshmojnë jo vetëm papjekurinë e tij por edhe ngjyrën artificiale që kanë veprime të tilla! Veprime jo për hir të veprimeve të nevojshme po për nevoja konsumi. Javën e kaluar, Maliqi bëri të ditur botërisht përmes medieve se policia e ka të gatshëm planin operativ të veprimit në veri. S’kemi asgjë kundër një plani të tillë, nevojën e të cilit e ndjen secili qytetar i Kosovës që do të ketë një atdhe plotësisht sovran e të lirë. Por, një veprim i tillë në mënyrë si po bëhet, nuk është i denjë nga ana profesionale: cila polici në botën perëndimore është aq e çmendur saqë të bëjë të ditur planin e saj operativ, madje duke paralajmëruar edhe datën e nisjes së operacionit? Një mundësi e artë, që kriminelët dhe banditët serb në veri të përgatiten, të sofistikohen edhe më e madje të përgatisin edhe kundërgoditje, të cilat do të shkaktonin humbje të mëdha në jetë njerëzish Policisë së Kosovës.Veprimet në veri nuk kanë nevojë të bëhen publike: ato thjesht duhet të bëhen për shkak se ekziston bazë e mjaftueshme legale, juridike, morale dhe kombëtare për një gjë të tillë. Reshat Maliqi i varur krejtësisht nga shefat e tij të huaj (që mezi presin dështimin e përpjekjeve të Kosovës për të shtrirë autoritetin në veri) e ka minuar planin e veprimit duke ia hequr elementin krucial të befasisë goditëse. Më konkretisht, njollat e errëta që e karakterizojnë personin e këtij njeriu nuk ndalen me kaq. Gjatë kohës, kur djemtë dhe vashat e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ po protestonin kundër Pakos së Ahtisaarit, Reshat Maliqi ishte asokohe, shef i operatives dmth përgjegjës për operacionin – që pa kurrfarë dyshimi vërteton fajësinë e tij, përgjegjësinë për krimin që ndodhi me 10 shkurt e që kushtoi me humbjen e jetëve të të dy të rinjëve liridashës. Me këtë rast duhet të specifikojmë se policia e Kosovës s’ka vrarë asnjëri në protestën e 10 shkurtit – përgjegjësit e një masakre të tillë dihet me emra e mbiemra. Ishte UNMIK-u, zyrtarët e tij antishqiptar dhe policia rumune që realizuan një skenar që lau me gjak Prishtinën. Por, kjo nuk ia heq peshën e fajit edhe Maliqit, i cili vetëdijshëm ka kurdisë plane shtypëse ndaj popullit të tij. A s’është e ngjashme kjo me kolegët e Maliqit, versioni i kohës së Titos dhe Milloshevicit? Kjo është një arsye e bollshme që subjekti politik i Kurtit të kërkojë dorëheqjen e Maliqit dhe elementëve të tjerë udb-ash (Destan Thaëi, Ramë Kryeziu, Fadil Syleviqi etj) që gjenden në hiearkinë e policisë së Kosovës. Falë këtyre elementëve, policisë së Kosovës i është krijuar një imazh i keq, e që në shumë raste të tjera policinë e ka bërë vegël të realizimit të komploteve antishqiptare? Kush nuk i kujton skenat e triushtueshme kur policët e SHPK-së arrestuan, survejuan apo i hodhën në duart e policisë së UNMIK-ut, e më pas të EULEX-it, me dhjetëra e dhjetëra djemë të UÇK-së? Ekzistenca e një strukture udb-ashësh në policinë e Kosovës lë hapësirë të mjaftueshme që në polici të vazhdojnë të jenë edhe serbë, të cilët punojnë me urdhëra të MUP-it serb. R. Maliqi deri më tani në kuadër të planit operativ i ka bërë do ndryshime kozmetike në hierarkinë komanduese të veriut. As ndryshime nuk mund të quhen: sepse të njejtit zyrtar veç janë ndërruar prej një posti në postin tjetër. Kërkesa imperative për spastrimin e policisë së Kosovës nga elementët e dyshimtë, duhet të ngritet edhe në Kuvend. E kjo është një shans i mirë për subjektin e Albin Kurtit, për shkak se partitë ekzistente një gjë të tillë s’e bëjnë, qysh nuk e kanë bërë tash e 10 vjet.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …