Në bisedime me Serbinë, delegacioni i Kosovës pranon kompromisin në dëm të pavarësisë së vendit

 


Zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri, kryesuese e ekipit të Kosovës në bisedime me Serbinë, në një intervistë për “Koha Ditore”,  ka pranuar edhe lëshimet që i ka bërë Serbisë, duke arsyetuar se kjo qenka një marrëveshje evropiane për ta ofruar Serbinë dhe Kosovën në BE. Edita Tahiri, e cila flet për marrëveshjen, sikur Kosova të ishte një çiflig i saj, ka bërë të ditur se lëvizja e lirë, çështja e tregtisë së lirë, çështja e telekomunikacionit, e energjisë, si dhe kthimi i dokumenteve kadastrale dhe civile, janë gjashtë çështjet, për të cilat Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje  gjatë muajit korrik.  >>>


 


Sipas marrëveshjes, që pritet të arrihet, me pajtimin e Edita Tahirit, sigurisht edhe me bekimin e Qeverisë së Kosovës,(!) duke anashkaluar Kuvendin,  qytetarët e vendit tonë do të mund të udhëtojnë në Serbi, vetëm me letërnjoftim. Ata nuk guxojnë  ta tregojnë pasaportën e tyre, meqë Serbia shqiptarët e Kosovës i trajton si qytetarë të vet, dhe kjo, për Edita Tahirin dhe një segment të Qeverisë së Kosovës duket se është e pranueshme, ashtu sikur do të jetë e pranueshme për ata shqiptarë, që janë  pajisur në të kaluarën dhe hiq pa të keq pajisen edhe sot me  pasaportat e Serbisë. Ujdia mes dy delegacioneve në bisedime parasheh që Doganat e Kosovës të mbajnë vulat “Dogana e Kosovës”, dhe në dokumentet përcjellëse, kurdoherë të anashkalohet fjala “Republikë”. Qytetarëve serbë të Kosovës do t`u hiqen tabelat e Serbisë, por do t’u mundësohet mbajtja e tabelave me targat KS të kohës së UNMIK-ut, meqë veriu i vendit edhe ashtu nuk qeveriset nga Republika e Kosovës.


Serbia, ka arritur që fjalën “Republikë” ta heq nga marrëveshja, duke pranuar emërtimin “Kosovo” që shënon provincën e Serbisë, të cilën Beogradi zyrtar e trajton si pjesë integrale edhe me kushtetutën në fuqi, në të cilën mbështetet Beogradi zyrtar në bisedime me delegacionin e Kosovës.


 


Kjo marrëveshje na sjellë në kujtesë kohën e ndërrimeve kushtetuese, në vitin 1988-1989, kur Serbia kishte filluar t’ia kufizonte Kosovës autonominë dhe disa politikanë poltronë e shpirtshitur, si: Rrahman Morina, Kolë Shiroka, Ilaz Ramajli, Syrja Popovci e të tjerë deklaronin se Kosova nuk po humbet asgjë, përkundrazi po e forconte pozitën e saj nën Serbi. Duket se zonja Tahiri dhe të gjithë ata që janë të gatshëm të pranojnë këtë kompromis të turpit, në dëm të pavarësisë së Kosovës, kur Beogradi zyrtar trumbeton se Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, nuk janë të vetëdijshëm as të përgjegjshëm për aventurat e tyre, në të cilat ata do të jenë të parët që do të pësojnë.


 


Edhe një kompromis tjetër po ndodh para syve tanë, ashtu sikur kompromisi për pakon e Ahtisarit, për të cilën kreu i atëhershëm dhe i sotëm Kosovës kishte  pranuar se nën presionin ndërkombëtar ishte arritur një kompromis i dhembshëm, por pa harruar të përmendte se ky do të ishte edhe kompromisi i fundit. Koha po tregon se me këtë klasë politikanësh poltronë, kompromiset janë të vetmet të arritura të tyre, gjithsesi në dëm të interesit   kombëtar të Kosovës, por në përforcim të pozitave të tyre dhe të favoreve që do t’ iu sjellë edhe ky kompromis, edhe pse zonja Tahiri po mundohet të na bind se nuk është fjala për kompromis, por për disa lëshime, për një fasadë e ngjashme me “shminkën” e saj për të fshehur moshën e pleqësisë, e cila nuk fshihet dot me asnjë lloj “shminke” dhe as me mbajtjen e fytyrës në pozitë të ngrirë me turirin e hequr para.


 


 


Kompromiset në dëm të interesit kombëtar të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa ndëshkimin qytetar, qoftë me revolta e protesta, qoftë me zgjedhje të jashtëzakonshme,  në instancë të fundit pse jo edhe me kryengritje të armatosur.


Kosova nuk është çiflig i një pashai as i pashallarëve të sotëm, nuk është as banovinë serbe, sikur ishte në kohën e Sinan Hasanit e Azem Vllasit, nuk është as vilajet i errët dhe pa identitet kombëtar, sikur e përcakton  pakoja e zezë e Ahtisarit.


Kosova, më 17 janar 2008  ka shpallur pavarësinë, të cilën e kanë pranuar 76 shtete të botës dhe të gjithë ata që për përfitime të ndryshme politike, pranojnë t’i bëjnë kompromise Serbisë, qoftë edhe duke qenë të shantazhuar, bëjnë gabime fatale për veten e tyre, sepse gjaku i derdhur për liri nuk bëhet ujë, as “shlivovicë” Shumadie për të ngrehë dollinë e pajtimit, për hir të ruajtjes së paqes në rajon, në dëm të Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht.


Kompromisi, në rastin konkret përforcon idenë e domosdoshmërisë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, ashtu sikur kompromisi i vitit 1989, i degradimit të autonomisë, që çoi në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin nga Serbia hegjemoniste, okupatore, në qershor të vitit 1999.


 


 


Të gjitha rrugët e trojeve shqiptare sot çojnë drejt Prizrenit, kryeqytetit historik të bashkimit kombëtar, Piemontit ende të mbetur peng të shqiptarisë. Sot, ky qytet i lashtësisë dardane, anë e kënd është stolisur me flamujt kombëtar, në përkujtim dhe mos-harrim të Motit të Madh, të 133-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atëbotë kreu intelektual dhe ushtarak i kombit, nga jugu në veri nga lindja në perëndim, ishte dyndur në Prizren për të demonstruar mendjen dhe fuqinë kombëtare dhe për t’i bërë me dije Lindjes e Perëndimit se toskë e gegë e katër vilajetet tok e përbënin Shqipërinë e vërtetë dhe jo shprehjen gjeografike, as Turqinë evropiane. >>>


133 vjet më parë, kreu i Lidhjes shpalosi programin e qartë kombëtar, me kërkesa programatike, të cilat u pranuan unanimisht si domosdo historike në rrethana të caktuara kohore, për ta ruajtur kombin, gjuhën territoret, që po i grabitnin fqinjët me lejen e Turqisë dhe me bekimin e qarqeve antishqiptare të Evropës e më gjerë.


Lidhja Shqiptare e Prizrenit i vuri themelet kombësisë shqiptare, e cila për qindra vite në robëri rrugën e gjatë dhe të mundimshme të  historisë e kishte çarë me kryengritje të njëpasnjëshme, duke ruajtur njësinë etnike, gjuhësore e fetare dhe duke luftuar në të katër anët, për të mbrojtur katër vilajetet, Vilajetin e Janinës, të Manastirit, të Shkodrës dhe të Kosovës.


Tubimi historik në Prizren, më 10 qershor 1878, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, Imer Prizreni dhe rreth 300 delegatë nga të gjitha viset e Shqipërisë, shënoi kthesën më të rëndësishme kombëtare të kohës, në një moment vendimtar historik, kur fati i kombeve nuk varej nga e drejta e natyrshme për vetëvendosje, por nga konferencat dhe pretendimet kolonialiste të krerëve politikë dhe ushtarakë të Evropës e të Azisë.


Aspiratat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe pse u lanë me gjak  në vitin 1881, ato u bënë burim frymëzimi në betejat në vazhdim, deri  kur Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912,  shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Edhe pas copëtimit të Shqipërisë nga gjitonët grabitqarë dhe nga Fuqitë e Mëdha kolonialiste të Evropës e të  botës, Lidhja Shqiptare e Prizrenit rrezatonte besë-betimin për bërjen e Shqipërisë, një dhe të pandarë.


Programi kombëtar i Lidhjes, mbeti alfa dhe omega e angazhimit dhe luftës së  të gjithë patriotëve shqiptarë deri në Epokën e Legjendarit Adem Jashari, deri  në ditët tona, kur kanë dalë në sipërfaqe forca retrograde, që pretendojnë të na kthejnë prapa, që pretendojnë të krijojnë kombe e gjuhë mushke, që pretendojnë të na shlyejnë trurin nga e kaluara lavdiplote.


Sot, në Prizren u rishfaq idealizma shqiptare, e stolisur kuqezi, jo për të demonstruar ekskluzivitet, as për të thirrur  në ndihmë “shpirtërat  e së kaluarës”, as për të zgjuar “demonët”, por thjesht për të përkujtuar hapin historik që kemi bërë prej vitit 1878 e deri sot dhe për t ia bërë me dije, UNMIK-ut, EULEX-it, Serbisë dhe BE-së, se ne jemi këtu, ashtu sikur kemi qenë 133 vjet më parë, ashtu sikur kemi qenë 1330 vjet më parë.  Dhe do të jemi këtu e gjithandej në trojet shqiptare me bukë, kripë e zemër, derëhapur për mikun e sinqertë, por barotin e thatë për të gjithë ata që synojnë të na kthejnë prapa, në ferrin skëterrë të së kaluarës.


Realizimi i plotë i aspiratave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot është më afër se kurrë më parë. Ora e historisë po shënon tik-taket e pandalshme të vullneti fisnik të një populli. i cili edhe pse i ndarë në pesë shtete, nuk u gjunjëzua, as gjunjëzohet dot, derisa të realizojë qëllimin që kanë realizuar kombet e tërë botës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kërkon zgjedhje të rregullta në Kosovë dhe kritikon qeverisjen e Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke folur lidhur  me situatën politike në Kosovë, ka …