Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave parashihet të mbajë dy seanca plenare

Kuvendi këtë javë mbanë dy seanca plenare. Të enjten shqyrtohen një varg projektligjesh, ndërsa të premten zhvillohen dy debate dhe një interpelancë Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet dy herë brenda kësaj jave, më 30 dhe 31 mars 2017, në dy seanca të ndara plenare. Në seancën e të enjtes, e cila fillon në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë projektligje, si dhe pikat e mbetura nga seancat e kaluara. Të premten, ndërkaq, do të zhvillohet një interpelancë, dy debate, si dhe disa pika të tjera të rendit të ditës. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, të drejtuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Seanca e të enjtes do të fillojë me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Në vazhdim, do të shqyrtohen edhe tri projektligje të tjera: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor  për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor  në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST SH.A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut-KOSTT SH.A, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit të Projektit për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, e nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Për herë të parë, do të shqyrtohen katër projektligje: Projektligji për ndërmarrjet sociale, Projektligji për arsimin e lartë në Republikën e Kosovë, Projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe Projektligji për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore. Më pas, pritet votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Për herë të dytë ndërkaq, deputetët do të shqyrtojnë katër ligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Legalizimin e Armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, si dhe Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në fund, pritet të votohen edhe tri pika të mbetura nga seancat e kaluara: Propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve  të Lëvizjes Vetëvendosje, për formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Të premten, në një seancë të re, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet Propozim – Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017. Më pas, pritet interpelanca e ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike.

Seanca do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Më pas, deputetët do të debatojnë në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9 deputet tjerë nënshkrues.

Në fund, do të zhvillohet edhe një debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevaire Izmaku, të mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Kryesia i shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve të zyrtarit të administratës së Kuvendit, Luan Balidemaj, i cili vdiq sot në orët e mëngjesit në vendin e tij të punës.

Duke bashkëndjerë dhembjen me familjarët dhe gjithë farefisin e të ndjerit, Kryesia çmon lart punën dhe angazhimin e zyrtarit Luan Balidemaj, gjatë gjithë periudhës sa ishte pjesë e stafit të administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

David Kanin: Për të pasur një zgjidhje të qëndrueshme, ajo duhet të vijë nga vetë protagonistët e jo të imponohet nga jashtë

David Kanin: Albin Kurti është figurë jo popullore jashtë Kosovës, tani do të përballet me Amerikën

Ish-analisti i mirënjohur  në CIA, aktualisht profesor i Studimeve Evropiane, Dejvid Kanin, ka komentuar fitoren …