Brickos

Lëvizja për Bashkim: Ajet Berisha promovon listën për Kuvendin Komunal të Obiliqit

Lëvizja për Bashkim: Mundësia e ridizajnimit të dialogut

Dialogu Kosovë-Serbi, i filluar para më shumë se një dekade, nuk ka prodhuar zgjidhje për asnjë prej problemeve kryesore të Kosovës në raport me Serbinë. Në vend të zgjidhjes së problemit, ai prodhoi vetëm një status quo të brishtë.

Kryeministri i sotëm i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të këtij dialogu dhe të rezultateve të tij. Ai pati premtuar se sapo të vijë në pushtet do t’i rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet, madje edhe duke i dërguar ato në Komisionin e Venecias. Ai, Kryeministri Kurti, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por, për më keq, e vazhdoi konceptin e njëjtë si qeveritë pararendëse. Duke e trajtuar dialogun si teknik, ai po detyrohet të bëjë marrëveshje të reja në frymën e vjetër, si dhe t’i jetësojë një nga një ato marrëveshje të vjetra, “tradhtare”, siç i quante ai dikur. Marrëveshje të cilat do ta degradojnë edhe më shumë sovranitetin e brishtë të Kosovës.

Edhe opozita e sotme, pushtetarët e djeshëm (PDK, LDK e AAK), kanë qëndrim të njëjtë me Albin Kurtin e qeverinë e tij sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Dhe kjo është ana më e keqe e krejt kësaj çështjeje. Kohëve të fundit edhe nga ndërmjetësuesit e dialogut është duke u shqyrtuar mundësia e ridizajnimit të tij, pikërisht për shkak të mungesës së rezultateve dhe të shterpësisë së këtij lloji të dialogut.

Sërish edhe pozita, edhe opozita në Kosovë do të gjenden të papërgatitura për këtë ridizajnim, pikërisht për shkak se u mungojnë idetë, e, çka është edhe më keq, u mungon edhe vullneti. Sepse si pozita, ashtu edhe opozita çështjen e dialogut Kosovë-Serbi gjithmonë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin vetëm si një mundësi elektorale dhe si një detyrim ndërkombëtar. Prandaj nuk i qasen me seriozitetin e nevojshëm e të domosdoshëm kësaj çështjeje me rëndësi jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Është dashur ta dimë që në fillim, por duhet ta dimë sidomos tani, se dialogu i cili zhvillohet vetëm për serbët e Kosovës dhe të drejtat (privilegjet) e tyre, do të prodhojë vetëm kompromise e marrëveshje të pakuptimta, që nuk zgjidhin gjë! Derisa ne e heshtim dhe nuk e shtrojmë drejt për zgjidhje edhe çështjen e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanovc e Medvegjë), dialogu vetëm do të na sjellë vështirësi dhe nuk do të prodhojë asgjë të mirë.

Prandaj, ridizajnimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të bëhet mbi bazën  e të drejtave të njëjta si për serbët e veriut të Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. Madje pa e përjashtuar edhe ripërcaktimin  e kufijve Kosovë-Serbi mbi po këtë parim.

Rrugët e tjera na lënë këtu ku jemi – në status quo aspak të favorshme për ne.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 12.10.2022

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …