Lobimi rus: Si e shpëtuan Bashën, Berisha me gjyqtarët Lazër Sallaku, Alaudin Malaj e Shpresa Beçaj

Lobimi rus: Si e shpëtuan Bashën, Berisha me gjyqtarët Lazër Sallaku, Alaudin Malaj e Shpresa Beçaj

Një raport special i deklasifikuar i inteligjencës amerikane, sipas të cilit Rusia i ka dhënë fshehurazi 500 mijë USD Partisë Demokratike, ka rikthyer edhe një herë në vëmendjen skandalin e lobimit të PD me para të dyshimta në SHBA në vitin 2017, i mbyllur nga drejtësia po në mënyrë të dyshimtë dhe me shumë pikëpyetje. Edhe pse afera dhe elementët e përgjegjësisë penale ishin flagrante, ka fakte dhe rrethana se si për shpëtimin e Lulzim Bashës nga ndëshkimi penal janë angazhuar Sali Berisha, disa gjyqtarë dhe prokurorë. Në emër të PD janë paguar 675 mijë dollarë për kompani lobimi pjesë e Muzin Capitol Partners drejtuar nga Nicolas Muzin.

Paratë u paguan sipas deklarimeve të kompanisë “Stonington Strategies” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD. PD deklaroi në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve vetëm pagesën 25 mijë dollarëve. Sot Sali Berisha, për shkak të konjukturës së re politike, pranon financimin rus të PD-së dhe akuzon Bashën, por në vitin 2018, Berisha e konsideronte çështjen e lobimit një trillim të Edi Ramës kundër opozitës. “Fushata për gjoja lidhje ruse elektorale të PD, është një trillim fund e krye i Ramës për të krijuar ngjashmëri me atë fushatë që është sot në SHBA kundër Trump, për të maskuar lidhjet e tij të cilat dora dorës do dalin në dritë, nafta dhe lidhje të tjera. Por qëndrojmë këtu. Ajo që mund të them unë për këtë pyetje është se u them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë se PD nuk ka patur asnjë kontratë me asnjë kompani ruse. PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga rusët”, shprehej Berisha.

Me këtë qëndrim mohues, Berisha ushtroi presion tek prokurorët dhe gjyqtarët, duke e paraqitur çështjen si një luftë të brendshme politike. Si rrallë ndonjëherë, Prokuroria e Tiranës shkoi e ndarë para gjykatës në dy qëndrime, kur dërgoi dosjen e lobimit rus për gjykim. Dy prokurorë hoqën akuzën më të rëndësishme, atë të pastrimit të parave. Dy prokurorë, përfshirë edhe Gjergji Tako firmosën dërgimin e dosjes për gjykim, në limitet kohore, dhjetor 2019, vetëm me akuzën e falsifikimit për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin.

U shmang thelbi i çështjes: Burimi i parave të padeklaruara. Edhe sot, të gjithë e pranojnë lobimin me 675 mijë dollarë, por askush nuk ka një përgjigje se cili është burimi i parave.

Prokurori Kol Hysenaj nuk e firmosi dosjen për gjykim, ndërsa ish kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka kërkuar hetime të mëtejshme, duke përfshirë marrjen në pyetje edhe të lobimit Nicolas Muzin, të cilit rusët besohet se i kanë kaluar 500 mijë USD për lobim, për llogari të PD-së. Por, udhëzimi i zonjës Imeraj për çështje konkrete kishte karakter jo detyrues për prokurorin që është i pavarur.

Në këto rrethana, gjyqtari i shkallës së parë Lazër Sallaku, e kishte më të lehtë për të mbyllur dosjen në janar të vitit 2020. Më pas, Sallaku mbylli edhe dosjen CEZ, e cila aktualisht po hetohet pjesërisht nga SPAK-u.

Vendimi i gjyqtarit Lazër Sallaku u ankimua në Gjykatën e Apeli. Përfaqësuesi i akuzës ishte prokurori i Apelit Nezir Gjoka. Përplasja mes prokurorëve është zhvendosur në Apel.

Gjergji Tako ka pohuar se të pandehurit duhet të dënoheshin pasi “kanë fshehur shumën 500 000 USD që është dhënë cash nga subjekti PD tek Kompania e huaj private për të bërë lobim në SHBA me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor 2017”.

Ndërsa Kol Hysenaj ka pohuar se “gjykata jo vetëm me kërkesën e Prokurorit por edhe kryesisht duhet të konstatonte pavlefshmërinë e akteve të cilat ishin dhe janë absolutisht të pavlefshme. Kërkesat drejtuar Gjykatës “Për dërgimin e çështjes në gjyq”, ajo “Për pushimin e çështjes” janë absolutisht të pavlefshme bazuar në nenin 331/2/4 të K. Pr.Penale… Hetimet nuk janë zhvilluar të plota për të patur nga ana e prokurorëve të çështjes një vendimmarrje të bazuar në ligj”.

Në 15 maj 2020, gjyqtarët Shpresa Beçaj dhe Alaundin Malaj vendosën pushimin e çështjes, duke shpëtuar kësisoj Lulzim Bashën nga ndëshkimi penal. Gjyqtari i tretë Shkëlqim Mustafa votoi kundra mbylljes së dosjes së lobimit rus pa ndëshkim. Edhe pse trupa gjykuese u nda, vlen të theksohet se dosja e lobimit rus është sabotuar kryesisht nga prokurorët e Tiranës, që më heqjen e akuzës së pastrimit të parave, deri tek hetimet e mangëta.

Megjithatë, edhe Shpresa Beçaj dhe Alaundin Malaj kanë dhënë kontributin e tyre në mbylljen e dosjes, duke zhvlerësuar; Deklarimet në Departamentin e Drejtësisë së SHBA ku pasqyrohet lobimi nga PD, si dhe dëshminë e Nicolas Muzin, i cili ka deklaruar se ka marrë 500 mijë USD nga Partia Demokratike.

Sipas tyre “Nëpërmjet letërporosisë është kërkuar të pyetet shtetasi N. M, i cili ka deklaruar se shifra prej 500.000 dollarë kanë shkuar prej PD-së dhe shifra prej 150.000 dollarë e B.….. T….. është përdorur prej PD-së. Gjatë shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se ky deklarim nuk konfirmohet me asnjë provë tjetër të përdorshme, për rrjedhojë nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës në respektim të nenit 152 të K.Pr.Penale, ku thuhet shprehimisht se: “Çdo provë i nënshtrohet shqyrtimit dhe nuk ka vlerë të paracaktuar.”. Sikurse u theksua më lart, bindja e brendshme e gjykatës formohet nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre. Kjo kërkesë e ligjit ka për qëllim që të detyrojë Gjykatën që para se ajo të arrijë në përfundimin e saj, lidhur me vlerësimin e provave, të marrë në shqyrtim jo vetëm njërën anë të provës që bën fjalë për vërtetësinë e saj, por dhe anën e kundërt që e ve në dyshim ose e mohon këtë vërtetësi, që gjykata të mbështetet jo vetëm te një provë, por në disa të tilla, që duke i vlerësuar në tërësinë e tyre të lejojnë jo nxjerrjen e një përfundimi hipotetik, por një të vetëm dhe të pakundërshtueshëm. Në rastin konkret, duke qenë vetëm përpara një deklarimi të shtetasit N. M mbi ekzistencën e faktit të pretenduar prej tij, Gjykata nuk mund të nxjerrë një përfundim kategorik për vërtetësinë e deklarimit të këtij të fundit”, kanë arsyetuar dy gjyqtarët.

Dy vjet më vonë, inteligjenca amerikane konfirmon jo vetëm akuzën e mangët të prokurorisë, por edhe pastrimin e parave nga Partia Demokratike. (shqiptarja.com)

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …