LUFTA E DREJTË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Reagimi i tri instituteve: Prishtinë, Shkup, Tiranë lidhur me akuzat, që po u bëhen krerëve të luftës së UÇK-së

REAGIM
LUFTA E DREJTË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

 

Angazhimet e faktorëve ndërkombëtarë të kohëve të fundit për rifillimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje paqeje, kanë shpërfaqur një disonancë të faktorit Euro-Atlantik si dhe janë shoqëruar me një situatë të presionit ndërkombëtar mbi palët, por presioni për çudi po bëhet në mënyrë shumë selektive. Në njërën anë po ndodhë trajtimi preferencial i Serbisë, e cila vijon betejën kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse në anën tjetër Qeveria e Republikës së Kosovës, nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar, hoqi dorë si nga taksa 100% në raport me Serbinë, po ashtu dhe nga zbatimi i masës së reciprocitetit. Trysnia më e fuqishme ndërkombëtare është publikimi i propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, mbështetur nga Dhomat e Specializuara, në të cilën figurojnë emrat e dy nga ish-themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës dhe z. Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Serbia dhe shumë pjesëtarë të forcave të saj policore-ushtarake, që kanë kryer krime monstruoze të vërtetuara botërisht ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve në Kosovë, nuk janë vënë asnjëherë përpara përgjegjësisë ndërkombëtare, përkundrazi ata u shpërblyen dhe u privilegjuan nga kjo e fundit për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë. Populli i shumëvuajtur i Kosovës ndjen se po i kufizohet liria dhe të drejtat e tij, të arritura përmes rezistencës mbi njëshekullore kundër okupimit serb, po i cenohet arritja më e madhe drejtësia e luftës së UÇK-së dhe fitoret e arritura prej saj në bashkëpunim më Aleancën ngadhënjimtare të Atlantikut të Veriut.
Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e drejtë. Ajo drejtohej kundër një pushteti dhe pushtuesi, i cili përreth një shekulli përpiqej me zjarr dhe hekur për spastrimin e
përgjakshëm etnik të Kosovës. Lufta e UÇK-së, ishte në përputhje me vlerat themelore të lirisë së popullit shqiptar dhe me të gjitha parimet fondamentale të lirisë dhe ekzistencës njerëzore të çdo populli. Pavarësisht formulimeve juridike, për shqiptarët por edhe për këdo me gjykim të drejtë në botë, është e qartë se kush ishin çlirimtarët dhe kush ishin pushtuesit dhe agresorët, të cilët për të ruajtur sundimin e tyre me dhunë, kryen krime të shumta ndaj popullsisë civile shqiptare, të cilat bënë “xhiron e botës”. Asnjë institucion apo klauzolë juridike, nuk ka fuqi që të përmbysë të vërtetën historike, e cila është një dhe kalon shumë përtej klauzolave të tjera. Koha kalon, por nuk mund të mjegullojë të vërtetën historike e cila është e qartë si drita e diellit.
Ne si institucione shkencore që merremi posaçërisht me të vërtetën historike, apelojmë që propozim-akuzat të jenë të argumentuara dhe të bazuara në fakte në raport me të vërtetën e dëshmuar dhe jo në disproporcion me të. Duhen gjykuar krimet serbe të cilat ishin të përmasave aq të mëdha saqë morën trajtën e një gjenocidi etnik, fizik, politik, kulturor dhe fetar, i paramenduar dhe i planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake. Të gjitha këto kanë koston e vet, pa harruar për asnjë moment vrasjet e mijëra qytetarëve të pambrojtur shqiptarë, jeta e të cilëve nuk kompensohet me asgjë.
Pa hyrë në kompetencën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës, për ne si për këdo që vlerëson dhe respekton të vërtetën, është absurde të lihen krejt në heshtje krimet serbe që patën si rezultat vrasjen e rreth 12.000 civilëve shqiptarë të grup moshave të ndryshme dhe propozim-akuzat të fillojnë me drejtuesit e lëvizjes çlirimtare të këtij populli të shtypur që po i nënshtrohej një fushate të egër të spastrimit etnik, totale e përfundimtare, e cila është konstatuar dhe vërtetuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Në Kosovë, kundër popullit shqiptar luftoi ushtria, policia dhe të gjitha institucionet shtetërore serbe. Sipas të dhënave zyrtare të Qeverisë jugosllave, në luftën e Kosovës humbën jetën 1.008 policë e ushtarë. Nga kjo shifër, vetëm në Kosovë kishin rënë 819 pjesëtarë të forcave serbe (ushtarë, ushtarë rezervistë, vullnetarë, policë e policë rezervistë), të gjithë në ballafaqim me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe si pasojë e sulmeve të NATO-së. Ata ishin pjesë e efektivave aktivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), e rezervistëve të MPB, e efektivave aktive të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ), e rezervistëve të UJ dhe vullnetarë të saj. Gjatë shekullit të kaluar, shteti serb ka keqpërdorur në mënyrë flagrante edhe qytetarët serbë, duke i angazhuar në njësite policore dhe ushtarake, në luftë kundër shqiptarëve, qofshin ata të armatosur apo civilë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka luftuar forcat qeveritare serbe të përfshira në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, të cilat paraqisnin një kombinim kompleks të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe njësive të saja speciale, të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicisë lokale dhe një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e Qeverisë në Beograd. Në prill të vitit 1999, kishte 15.779 pjesëtarë të MPB-së. Më 31 mars 1999, Korpusi i Prishtinës kishte 17.971 ushtarë. Më 13 prill 1999, nën komandën e këtij Korpusi gjendeshin gjithsej 61.892 pjesëtarë të UJ, përfshirë njësitet e tjera të bashkëngjitura dhe vullnetarët. Kundër këtyre forcave të shumta, të armatosura mirë, me teknikën më moderne të kohës, ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Duke ju referuar memories historike, të cilën e perifrazuam në këtë reagim, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të nivelit shtetëror, vendimmarrës dhe atij akademik, opinionit krijues, gazetarë, humanistë dhe personalitete të shquara, që përgjegjësinë për krime lufte ta kërkojnë te agresori që është Serbia dhe jo tek drejtuesit e UÇK-së. Me këtë do të rikthenin shpresën dhe besimin tek populli i Kosovës dhe veçmas tek familjarët e civilëve të masakruar dhe të të zhdukurve, që bota demokratike gjykon drejtë dhe konform kësaj do të vendosë drejtësinë. E kryejmë këtë reagim me besimin e plotë tek Zoti, tek paanësia e drejtësisë ndërkombëtare dhe tek e drejta e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së saj.

Prishtinë, më 10.07.2020

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …