Luljeta Abdullahu: Ahmet Qeriqi, një figurë që duhet të jetë pjesë e enciklopedive shqiptare

Mjerisht, si popull, shpesh jemi të prirur ta mbivlerësojmë veten, pavarësisht se jo çdo bagazh peshon njësoj. Zakonisht, ato me peshën më të vogël depërtojnë më shpejt dhe, për fat të keq, bëhen më të dukshme në shoqëri. Kjo përkon edhe me ligjet e fizikës: atij që mban barrën më të rëndë dhe bagazhin më të madh, zakonisht i vjen radha vonë, shpeshherë vetëm pasi ai nuk është më në mesin tonë, ndonëse pikërisht mbi të janë ngritur themelet.
Çatitë mund të fluturojnë nga një erë apo stuhi e fortë; gjethet bien nga lëvizja më e vogël e ajrit, ndërsa rrënjët dhe trungu i përballojnë të gjitha stuhitë, edhe pse gjethet mund t’i rikthejnë vetëm pas një kohe. Kështu e kemi ndërtuar arsimin, shëndetësinë, edukimin, institucionet, deri te qeverisja: dija shpesh merret nga gjethet dhe jo nga rrënjët e trungu, aty ku gjenden themelet e qëndrueshmërisë.
Profesori Ahmet Qeriqi na e dëshmoi këtë me jetën e tij, duke sakrifikuar fillimisht veten, familjen, trashëgimtarët dhe një brez të tërë për një kauzë të vetme: lirinë e pakompromis të popullit të tij. Jeta dhe vepra e profesorit, si edhe e shumë njerëzve të ngjashëm me të, do të ishin një pasuri e jashtëzakonshme për shoqërinë, sikur të ishin pjesë e enciklopedive dhe e librave shkollorë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mësonin prej tyre.
Sa duhet të presim ende nga qeveritarët që e vërteta e këtyre tridhjetë apo dyzet viteve të hyjë në tekstet shkollore? Një shekull? Ashtu siç ne sot mësojmë për historinë e të parëve tanë dhe brezat e rinj e shohin atë si një tregim të largët, po të rrëfeheshin këto histori në kohën e duhur, ata do të ndienin më shumë empati, përgjegjësi dhe gatishmëri për t’i ruajtur e kultivuar vlerat kombëtare, e jo të tjetërsoheshin, siç po ndodh sot.
Kjo vlen për çdo fushë të jetës, por po e përmend shëndetësinë, sepse i përkas asaj. Shumë profesorë janë ndarë nga jeta, ndërsa disa të tjerë, megjithëse ende jetojnë, janë lënë në harresë. Dikur, përvoja dhe mësimet e tyre përbënin themelet mbi të cilat ndërtoheshin institucionet. Sot, gara materiale është bërë një ethe e pamëshirshme që, për fat të keq, po na largon nga humanizmi dhe po na afron me instinktet grabitqare.
Shpesh më kujtohet kënga e grupit Minatori: “Më vjen të qaj dhe më vjen të shaj”, sepse mendja njerëzore ndonjëherë nuk arrin ta përballojë padrejtësinë, hajninë, përbuzjen, nënçmimin dhe përvetësimin e mundit të tjetrit për interesa personale, të cilat në fund mbeten vetëm kënaqësi të shkurtra e kalimtare.
Prandaj kemi një shtet që ende nuk është shtet në kuptimin e plotë të fjalës, një shëndetësi jo të shëndoshë dhe institucione jo plotësisht funksionale. Jetojmë në një kohë kur nami blihet me para, kur forca matet me numrin e truprojave që të rrethojnë, ndërsa vlerat e vërteta mbeten në hije. Duket sikur kënga e grupit ABBA po përjetësohet çdo ditë e më shumë: bota lëviz nga paratë.
Respekt dhe nderim për atdhetarin, intelektualin model, sakrifikuesin e pashoq dhe qëndrestarin e rrallë, profesor Ahmet Qeriqi. Mbi të gjitha, nderim për vullnetin e tij për të lënë pas vepra autobiografike, historike dhe tragjike, si dokumente të çmuara për ndërgjegjësimin e popullit të vet.
Sa të varfër jemi shpirtërisht, ndonjëherë nuk e kuptojmë as vetë. I përjetshëm qoftë kujtimi i profesorit në këtë botë dhe në tjetrën. Zoti e pastë në mëshirën dhe mbretërinë e Tij, ndërsa populli nuk mund të ndryshojë, derisa vetë të dëshirojë ndryshimin.
Nderime të pafundme për profesor Ahmet Qeriqin

Kontrolloni gjithashtu

Maki BeAs: Baca ishte dhe mbeti “Një për të gjithë …”…

Baca ishte dhe mbeti “Një për të gjithë …”… KALENDAR HITORIK Një botë që çau …