Malisheva vazhdon të mbetet e qetë dhe stabile

Komuna e Malishevës vazhdon të jetë një prej vendeve më të qeta dhe më stabile në fushën e sigurisë së përgjithshme, në veçanti në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka rënie të vjedhjeve, por ka edhe rritje të zbulimit të rasteve të veprave penale. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila është drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Gjatë raportimit në këtë mbledhje, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, ka thënë se në raport me gjashtë mujorin e vitit të kaluar, gjendja është shumë më e mirë dhe në këtë ka ndikuar vendosja e kamerave të sigurisë në qytet. Gjatë raportimit dhe krahasimit me gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar, kapiteni Krasniqi, ka thënë se ka rënie të rasteve të vjedhjeve, ku nga 34 raste të regjistruara gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018, këtë vit janë regjistruar vetëm 5 raste, po ashtu edhe zbulueshmëria e rasteve është rritur për 20 për qind, dhe kjo sipas Krasniqit, “është rezultat i vendosjes së kamerave dhe rritjes së aktiviteteve policore për rreth 20 për qind më shumë”.

Sa i përket shërbimeve emergjente, sipas drejtorit komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, në gjashtë mujorin e parë ka pasur më pak raste emergjente. Ai po ashtu ka bërë të ditur se edhe për sezonin pranveror janë mobilizuar të gjitha shërbimet, sikur zjarrfikësit, ashtu edhe shërbimet shëndetësore. Sa i përket situatës me EHKK, Gashi ka bërë të ditur se është duke vazhduar dezinsektimi i zonave endemike, përkatësit deri më tani janë dezinfektuar 24 zona, të cilat llogariten si zona endemike.

Drejtori Gashi, gjithashtu ka apeluar për kujdes të shtuar ndaj zjarreve, pasi tashmë jemi në sezonin e korrje-shirjeve dhe mund të ndodhë të kemi zjarrëvënie të hamulloreve dhe kjo paraqet rrezik për të gjithë.

Temë tjetër e diskutuar në këtë mbledhje, ishte edhe siguria në shkolla dhe përfundimi i vitit shkollor, ku sipas drejtorit të DAE, Blerim Thaçi, siguria në shkollat e Komunës së Malishevës, është në nivel të kënaqshëm, pasi nuk ka pasur probleme dhe kjo falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë me Policinë e Kosovës. Sa i përket përfundimit të vitit shkollor, drejtori Thaçi, ka thënë se ky vit shkollor ka përfunduar me sukses të kënaqshëm, pavarësisht sfidave të krijuara sidomos nga sindikata e arsimit dhe greva e mbajtur, por rezultatet nuk kanë munguar. Kurse për regjistrimin në klasat e dhjeta dhe klasat e para, drejtori Thaçi, ka bërë të ditur se në gjimnaz është plotësuar numri i nxënësve, kurse në shkollat profesionale ka vende ende, të cilat pritet të plotësohen në fazën e dytë të regjistrimit. Thaçi, ka bërë të ditur se në klasat e para këtë vit, do të regjistrohen 65 nxënës më shumë dhe ky është një lajm i mirë.

Temë tjetër e debatuar në këtë mbledhje të KKSB-së, është sezoni i ardhjes së mërgimtarëve dhe siguria e tyre, sidomos në trafik, ku është bërë e ditur se janë marrë disa masa në këtë drejtim, kurse komuna ka bërë të ditur se nga 15 korriku, edhe oborri i komunës, do të jetë në shërbim të mërgimtarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …