Martin Çuni: Një rrëfim kalimthi

Martin Çuni: Një rrëfim kalimthi

… dhe më 27 mars 1999 serbët na bombarduan me dy aeroplanë.  Nusreti bile ende nuk ishte ngritur nga gjumi, kishim punuar deri në një pas mesnatës, duke u përpjekur që emisionet të na dilnin sa më profesionale… Të tjerët ishin zgjuar… I bombarduan të dy lagjet e Berishës, njëri aeroplan njërën anë  e tjetri të dytën… Më pastaj duhej të vendosnim çka të bënim. Berati dhe ca shokë që ishim aty, ishin të mendimit që të mos jepnim program përderisa ta mbaronim një bunker, ishim të rrezikuar ne edhe popullsia. Granatat raketat tokë tokë, pragat na gjuanin çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Një raketë e hedhur diku nga Kroni i Mbretit, e kishte goditur shtëpinë e Riza Berishës, që ishte para asaj ku qëndronim ne, për fat të mirë nuk kishte dëmtuar njerëzit, kishin pësuar kafshët. Ajo shtëpi ishte mbrojtja jonë e atij momenti.

Një herë tjetër kishte rënë një raketë e bukur te themelet e kullës së Tahir Berishës e cila nuk u mbarua kurrë, një dardhe kishte nxjerrë me rrënjë përpjetë Tash edhe aeroplanët, nuk na mbeti më vend aty…Nga aeroplanët pësuan njerëzit në lagjën karshi nesh, e jona jo… Ishte vrarë një djalë hasreti i Jakup Berishës dhe tetë të plagosur rëndë e lehtë…Pra Berisha u godit me kasetë bomba, të ndaluara me konventa ndërkombëtare. Nuk ishin shumë bomba, rreth 1600 syresh!

Dhe vazhdoj diskutimi për dhënien apo jo të programit. Shumica ishin për jo, se ishte rrezik i madh… Unë dhashë arsyetimin tim pse duhej dhënë. Tashmë ishte gjysma e ditës. Duhet dhënë për këto arsye, thash! Tanjugu kishte dhënë lajmin se u bombardua Radio Kosova e Lirë, dhe se ajo u shkatërrua! Ne po qe se nuk japim program sot, dëgjuesit tanë, pra populli edhe ushtarët, do të mendojnë me të drejtë dhe është logjike se radio e luftës u shkatërrua… Nuk po i dëgjohet zëri…!

Po do të japim program pas një jave a dhjetë ditësh, sapo ta mbarojmë një bunker, tha një shok!

Jo thash unë, pas dhjetë ditësh mund ta sigurojmë teknikën e re, kjo radio u shkatërrua! Ne sot duhet të lajmërojmë dëgjuesit se për disa ditë nuk do të japim program. Kështu përgënjeshtrojmë lajmin e shkieve, sepse kur informon se nuk do të japësh program, je gjallë, por nuk po don për ndonjë arsye. Dhe më në fund të gjithë u bënë njëzëri me mua! Shpejt e shpejt Ahmeti me Nezirin dhe shokët përgatitën lajmet.

Atë ditë binte shi bashkë me granata minahedhësish e arsenalin tjetër…E ngarkuam teknikën në xhip duke e mbështjellë me batanije si zakonisht, që të mos dëmtohej e të mos e lagte shiu… Programin e emetonim gjithmonë larg vendbanimeve, duke i ndërruar pikat, Maleve të Berishës… Shkuam kah përmendorja e Rifat Berishës. Atje ishte një gropë ku fshatarët kishin nxjerrë gurë. Ishim Unë, Nusret Pllana, Fatmir Dugolli, Riza Berisha e Valdet Hoti.

Nusret Pllana më tha, Martin, radion po e instalojmë në gropën e gurores, ku kishim dhënë programin e parë, ndoshta mu aty nuk ia qëllojnë predhat e minahedhësit! Aty e kemi edhe një dardhë ku do ta vejmë antenën si atëherë!

Jo i thash , i vendosur, aty nuk e vej teknikën, ai vend është i njohur se shumëkush na ka parë, e shqiptarët kanë merak të lavdërohen e ashtu ka marrë dhenë…! Mu ka irrituar ai vend, në midis livadhit do ta jap programin, aty jo! Ai u pajtua, sepse gjithmonë më kanë përkrahur kur duhej…

Në një mullar sane e kemi vendosur antenën, pranë gardhit, pra në livadh e bëmë  një strehë të mbuluar me najlon, se binte shi…Kisha edhe një frikë se mos na dislokonin vendin nga se predhat na binin afër e mund të dëgjoheshin në mikrofon… Gropën e gurores e kemi pasur rreth dyqind metra larg. Filluam me shpicën dhe lajmet, ishim kah mesi i emisionit, qëlluam edhe të kthyer kah gurorja, predha e minahedhësit ra në atë gropë, u bë tym e mjegull…

Pos tjerash dhamë edhe lajmin: Dëgjues të dashur të Radios Kosova e Lirë, disa ditë, për shkaqe taktike nuk do të japim program! Ju lusim për mirëkuptim! Dhe ishim “të pafat” …!

Sot asnjëri nuk do të ishim gjallë, pra ishim të pafat sepse tash do të na këndonin himne si heronjve te varrezat…! Ndërsa sot po shkruhen edhe libra që thonë se program kemi dhënë nga Radio Kuksi! Shemërim he loçkë, thonë Kumanova!

Kërkoj ndjesë, pa konsultuar asnjë shënim timin e bëra këtë shkrim, edhe se nuk ishim të goditur nga arsenali i llojllojshëm i armikut tonë, po goditemi nga arsenali më i ndotur  antishqiptar që nuk po na lë të marrim frymë, në asnjë pore të jetës…! As Zoti e as Luciferri nuk po na merr vesh!!!

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …