Mbahet mbledhja e 8-të e Kuvendit Komunal të Gjakovës

Është mbajtur mbledhja e 8-të e Kuvendit Komunal të Gjakovës, e cila filloj me një minute heshtje në nderim të ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi. Në këtë mbledhje  janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash të rendit të ditës, të cilat janë propozuar nga zyra e kryesuesit Anton Shala. Fillimisht, me propozim të Kryetarit të Komunës Ardian Gjini, janë hequr nga rendi i ditës 3 pika të propozuara, pasi, sipas kryetarit Gjini, të tria këto kanë nevojë për ndërhyrje procedurale para se të dalin në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. Bëhet fjalë për Propozim – Vendimin për Emërtimin e memorialit kushtuar të rënëve të LNÇ-së (eshtnores) me emrin Fadil Hoxha si dhe dy pika tjera që kishin të bënin dhënie në shfrytëzim të pronës komunale. Në vazhdim të takimit, kryetari Gjini ka dhënë raport për punët e realizuara gjatë 6 muajve të fundit, me ç ‘rast ka folur për situatën financiare të komunës si dhe ka përmendur disa prej projekteve kryesore që kanë nisur së realizuari. Më tej, drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, ka raportuar për situatën financiare për periudhën janar – qershor 2018, ndërsa gjendjen financiare e ka cilësuar si të mirë. Theks të veçantë drejtori Halilaj ka vendosur tek rritja e të hyrave vetanake, të cilat kanë qenë 7.58% më shumë se planifikimi ndërsa mbi 15 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Një raport para anëtarëve Kuvendit Komunal e ka dhënë edhe drejtori i drejtorisë për Arsim, Bernard Frrokaj, i cili ka thënë se gjysmë vjetori i parë është përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa ajo që gëzon më së tepërmi janë rezultatet e mira dhe niveli i lartë i sigurisë në shkollat e komunës së Gjakovës. Drejtori Frrokaj gjithashtu ka njoftuar se Komuna e Gjakovës qëndron shumë mirë edhe sa i përket krijimit të hapësirave dhe renovimit të objekteve shkollore. Në këtë seance, nga ana e drejtorit për Punë Inspektuese Nikollë Lleshi, është prezantuar edhe draft rregullorja për Shërbimet Publike dhe Rendin Komunal, rregullore e cila është vlerësuar lartë dhe është miratuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal. Për herë të parë në një mbledhje të Kuvendit Komunal është prezantuar edhe informata e realizimit të planit të punës së prokurimit, veprim ky që ndikon në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Komunës së Gjakovës.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …