Isa Mustafa

Mbijetesa politike e Isa Mustafës, nuk është rastësi, por realitet i një mendësie politike, që ka shumë mbështetës

Asnjë prej politikanëve të pas luftës, në vendin tonë nuk ka qenë më shumë i atakuar, i fyer dhe i përçmuar   nga kundërshtarët politikë, madje edhe në radhët  e partisë së vetë, sesa kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa.

Biografia e Isa Mustafës është ajo e politikanit, që e njeh artin e së mundshmes, që ka trasuar një rrugë, së cilës i mbetet besnik, natyrisht me oscilime, në kushte dhe rrethana specifike.

Isa Mustafa ka qenë dhe mbetet shembulli më tipik i politikanit pragmatist, i cili ka gjetur dhe gjen përkrahje me masat politike, pragmatiste, në rastin tonë pacifiste e durimtare, politikë kjo e cila nuk filloi me Ibrahim Rugovën, por ishte e tillë që nga koha e Perandorisë Osmane e deri në ditët tona dhe që është arsyetuar me fjalën e urtë: “Pushtetit biro, mos i hip, edhe nëse bëhet gomar!”

 Klasa pacifiste shqiptare iu ka përmbajtur për mrekulli edhe  fjalës së urtë e cila thotë: As para pushkës, as prapa mushkës, por diku në mes. Të jesh para pushkës, të merr plumbi, prapa mushkës të godasin shqelmat e saj.

Isa Mustafa ka stazhin më të gjatë të politikanit, në Kosovë. Dihet botërisht se ai nuk e ka mohuar aktivitetin zyrtar politik, të filluar  nga vitet 80-të të shekullit të kaluar, por për hir të së vërtetës, asokohe kohe ishte krejtësisht i panjohur, madje nuk i vinte as të këmbët titistëve të përjetshëm e të përbetuar, si: Azem Vllasi, Ali Shukrija, Xhavit Nimani, Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, e satrapë të llojit tipik  të vasalit, shpirt e trup shitur te i huaji.

Isa Mustafa nuk i ka përkrahur demonstrata e protestat e vitit 1981, ashtu sikur nuk i ka përkrahur 99 përqindëshi i politikanëve të Kosovës. Po në këtë masë kolosale partiake, kishte mjaft oportunistë, të cilët verbalisht e përkrahnin “Platformën e LKJ-së për çrrënjosjen e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, por nuk tregoheshin të zellshëm e të përbetuar në sloganin “Druze Tito mi ti se kunenemo, sikur kryepari i jugosllavizmit, Azem Vllasi me mercenarët e tjerë politikë.

Në vitet 80, Isa Musfafa nuk i takonte sofrës së parë, por as të dytë e të tretë të politikanëve. Ai ishte diku te dera, duke iu shërbyer sofrave. E kishte të vështirë të ngjitej shpejt në politikë, sepse ishte djalë hoxhe, madje i një hoxhe  me halle,  të cilin regjimi e kishte rrahur e maltretuar mizorisht, sidomos në Aksionin e Grumbullimit të Armëve në vitet 1955-1956. Ai kishte lënguar me muaj të tërë derisa e kishte marrë veten.  Isa Mustafa  asokohe ka qenë fëmijë, por besoj se kurrë nuk ka mundur t’ ia falë regjimit rankoviqist, keqtrajtimin mizor të babait dhe bashkëkombësve të vet.

Me të drejtë shtrohet pyetje, pse pra ai në kohën kur u shkollua dhe u rrit iu bashkua LKJ-së dhe veproi në atë platformë?

Njoh veprimtarë politikë, të cilëve regjimi titist- rankoviqist ua ka vrarë madje disa anëtarë të familjes dhe më vonë bijtë e tyre, janë bërë besnikë të verbër të regjimit. Njoh madje një ekzemplar, të cilit regjimi ia ka vrarë babanë dhe vëllanë, dy personalitete  të njohura kombëtare, por  dy vëllezër të tjerë kanë bashkëpunuar me shqiptarë-vrasësin deri në nivel kumbarie e vëllamërie, jo vetëm duke e qasur brenda në konak, por edhe për diçka më të zezë, më të njollosur. Dhe, mjerisht, për fatin tonë të keq e tragjik, është fakt i njohur historik se UDB-ja kishte thyer një pjesë të madhe të familjeve, familjarët e të cilëve i kishte vrarë ose dënuar me 20 vjet burg.

Faktet flasin, edhe pse janë të rënda dhe tërë njolla.

Njoh edhe të tillë që cilët sot janë sharësit dhe sulmuesit më të zëshëm  të Isa Mustafës e të tjerëve si ai, madje të tillë që i ka pasur dhe i ka brenda radhëve të partisë. Nuk do të ua përmend emrat për hir të familjeve e trashëgimtarëve të tyre, sepse ata nuk kanë faj për veprat e baballarëve të tyre.

Isa Mustafa, fillon të ngrihet në politikë, në vitet 90-të në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila përfaqësonte rreth 90 për qind të shqiptarëve, të të gjitha trashëgimive ideologjike, politike, madje edhe e një pjese më të njohur të kreut më militant kombëtar të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, por jo të 10 përqindëshit militant, asaj kategorie të qëndrestarëve që kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk iu kanë nënshtruar asnjë regjimit të huaj.

Isa Mustafa akuzohet se ka qenë pjesëtar i pushtetit marionet të Rrahman Morinës, në vitin 1988 në Kosovë, dhëndrit të Serbisë, por nuk ishte vetëm Rrahman Morina  dhëndër  dhe mik i pëbetuar i Serbisë. Nuk e di cili ka qenë funksioni konkret i Isa Mustafës, por dihet botërisht se ai nuk ka punuar në UDB, nuk ka qenë inspektor terrorist, si mijëra shqipfolës, por zyrtar politik, oportunist, gjithsesi.

Për periudhën e veprimtarisë së tij politike në radhët e LDK-së nuk do të flasim, sepse nuk kemi  për çfarë e kritikojmë. Nën udhëheqjen e tij LDK-ja e ka mbajtur për 14 vjet postin e kryetarit të Prishtinës, ka fituar në disa palë zgjedhje vendore e të përgjithshme, duke marrë votën e qytetarëve të Kosovës, votën e qindra mijëra njerëzve, të cilët kanë mundur të mos ia japin dhe të cilët e njohin sa unë, madje shumë syresh e njohin edhe më mirë se unë.

A mund t’ i quajmë kriminelë, titistë, rankoviqistë të gjithë ata shqiptarë që e kanë votuar, Isa Mustafën e LDK-së, sikur bën për shembull Veton Surroi, jo për Isa Mustafën por për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn, kur konsideron se të gjithë ata që e kanë votuar Hashim Thaçin e të tjerët, kriminelë e të korruptuar, si dhe komandantët e luftës, janë njerëz që pajohen me krimin, pra qenkan  kriminelë, ndërsa të gjitha ata  4 për qind që e kishin votuar Surron dhe Orën e tij, të ndalur përgjithmonë,  ishin patriotë të vërtetë, bijë e bijat e zyrtarëve dhe ambasadorëve të Titos e të Jugosllavisë.

Janë këto paradokse tipike të trashëguara në kromozome e gjene nga mbetjet e së kaluarës së gjatë nën robërinë shumëshekullore.

Jam prej atyre që e kam kritikuar pacifizmin politik  brenda LDK-së, kam kritikuar Ibrahim Rugovën, por nuk kam sharë e fyer. Tani besoj se kritika ime më shumë i ka bërë shërbim LDK-së, sesa i ka ftohur njerëzit nga kjo parti, sepse njerëzit që nuk mendojnë me kokat e tyre, por me turrin e masës dhe të fushatave,  sot të lavdërojnë, nesër të shajnë, pastaj prapë të lavdërojnë po pa kërkuar falje dhe kështu ata “xhezdisin” sa të jenë të gjallë.

Sa ka burrëri, njerëzi, moral, vetëdije dhe sens politik,  një politikan i cili nuk ka lënë pikë të zezë pa ia veshur, Isa Mustafës, të tjerë që e kanë gjuajtur me vezë, të tjerë që e kanë sulmuar në pronën e tij, të tjerë që kanë bërë përpjekje t’ ia veshin të gjitha të ligat, dhe në fund pa i kërkuar falje i kanë kërkuar bashkëqeverisje, por me kusht që ai i paragjykuar hipotetikisht si“njeri me prejardhje  të keqe politike” të nënshtrohet dhe duke e vendosur në pozitën e inferiorit, të kërkojë nga ai dhe partia e tij t’i lajnë  mëkatet e “të qenit bashkëpunëtor i Rrahman Morinës, madje edhe i Milosheviqit, duke mohuar se në partinë e vet kishte ekzemplarë të tillë, madje shumë më të njollosur, sesa pretendohet se është i njollosur, Isa Mustafa, apo krejt LDK-ja.

Kjo ka ndodhur, por tërë kjo fushatë jo vetëm që nuk e mposhti Isa Mustafën as LDK-së, përkundrazi.

Mbaj mend një konstatim brilant të Bacë Adem Demaçit, kur ishim bashkë në Partinë Parlamentare të Kosovës, diku në fillim të vitit 1997. Asokohe, ne militantët fajësonim për gjithçka Rugovën. Një ditë, derisa po bisedonin dhe po e akuzonim Rugovën  pse nuk po e konstituonte Parlamentin e Kosovës,  ai tha:

Dëgjoni  bacën, edhe ne po e ngjyejmë kafshatën atje ku po e ngjyen Rugova, por ai e ka kafshatën më të madhe dhe po e fshin krejt “kalanicën”, neve po na mbetet ta gërryejmë atë trohë që ka mbetur.

Demaçi nuk u ndal me aq,  po na rrëfeu edhe një fjalë  të urtë të një shkrimtari serb, i cili kishte thënë: Gotovo svi jedemo govna a kazhemo da su zhumance. ( Gati të gjithë po hamë m… por po themi se po hamë të kuqtë e vezës). Dhe kishte përmbyllur konstatimin e tij me fjalët pajtuese:

-Mos ta teprojmë,  se asgjë më shumë nuk po bëjmë as ne. Do të shohim çka do të bëjnë, ata që kanë marrë rrugën tjetër. (Asokohe Adem Demaçi kishte kontaktuar ilegalisht me Adem Jasharin, por vizitën e tij e mbanim fshehur)

Në kontest të rezonit të Adem Demaçit, e them me përgjegjësi se shumica e  politikanëve të Kosovës, pa asnjë dallim ngjyejnë në të njëjtën “kalanicë”,  që e ka emrin “Buxhet i Kosovës”, ( për të cilin bëhet lufta e ashpër dhe e shfrenuar  politike) dhe në  të cilin buxhet,  secili gëlltit  sipas madhësisë të kafshatës, por dikujt që ngutet për të ngjyer sa më shumë, kafshata i ngel  në fyt. Të gjithë ata e hanë, e gërryejnë atë  buxhet dhe nuk skuqen fare, sepse këtë ua lejon  rendi shoqëror demokratik, kapitalist. “Peshku i madh, bija ime,  ushqehet me peshkun e vogël, ai i vogli me ata që janë më vegjël, dhe ata shumë-shumë  të vegjël nuk ushqehen fare sepse gëlltiten,  ende pa u ushqyer, thotë shkrimtari i njohur turk, Orhan Hançerliogllu,  në tregimin: “Peshq të mëdhenj”.

Nuk e kam ndërmend ta marr në mbrojtje, Isa Mustafën, sepse ai nuk ka asnjë nevojë për mua, as më njeh, as i interesoj fare. Pastaj jam në mesin e tyre që e kam kritikuar dhe e kritikoj, po aq sa Thaçin, Kurtin, Veselin e të tjerë. Bëj përpjekje t’ i kritikoj me gjuhën e fakteve, por jam i vetëdijshëm se jo gjithherë  godas në shenj.

Këtë shkrim dhe sqarim ua kam borxh disa bashkëpunëtorëve të Radios-Kosova e Lirë, të cilëve nuk ua botoj shkrimet ky fyhen dhe shahen politikanët, pa fakte ose thjesht për t’ i bërë shërbim njërës apo partisë tjetër. Disa prej tyre janë hidhëruar dhe kanë ndërprerë bashkëpunimin, sepse kanë menduar se unë duhet të mendoj si ata dhe dashur pa dashur ta përkrah, Albin Kurtin, pasi  ai është i pagabueshëm dhe ne të tjerët nuk kemi pse të dyshojmë në vizionin e tij, ne jemi pionët në  lojën e shahut të tij politik.(!)

Vetëvendosjen e kam përkrahur pa asnjë rezervë,  atëherë ku kam menduar se ka të drejtë, por kurrë nuk kam menduar se ajo ka të drejtë, në të gjitha veprimet. Nuk i kam përkrahur, por i kam kritikuar veprimet e fundit, sidomos prej zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019. Në Vetëvendosje është mbjellë, “kulti i individit” mbase edhe pa dashjen e Albinit dhe tani ai e ka shumë të vështirë  të lirohet nga “kulti” i politikanit të pagabuar, sepse edhe po të dojë,  nuk e lënë të tjerët përreth. Kurti kishte mundësi ta propozonte një kandidat nga radha e partiakëve të tij dhe të mos përmbysej koalicioni, por ai  dhe të tjerët rreth tij të cilët e konsiderojnë “Zot” politik, nuk vepruan në akord me mundësitë që i ofron Kushtetuta. Ai mendon se është i pazëvendësueshëm dhe ashtu besojnë të gjithë ata që i vënë pas.

Isa Mustafa nuk ka krijuar kult, as mund të matet kurrë  me kultin e Ibrahim Rugovës. Ai është politikan pragmatist, jo idealist si Albin Kurti. Hashim Thaçi përzien pragmatizmin dhe idealizmin sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara. Ngritja e tij dhe qëndrimi në postet më të larta të Shtetit ë Kosovës, gjatë këtyre 22 viteve janë me prejardhje nga meritat e luftës, por edhe nga kalërimi tejet i shkathët i tij  në botën e politikës makiaveliste.  Thaçi ka treguar me vepër se di të dredhë e të zhdredhë, por edhe kësaj,  “dredhjeje e zhdredhje ” i vjen  fundi, ashtu sikur i vjen çdo gjëje në këtë botë.

Ahmet Qeriqi

23. 6. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …