Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi, shpalli Pavarësinë e Kosovës, ngjarje madhore me përmasa gjithëkombëtare

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Kanë kaluar 17 vite, qyshkur më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës, shpalli Pavarësinë e Kosovës, ngjarje madhore me përmasa kombëtare, që shënon fundin e historive të pushtimit  dhe fillimin e epokës së çlirimit e bashkimit të trojeve shqiptare.

17 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës, shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi, njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.  Shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i qëndresës shekullore dhe i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas një rrugëtim të gjatë e tejet të mundimshëm historik nën robërinë serbe.  Pas përfundimit të luftës, në qershor të viti 1999 dhe çlirimit të vendit edhe me ndihmën e NATO-s, si  dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në vendin tonë, në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Më 17 shkurt të viti 2008, në Kuvendin e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë e kishte lexuar kryeministri, Hashim Thaçi, ndërsa të parët e kishin nënshkruar, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri, Thaçi, më pas edhe deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit.

 

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke e kundërshtuar këtë akt kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, se gjoja Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.  Sot në 17-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, nuk i kemi në mesin tonë  dy protagonistët kryesorë e nënshkruesit  e Deklaratës së Shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi, dhe  disa krerë të tjerë të luftës dhe të paqes, të cilët  po mbahen në paraburgim, në Gjykatën Speciale, në Hagë, të akuzuar padrejtësisht për gjoja krime lufte.

Ende po mbahen  të pandehur në burgun e Hagës, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, ndërsa në vuajtje të dënimit Salih Mustafa dhe Pjetër Shala

Ky është përvjetori i pestë, të cilin e shënojmë pa protagonistët kryesorë të Shpalljes së Pavarësisë: Jakup Krasniqi asokohe kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës. Të dy këta dhe gjashtë çlirimtarë të tjerë, ndodhen në burgun e Sheveningenit të Gjykatës Speciale, në Hagë, të akuzuar padrejtësisht për gjoja krime lufte.

 Sot festojnë liri-bërësit e Kosovës, luftëtarët e lirisë, veteranë e invalidë, familjarë të dëshmorëve e martirëve. Sot po ashtu festojnë edhe ata që gjatë luftës kishin ikur nga Kosova, por edhe ishin kthyer përnjëherë sapo kishte mbaruar lufta, sepse më shumë e deshën jetën sesa vdekjen e mundin për atdhe. Edhe ata kanë meritat e tyre, sepse e kanë dashur Kosovën edhe në kohë të robërisë, por sot e duan edhe më shumë, në kohën e lirisë. Sot e përkujtojnë këtë ditë edhe ata që nuk kanë dhënë as edhe një qime floku për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por festojnë sepse Kosova është e të gjithëve, sepse askush nuk ka të drejtë t i thotë tjetrit mos u gëzo, mos festo. Sot festojnë edhe ata që janë betuar të mos ua përmendin as  emrat çlirimtarëve dhe protagonistëve të Shpalljes së Pavarësisë. Ata që në kohën e Shpalljes së Pavarësisë e kishin mohuar atë,  e kishin mohuar flamurin e saj, duke e quajtur vetëm një “leckë”, e kishin mohuar himnin e saj.

Sot festojnë edhe kundërshtarët e luftës së UÇK-së, edhe bashkëpunëtorët e regjimeve pushtuese, mbase edhe disa nga familjarët e atyre, që dëshmojnë me fytyrën mbuluar në Gjykatën Speciale kundër krerëve të luftës. Pse jo, Kosova ka vend edhe për ata. Edhe ata e kanë atdhe Kosovën. Edhe ata e duan vendin e tyre, e duan pavarësinë për të cilën nuk kanë dhënë asgjë, por vetëm kanë marrë e marrin, sepse kështu bëjnë shumë nga njerëzit, jo vetëm te ne, por edhe në vende të ndryshme të botës.

Sot festojnë edhe boshnjakët, turqit  ashkalijtë, egjiptasët, romët, pse jo edhe shumë nga serbët, të cilët nuk po arrin t’ i manipulojë regjimi i ministrit të Millosheviqit gjatë luftës, kryetari aktual i  Serbisë, Aleksander Vuçiq. Sot, Kosovës i mungojnë  vetëm fizikisht më meritorët, në mesin e të gjallëve. Edhe pse larg nga Kosova, edhe pse të burgosur e të prangosur padrejtësisht,  edhe ata festojnë bashkë me ne, sepse i kanë besuar lirisë para se atë ta sillnin, i kanë besuar fitores, të cilën edhe e kishin  bërë realitet, i besojnë ardhmërisë së lirë e të bashkuar, sepse janë shtylla të idealizmit Ademjasharian e Ademdemaçian.

Sot, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala,  janë bijtë më të dashur e më të përkushtuar të lirisë së Kosovës, pavarësisht se dikush mund të mendojë e mund të shprehet ndryshe, pavarësisht përpjekjeve për inkrimiminin dhe përbaltjen e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare nga qarqe të ndryshme nga brenda e nga jashtë. Kosova sot po mbrohet në Hagë. Atë e mbrojnë dinjitarët dhe rojtarët e saj, e mbrojnë zëdhënësit e Komandantit të pavdekshëm, Adem Jashari, e mbrojnë bashkëluftëtarët e dëshmorëve, heronjve e martirëve të rënë për Atdhe, për Kosovën e lirë e të pavarur, për Kosovën plot shpresë, dinjitet e krenari të ligjshme kombëtare.

Kosova sot përkujton me pietet, respekt e nderim,  të rënët për Atdhe, përkujton të rënët por edhe të gjallët, përkujton dinjitarët çlirimtarë, përkujton ditët e rënda të robërisë, por edhe vitet plotë rreze lirie të çlirimit nga robëria shekullore. Ata sot vizitojnë Prekazin legjendar, Gllogjanin historik, Mejen martire, Reçakun e dhembjes e krenarisë, përkujtojnë vend-rëniet e vend-ngritjet e lirisë. Sot me Kosovën janë bërë bashkë të gjithë shqiptarët liridashës, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, në Çamëri, në mërgatë dhe kudo ku ka shqiptarë, që në zemrat dhe mendjet e tyre e kanë kujtimin dhe dashurinë për atdheun, lirinë, demokracinë dhe përparimin. Sot edhe bota demokratike  përparimtare përkujton Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, pasi edhe ajo ka meritat e veta. Miqtë e vërtetë të Kosovës përkujtojnë këtë ditë, që shënon një fitore të drejtësisë, një fitore historike të një populli që ka vuajtur nëpër shekuj nën kthetrat e sundimtarëve të ndryshëm, por që ka mbijetuar me sakrifica të mëdha e të mundimshëm.

Ahmet Qeriqi

Përditësuar

16. 2. 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …