Mehdi Gurra: E vërteta e misionarit protestant, Edwin E. Jacques, për fenë islame dikujt i djeg, por duhet të dihet

Mehdi Gurra: E vërteta e misionarit protestant, Edwin E. Jacques, për fenë islame dikujt i djeg, por duhet të dihet

Një misionar protestant, me disa vite të kaluara në Shqipëri, u ul gati tetëdhjetë vite më parë të shkruajë tezën e magjistraturës. Pas hulumtimesh e mbledhje materialesh, kishte zgjedhur për të një temë që kërkonte kurajë në të shkruar. Përfundimet e punimit të tij ishin shpesh dramatike, përvëluese, ndoshta të papërtypshme, por sidoqoftë, pa dyshim, tejet të guximshme.

Edwin E. Jacques, historian e studiues amerikan, i kaloi vetëdijshëm kufijtë e një misionari të thjeshtë protestant, pa e hequr nga mendja pozitën e tij. Studimi i bërë për islamizimin e Shqipërisë nuk kishte vetëm konture historike; brenda kontureve fetare të trajtesës ai përdori fjalë të ligë  për terrenin ku shtrihej islamizimi.

Arsyet pse ky punim është përmendur fare pak deri më tani duhen kërkuar, me të drejtë, besoj, te përfundimet e nxjerra nga autori. Në to duhet kërkuar dhe mungesa sot e gatishmërisë nga ana e bashkë-fetarëve të tij për ta parë atë të botuar në shqip.

Pakënaqësia e tyre për botimin në shqip ka qenë e hapur!

Për teologun Ismail Bardhi, shkruesin e parathënies së botimit në shqip, “Islamizimi i Shqipërisë nën turqit”, është një sfidë e madhe kombëtare, fetare, kulturore dhe institucionale. Prandaj, guximi i autorit Edwin E. Jacques për ta shkruar atë tezë do të mbetej i pamjaftueshëm nëse nuk do të gjendej dhe guximi për ta botuar në shqip.

Guxim të cilin e pati Fondacioni “Alsar”!

Shkrues dhe i një tjetër vepre voluminoze për shqiptarët, Edwin E. Jacques jetoi, punoi e veproi në Shqipëri mes viteve 1930-40 të shekullit të kaluar. Në Korçë, një ambient i përshtatshëm për misionin e tij, ai filloi të qartësojë idetë për atë që i dukej një anomali, orienti në oksident, Shqipëria myslimane! Misionarin protestant duhen ta kenë munduar disa pyetje gjatë kësaj periudhe.

Më këmbëngulëse mes tyre duket të ketë qenë ajo se pse përqindja e konvertimeve ishte më e madhe në Shqipëri se gjetiu. Përgjigjja ka realitet brenda, një realitet me të cilin pakkush ka dëshirë të përballet.

Objektivitetit të autorit mund t’i vihet pikëpyetje nga ata të cilët do të mbeten të pakënaqur me përfundimet e punimit, e që sigurisht do të jenë shumë, veçse nuk mund të mohohet serioziteti i plotë në të shkruar.

Atë, e kanë ndihmuar burime të shumta në mëtimin akademik për t’i vënë në binarë të qëndrueshëm idetë në mendje. Shumë nga këto burime janë cituar për t’i ardhur në ndihmë tezës.

Katër kapituj bëjnë një shtjellim të plotë në kohë dhe hapësirë; analizohet gjithçka, nga hyrja e krishterimit në Shqipëri te joshja e Islamit për natyrën e shqiptarit.

Një kapitull më vete i kushtohet Krishterimit shqiptar, pretendimit për themele apostolike, për të cilin shkruesi i tezës thotë se është i pamundur një pohim pozitiv, përkundër peshës së mundësisë.

Kapitulli i dytë pason të parin kronologjikisht, duke na sjellë te historia e Shqipërisë nën turqit. Një analizë e gjatë historike trajton figurën e Skënderbeut, të administrimit turk, të organizimit të Krishterimit shqiptar, të rebelimeve shqiptare kundër turqve, të autonomive lokale dhuruar guvernatorëve lokalë, të masave reformatore, të rilindjes kombëtare.

 Qëndrimit osman ndaj Krishterimit, në pikëpamje të përgjithshme, i janë lënë paragrafe më vete, ku lexojmë për politikën liberale të habitshme të qeverisë osmane, për liritë dhe privilegjet e dhëna jo muslimanëve.

Për politikat turke që ndikuan në islamizimin e Shqipërisë flet kapitulli i tretë. Këtu e në vazhdim, deri në fund të punimit, parashtrohen aspektet objektive dhe subjektive të islamizimit. I thelluar në studim, qartas me njohuri të gjera, autori citon në këtë kapitull porosinë kuranore se “Nuk ka detyrim në fe”.

 

Mungesa e unitetit fetar në Shqipëri, karakteri dekadent i krishterimit shqiptar, botëkuptimi materialist i shqiptarëve dhe joshja e islamit për natyrën shqiptare, renditen në kapitullin e katërt si karakteristikat që e ndihmuan islamizimin.

Edwin E. Jacques i bën shumë njerëz të ndihen ligsht me ato çfarë do të lexojnë në këtë pjesë. Mes shumë përshkrimeve të ashpra të autorit, më duket me vend të citoj vetëm fare pak gjë, sa për ilustrim, “Doktrina dekadente ortodokse dha fryte në të jetuarit dekadent heterodoks. Krishterimi ishte reduktuar në një cikël të përciptë ceremonish dhe detyrash, një zëvendësim joshpirtëror i akteve formale të devotshmërisë për të jetuarit etik të krishterë.”

Kur flet për botëkuptimin materialist të shqiptarit, autori thekson se ai e mban fenë lehtësisht mbi shpatullat e tij, se faktor vendimtar për shqiptarët nuk është fetarja, por materialja. Shqiptari ishte materialist, shkruan ai, i paprekur nga konsideratat shpirtërore kur këto binin ndesh me interesat e tij materialiste. Në këto karakteristika i sheh shkruesi i tezës, misionari protestant, më së tepërmi arsyet e islamizimit.

“Islamizimi i Shqipërisë nën turqit” është një punim i shkruar shumë e shumë kohë më parë, por aspak i vjetruar. Pa ndjeshmëritë që zakonisht e mbërthejnë një studiues apo akademik vendas dhe që nuk e lënë të pohojë gjithçka, Edwin E. Jacques na ka dhënë këndvështrimin e tij mbi islamizimin e Shqipërisë. Krahas kësaj, ai vë në dukje se udhëheqësit e vendit po përpiqen dëshprimisht që nga krijimi i Shqipërisë së lirë ta shuajnë ndërgjegjen fetare të popullit, e se mbi këtë bazë shteti ka miratuar politikën e mirënjohur të marrjes nën mbrojtje të fesë me qëllim që ta dobësojë atë!

Edwin E. Jacques nuk na ka dhënë një histori të thjeshtë islamizimi; teza e tij ka në të shumë më tepër se ç’na sugjeron titulli. E vërteta e këtij misionari protestant ndoshta djeg, por duhet mësuar!  (Vizion)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …