Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Me tenxhere e tepsia nuk mbrohet Qeveria!

Një  sqarim për fillim…

Populli nuk e ka votuar dhe as e ka zgjedhur këtë koalicion Qeverisës! Këtë e keni bërë ju, me vet dëshirë, pavarësisht çmimit që do paguani. Kreu i VV-së, sa pa zbardhur dita, me rrapëllima kishte trokitur në dyert e LDK-së, duke i rënë në gjunjë zotit Mustafa për të kurorëzuar këtë koalicion të pazakontë!, këtë kurorëzim VV-ja, e ka bërë me vet dëshirë e përulje para LDK-së! Ky gjest i VV-së, në një nuancë të konsiderueshme, ia ka rritur kuotën e numrit të votave LDK-ës, në veçanti nominimi i znj. Osmani ka shpëtuar LDK-në nga rënia rapide!

Pse ishte një kurorëzim i pazakontë i këtij koalicioni? Shumica e subjekteve politike që operojnë në Kosovë, nuk janë të vetëdijshme se programi i tyre politik, ekonomik, social, zhvillimor etj, mbështetet pikërisht mbi përcaktimin e tyre politik si parti të djathta apo të majta, sociale, nacionale, fundamentale etj, Prandaj, ishte aq e palogjikshme që VV, me një përcaktim të qartë social të majtë, të bëj koalicion me një subjekt tjetër, që në esencë veç emrit e djathtë, nuk ka as një ide dhe as gjë të përbashkët me subjektet e kësaj natyre, ketë subjekt më shumë e karakterizon papërgjegjshmëria e veprimit! LDK, ketë “martesë për letra!” e kishte bërë me vetëdije të plotë, duke siguruar kështu primatin e prishjes së “letrave”, kur ata të duan.

Dorën në zemër, vota e popullit ishte në masën e diferencës së vogël mes numrash, duke ju vënë në ranglistën e parë VV-në, të dytë LDK-në dhe të tretë PDK-në e kështu me radhë. Populli, më së paku është përgjegjës për këtë koalicion, prandaj mos u thirrni në emër të tij. VV, e vetëdijshme, më shumë se asnjëherë më parë, ishte hequr gati zvarrë për të bërë koalicion me një subjekt politik të cilin e kishte njohur shumë mirë, dhe ishte sprovuar me te, më rastin e VLAN-it! VV, sot, nuk ka të drejtë të zhgënjehet në LDK-ën, ngase LDK, nuk ka ndryshuar kursin politik, por duhet të zhgënjehet në vet-veten e saj, ngase vet VV-ja kishte rënë në lajthitje të pariparueshme, Prandaj nuk ka kujt t’i qahet, dikur pleqtë na thoshin: “ Vafshë pa të keqe të askujt biro!”… e gjitha kjo, VV-së, do t’i kushtoj kohë për të u rikuperuar.

Qe në fillimet e para të fushatës elektorale, VV, kishte rënë në mënyrë tragjik-komike në kurthin e LDK-ës, duke i karantinuar me vija të kuqe gati të gjitha subjektet tjera politike! Ky ishte suksesi i parë i LDK-së, e cila tanimë kishte futur në dorë një subjekt politike, mbi të cilin do të ushtronte rolin e tutorit; gjithmonë me kërcënimi se t’i prishi “letrat!”, se Kryeministri i Republikës së Kosovës kalon përmes zyrave të LDK-ës etj.

Sprova e kushtëzimit të LDK-së, mbi VV-në, po jepte rezultate të reja; si me vonesën e rezultatit të zgjedhjeve, me mospranimin e rezultatit deri në momentet e fundit, me numrin e dikastereve ministrore dhe përzgjedhjen e tyre sipas shijes së LDK-ës, në vazhdim, detyroj VV-në që të s’postoj krye kuvendarin Konjufca duke e vënë VV-në para aktit të kryer se: “Unë t’i prishi letrat!”. Në fakt, ky koalicion i letrave sa për të bërë një Qeveri të brishtë që do t’i pamundësohej të veproj lirshëm, sikur nuk i shërbej askujt, Qeveri me zorrë për këmbë, që nuk mundi të kontribuoj në asnjë lëmi e cila nuk e kishte fuqinë, pasi që partneri i koalicioni e pamundësoi punën e saj me stilin e mos dëgjueshmërisë etj.

Edhe debati gjatë seancës maratonike që u mbajt, ku edhe shkarkuan  Qeverinë Kurti, ishte i zbehtë dhe i pa kurriz: në shumicën e rasteve, përfaqësuesit e VV-së, sikur i qanin hallin LDK-së, se nëse votojnë mocionin, ajo, pra LDK nuk  ka me kë të bëj koalicion, se është nonsens koha që po mbajnë këtë mocion për shkak të virusit, se do duhej të shtyhej më vonë etj.

Jo, zotërinj të VV-së, jo, mos e qani hallin e LDK-së, qani hallin tuaj!?, LDK, nuk e ka këtë problem. Ky subjekt është aq “parimor”, sa që nuk ka lënë subjekt politik në Kosovë pa bërë koalicion me te, dhe që të gjithë i ka lënë në baltë kur ia ka dashur nevoja, madje edhe juve, tani për herë te dytë pas VLAN-it! Dhe dikush që mashtrohet për herë të dytë, tagrin e lajthitjes duhet ta paguaj dy herë më shtrenjtë!, në vazhdim, rënien e cilësdo Qeveri, nuk e shpëtojnë dot as viruset, as epidemitë tjera gripoze e sezonale.

VV, ngadalë, duhet kërkuar llogari në adresën e vet, duhet t’i hapi portat  me kujdes, dhe të shoh shkarjet që ka bërë përgjatë rrugëtimit të saj: “E vërteta duhet të thuhet me guxim, edhe atëherë kur është e hidhur!” VV, linçoi nga radhët e veta militantë më të besuar të saj, koka të përkushtuara në shërbim të çështjes kombëtare, me përgatitje të kënaqshme intelektuale, si. zoti Imeri, Ahmeti, Sejdiu, Molliqi, Pantina, Topalli, Qaushi, Krasniqi e dhjetëra tjerë… mëkati i vetëm i tyre ishte guximi i të menduarit ndryshe!… (me kaq sa dihet deri me tani), janë lënë në  margjinë edhe shtyllat kryesore të VV-së si. Zoti, Hyseni- Kaloshi, Aliu, Lajçi, Kurteshi një dhe dy, Xhemaili, Bislimi e dhjetëra tjerë. Tani është krejtësisht i papranueshëm, krejtësisht, fakti i katapultimit të figurave të pamerituara dhe kontroverse në majat e Qeverisë!, kjo ka irrituar qytetarët e ndershëm dhe anëtarësinë tuaj në masë të madhe…

Pyetja e radhës që do të shtron anëtari i thjeshtë i VV-së është: Prej nga u bënë më të afërt dhe më të besueshme për Albinin; Mustafa, Lutfiu, Veliu etj, se sa Shpendi, Visari, Molliqi, Krasniqi, Pantina, Sejdiu, Topalli e dhjetëra figura tjera që ishin shtylla e VV-së!? Kjo çështje duhet rishikuar. Nuk duhej të bëhet aq lehtë mik i sotëm, një kundërshtar i deridjeshëm, dhe armik i nesërm një përkrahës i deridjeshëm, fundja është çështje e reflektimit të subjektit në fjalë.

Kjo Qeveri, ishte e dedikuar të bjerë, që në nismën e fushatës së saj elektorale, kur ishin gudulisur aq shumë për faktin se do bënin koalicion me LDK-në, ngase bashkë me LDK-në, do luftonin korrupsionin, nepotizmi do luftonin krimin e organizuar dhe keqpërdoruesit e buxhetit të shteti, se do luftonin atë dhe këtë, se do bëni ç’kapjen e shtetit, gjyqësisë etj, kjo nuk ishte bindëse, për më shumë ishte sarkastike, kjo komedi nuk mund të kishte dy episode!, një miku im Gjini, pati thënë me sa zë pati: “Pse me LDK-në!”, dhe ai kishte të drejtë!…

Arsyeja tjetër e dështimit ishte edhe motivimi për t’u hakmarrë mbi subjekte të caktuara, dhe kjo trumbetohej fare hapur!? Jo, Nuk bëhen gjërat duke u nisur nga motivi për hakmarrje, por nga motivi për të zbatuar dhe për ta forcuar ligjin dhe shtetin, ku do të jemi të gjithë të barabartë dhe përgjegjës, për të mirat dhe të ligat që bëjmë në dëm dhe dobi të shtetit.

Mos u shqetësoni, për të gjithë ata që njohin politiken dhe artin e saj, kjo ka qenë e pritshme, kjo Qeveri u formua në minutat e fundit, dhe ra në minutat e parë, ende pa u ngritur në detyrë, dhe nuk kishte si të ndodhet ndryshe, partneri i koalicionit të letrave e kreu misionin e vet! Nuk duhet mohuar faktin se në LDK, ka edhe figura të përkushtuara që punojnë me ndershmëri e atdhedashuri, të cilët së shpejti do ta thonë të vërtetën e madhe. Të gjithë juve, shokë, miq, subjekte politike, intelektual, shoqata, akademikë dhe njerëz të vullnetit të mirë: mos i mohoni miqtë dhe mbështetësit e vjetër!…

Të dashur qytetarë, mbrojtja dhe fuqia e Qeverisë, varët nga vota e juaj, Qeveria  mbrohet me votë dhe jo duke e rrahur me shkop fundin e kusisë!

Nuk mbrohet Qeveria (cilado qofte ajo), duke rrahur me shkop tenxhere e kusia!

 

 

26.03.2020

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …