Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Për pak çaste

 

Për pak çaste 

flakë e verdhë kandili në venitje

nën hijen tënde

pak çaste kalova

strukur

fshehur

prehur

dehur 

me ndjenjën e fshehjes

ai duket e nuk fiton asgjë

me ndjenjën e dukjes

ai humb

shumëçka nga qenësia e vet

në kapërcim të ylberit

jo

ai nuk humbi burrërinë

atë që nuk e kishte

nuk e humbi

për pasojë

mashkull mbeti 

 

çaste trishtimi

vite pritjeje

të ardhjes në ikje

të hutuar

fjetur

e zgjuar 

 

si në lojë

pak çaste ia fala ëndrrës tënde

ani pse sot nuk është ditë feste

festojmë

nuk është ditë ashuresh

ashurojmë

nuk është ditë çlirimi

marshojmë

nuk është kohë monarkësh

monarkët imitojmë

nuk është ditë martesash

dasmojmë

nuk është ditë trishtimi

vajtojmë

nuk është ditë morti

varre hapim

nuk është ditë ngushëllimi

ngushëllohemi

për pak çaste

nën dritën e kandilit të venitur

që dikujt po i rri te koka

edhe për pak çaste

përderisa ai nuk është fikur

dua t’i them

lamtumirë o njeri i lig

dua t’i them

jo pas vdekjes

shprehi kjo jo e dëlirë

pas vdekjes

edhe për të ligjtë themi

eh

ka qenë njeri i mirë

 

 

Kohë e pakohë 

 

kohë dimri

bora që nuk po bie

në kohën e vet

banalitet anakronik 

 

kohë vere

shiu harron tokën e vet

bari që thahet për një pikë uji

ndëshkim modern

 

gjithë ky zhvillim shkencor

qiellin hallakatin me zbulimin e galaktikave të reja

shpresë e njerëzimit për të gjetur shpëtimin e premtuar

këtu e pesëqind milion vite më vonë

ushqehemi me të arriturat e shkencës

botë fantastike

që të sotmen vret me helm e barot

me peshën e atomit

me ngjyrën e gjakut

me kripën e lotit

planeti mars

shpëtimi i popullit 

 

skelete të shkapërderdhura gjithandej

mbi dhe mbetur

kjo botë moderne

të ardhmen premton

premtim i tretur

për ta zhvendosur vëmendjen jashtë galaktikës sonë

atje ku mund të arrijmë

pesëqind milion vite më vonë

ku njerëzia shpëtimin do gjejnë

kokën do ta mbështesin mbi yllin polarë

gjumin rehat do bëjnë

do bëjnë pallë  

 

bora që nuk po ngrin në kohën e vet

moti i thatë që shi nuk po sjell

lulja me buzët e plasaritura

në vend të aromës

tym po nxjerr

 

uroj që më në fund të shfaqet zoti

më tha miku im

të na dëshmojë ekzistencën e tij

për faktin se si lejon

që injoranca të çmohet si mençuri

makutëria si virtyt

grabitja si zotësi

cubnia si trimëri

anarkia si rregull

tirania si rend

imoraliteti si normë

pabesia si shkathtësi

hipokrizia si çiltërsi

mes hamendjes së ekzistimit të tij 
e paça gabim

amen

 

Maj, 2017

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …