Mehmet BISLIMI: Sërish vjen Marsi dhe na përkujton Ibrin, të rënët, profiterët, pseudoanalistët…

Harlisur lëshohet uji i Ibrit akull, tek po godet shtratin e vet furishëm nën këmbët e urës, po rrëmon e nxjerr shkumën e bardhë, si i ngulfatur në grykë nga dhembja për Egzonin me shokë, që në gjirin e vet po e mbanë sekretin dhe të vërtetën e mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë! Msionarët e huaj, herë në heshtje e herë zhurmshëm, herë hapur e herë fshehur, mbi urën e Ibrit Ilir, vunë mjegullën e tabusë, vunë telat me gjemba, zinxhirët e ndarjes dhe rojat me armë e bajoneta, kush mund të na bindë me logjikën e arsyes që kjo e tëra nuk ishte një skenar i gatuar që më parë në Beograd, një lojë e keqe me aktorë profesionistë, perfeksionuar në Paris e Moskë dhe zbatuar mbi urën e Ibrit Ilir, në Kosovë!? Kështu me të dyja këmbët u shkel edhe mbi mitin e vjetër të urave që lidhnin e bashkonin brigje, popuj e kultura. 
Vitet në vazhdim treguan për një nismë jo të mirë, te ura e Ibrit, po ndodhin ngjarje me përmasa të tragjedive, të gjakut, të përleshjeve, të frikës së matanë Ibrit, të aneksimit të territoreve tona, të spastrimit, të dëbimit, të ngulfatjes së shqiptarëve.
Në përvjetorin e ngulfatjes, Ibri për Egzonin me shokë, po nxjerr lotin e kristaltë. Këta lot të shkapërderdhur tek të gjithë ata që kanë ndjenja njerëzore, nuk po pushojnë për ta zbuluar të vërtetën mbi krimin.Drejtësia ndërkombëtare, sa edhe drejtësia jonë me paterica, as sot pas tri viteve nuk e bëri qoftë edhe një hap më tutje se: Ibri përpiu tre fëmijë shqiptarë. Fajtor Ibri dhe uji i tij i ftohtë! Disa analistë në paraqitjet e tyre publike, madje shkuan aq larg sa që ngjarjet e marsit të vitit 2004 i barazuan me shkakun, ose i qortuan si shkas për shumë ashpërsime në pakon e sotme të Ahtisarit! Mbetet shumë për të dëshiruar fakti se prej cilit pozicion analizohen ngjarjet. Mua më shqetëson, ose më neveritë fenomeni i cili tani më ka kaluar në rutinën e ndërgjegjes së të qenit rob, dhe sot pas kaq vitesh gjërat shpjegohen mu nga kjo pozitë, pra nga pozita e robit! Me shkas a pa të, përdoret akuza e vjetër nën petkun e ri, nga “analistë” gërmadhë! Ngjashëm është thënë edhe për ngjarjet e vitit 1981:” Këto ngjarje i kanë dhënë shkas ish Jugosllavisë titiste që të veproi në Kosovë!”, po e njëjta gjuhë “analitike” është përdorur për çdo demonstratë pasuese deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- se gjoja po i japin rast Serbisë të intervenoi në Kosovë! E po, thua se Serbia ishte jashtë Kosovës, dhe nuk kishte mundësi të vepronte kur të donte?
Shtrohet pyetja: Po sikur mos të demonstronte populli ynë, sikur mos të protestonte, sikur mos të luftonte për të drejtat dhe për lirinë e vet- a thua pushtuesi serb do të ikte vullnetarisht nga Kosova?! 

Disa analistë të tillë që i ka sot Kosova, dhe që paraqiten publikisht në mediet tona, më mirë mos qofshin. Shqiptarët në Kosovë, që nga viti 1912-të e deri më sot, të gjitha këto të arritura sa do të vogla që janë, i kanë arritur vetëm në saje të përpjekjeve të veta të pareshtura si: me demonstrata, protesta, greva, pamflete, parulla, rebelime, gjyqe, dënime, persekutime dhe në fund edhe me luftë çlirimtare. As edhe një herë gjatë shekullit XX ish pushtuesit Jugosllavë e serb, Kosovës s´i kanë fal gjë, por vetëm i kanë marrë. Kosova deri me sot i ka paguar të gjitha…, me një çmim shumë të lartë. Sipas “analistëve” të sotëm na del se ne paskemi gabuar që kemi sakrifikuar kot. U dashka që vetëm të rrinim urtë, të bindeshim ndaj pushtuesit, t’i shërbenim atij dhe ai një ditë do lodhej e do ikte vet që këtej! 
Paska shkuar dëm populli ynë që nuk e paska ditur këtë “ide kaq brilante” të analistëve tanë. Analistët si Baton Haxhiu me kompani këtë mendësi na ofrojnë, thjeshtë për shkakun se shpirti i tyre ishte i tillë, shpirt shërbëtori ndaj pushtuesit. Mendoj, dhe jam shumë i bindur ( duke përjashtuar dhunën me çdo kusht), se demonstratat e 17/18 marsit 2004, e kanë përshpejtuar “pakon” e Ahtisarit, pra i treguan bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë se gjendja e Statu-s Quos më nuk mund të kalojë në Kosovë. Mos harroni se pikërisht ishte kjo administrate, e cila kishte bllokuar jetën në Kosovë, duke e stopuar privatizimin për më shumë se një vit ( dhe këtë me kërkesë të Serbisë), për çdo të enjte vizitonte Kosovën zoti Çoviq, dhe bënte pazare me Hakarupin kokë me kokë, në emër të KEK-ut ishin keqpërdorur miliona euro, të cilin herë e vërshonte uji e herë e vriste rrufeja! Në emër të PTK-së ishin keqpërdorur miliona euro, serbet minoritar të përkëdhelur nga administrata e UNMIK-ut, bllokonin rrugët e Kosovës kurdo që ju tekej dhe kudo që ata dëshironin, shqiptarët futeshin arave e baltërave (si para lufte) për të arritur deri në kryeqytet, Parlamenti i Kosovës nxirrte një rezolutë në mesditë e në mbrëmje ajo rezolutë shkërdhehej publikisht para dy milion shqiptarëve e për hatër të 60 mijë serbëve , nga kryeadministratori ndërkombëtarë! 
Korrupsioni dhe prostitucioni politik e moral kishte ngulfatur Kosovën… e plotë raste të tilla, që popullit i erdhi në maje të hundës. Prandaj një shpërthim i tillë, si ai i marsit 2004 ishte i pa shmangshëm, për këtë më se paku përgjegjësinë e bartin shqiptarët. Me këtë rast, bashkësia ndërkombëtare duke i vërejtur lëshimet dhe dobësitë e veta, u përpoq t’i mbulojë ato me disa burgosje, duke i dënuar njerëzit e pa fajshëm nga një anë, si në kohën e pushtuesit, dhe nga ana tjetër përshpejtoi sjelljen e një pakoje, duke dashur që të arsyetoj lëshimet nga anë e saj! Ajo na “mashtrojë” prapë, thjeshtë për faktin se të dy anët e shkopit janë në duart e saj.
Populli thotë: “ Rruaj ku të gjesh!”, në fakt ndërkombëtarët në Kosovë kanë gjetur mjaftë “analistë” që bëjnë analiza të cilat dëmtojnë interesat tona kombëtare, kanë gjetur mjaft shërbëtorë, mjaft pushtetarë të pa kurriz, mjaft spiunë, mjaft hajna, mjaft të korruptuar, mjaft subjekte politike, të cilat për të ardhur në “pushtet” kanë qenë të gatshme të shesin interesat më madhore të atdheut, kanë gjetur njerëz pa kritere të cilët janë futur aksidentalisht në jetën politike. Kështu që kanë “rruar aq sa kanë mundur”, pse jo! Prandaj ishin ato ngjarje e të tjerat në vazhdim, që do të pasonin pa dyshim, mendoj unë nëse procesi i zgjidhjes së shtetësisë së Kosovës neglizhohet prapë. 
Në emisionin e datës 16 mars 2007 “Jeta në Kosovë”, “analisti” Baton Haxhiu- i cili në një intervistë të tij të më hershme ( për takimet që kishte organizuar në Brezovicë me përfaqësuesit e regjimit criminal të Millosheviqit), pati thënë:” Ndihesha keq edhe me gruan e cila mund të më dyshonte, pasi që për dy javë rresht nuk ndihesha burrë me te në shtrat nga frika!”- (e ka dhënë ne gazetë atë intervistë, pra ka qenë publike, z. Haxhiu: Atyre analistëve që u shpëton shurra kur përballen me gjëra të vështira dhe sublime, që i kërkon atdheu kurban në themelet e tij, pra analistë të tillë nuk i duhen Kosovës dhe popullit tonë, nga se ia lagin themelin lirisë së saj. Porosia e Batonit se: “ Patriot është sot ai që i ruan serbet në Kosovë!”, është ca qesharake, naive, servile, qëllimkeqe, interpretim kukuvajke, e pse jo edhe me prapaskenë, për të fluturuar majave. Batua me këtë thënie, para faktorit ndërkombëtare pranon botërisht se pozicioni i serbëve në Kosovë qenka i rrezikuar, dhe me internacionalizmin e dikurshëm, ai i merr në mbrojtje ata.
Serbët kanë gjuhën e tyre të njohur zyrtarisht me 5% të përbërjës së popullatës së përgjithshme të Kosovës, kanë shkolla të veçanta fillore të mesme dhe Universitet. Në vendbanimet e tyre nuk guxon të kalojë as inkasanti, as postieri, as polici e as zyrtari shqiptar. Ata nuk duan ta njohin realitetin e ri në Kosovë, as institucionet vendore, ata nuk i regjistrojnë makinat e tyre, nuk paguajnë as rrymë as tatime tjera, ata bëjnë biznes e tregti si ua don qejfi, ata nuk guxon as shërbimi doganor t’i ndalojë e t’I kontrollojë. Ata as edhe një obligim tjetër ndaj shtetit të Kosovës nuk e kryejnë, thjesht, ata nuk pjerdhin as për administratën tonë e as për atë të UNMIK-ut. Ata hyjnë e dalin kur të duan në institucionet tona, ata mbajnë flamurin e Serbisë, kudo, dhe shkulin atë të Kombeve të Bashkuara, mbajnë armët e luftës kudo, vrasin policë shqiptarë dhe nuk guxojnë t’i burgosin! Ata ndajnë Mitrovicën, Graçanicën , Brezovicën e kë të duan, ata po mbajnë peng statusin e Kosovës në mënyrë të hapur. Atyre ju ndërtohen shtëpitë, ju shtrohen rrugët, ju ofrohet punë, ju ofrohet rrymë, kur e tërë Kosova përjeton terrin, ata ruhen nga dy palë policë – si në kohën e vet Millosheviqit! Prandaj kërkesa e Batonit për serbet, është një slogan servil tamam si në kohën e ditëve të tij të mira në LKJ.
Sot patriotizëm është që të bëjmë shtetin e Kosovës, që mos të vjedhim e keqpërdorim buxhetin e saj, që të ndërtojmë vendin e të ecim përpara, që të bëjmë analizë reale dhe të qëndrueshme, që të mos bëhemi servile. Ndërkaq minoritarët serb, dhe minoritarët tjerë e kemi për obligim që t’i ruajmë, edhe me konventa ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …