Mexhid YVEJSI: HAFIZ YMER GUTA (1860-1963)

Mexhid YVEJSI: HAFIZ YMER GUTA (1860-1963)


Hafiz Ymer Guta, hoxha gjakovar, ishte fetar e atdhetar, trim e guximtar, pleqnar e pajtimtar, dijetar e luftëtar…
Lindi në Gjakovë në vitin 1860. Qysh në fëmijëri dallohej për disa veçori, ishte shumë i zgjuar, për mësime i dalluar, për trimëri i pa krahasuar… Mësimet fillestare i kreu në një nga mejtepet e shumta të Gjakovës. Krahas mësimeve në mejtep, sipas programit arsimor të kohës, arriti të bëhet Hafiz, pra të mësoi përmendësh, Kur’anin e madhnueshëm, kur ishte në moshën dhjetë vjeçare, në vitin 1870.
Po në Gjakovë, Hafiz Ymer Guta i vazhdoj studimet në Medresën e Vogël të Gjakovës, ku edhe diplomoi pranë dijetarit të shquar, Myderriz Fetah Efendi Buza, tek i cili kishte mësuar përmendësh Kur’anin e madhëruar ….
Medreseja e Vogël e Gjakovës, që nga themelimi, pas vitit 1800, nën drejtimin e Myderriz Tahir Efendi Gjakovës, krahas Medresës së Madhe, që nga themelimi, pas vitit 1700, nën drejtimin e Myderriz Yvejs Efendiut, ishte një nga institucionet arsimore-kulturore ndër më të njohura në trojet shqiptare.
Prej këtyre dy medreseve të famshme, për dy-tre shekuj, prej tyre kanë dalë shumë hafizë e myderrizë, dijetarë e atdhetarë, të cilët Gjakovës, Kosovës, faqën ia kanë zbardhë…
Hafiz Ymer Guta, përveç veprimtarisë fetare, është i njohur aq më shumë për veprimtarinë atdhetare…
Për veprimtarinë atdhetare disa herë është prangosur, është burgosur, është plagosur…! Është prangosur, është burgosur, është plagosur në kohën e Turqisë, nën pushtimin e Sërbisë, të Austro-Hungarisë…
Në vitin 1903, në kohën e Turqisë, Hafiz Ymer Guta së bashku me udhëheqësit fetarë e atdhetarë të Gjakovës, si Myderriz Myrteza Efendi Luzha, Hasan Aga, biri i Fetah Zekës, Selim Mula, Haxhi Jonuzi etj. u prangosën, u burgosën, internuen, u dënuan me dy vjetë burg, burg të rëndë, të zi, në Kastamoni…
Hafiz Ymer Guta ishte ndër të parët në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që nga Besëlidhja Shqiptare “Besa-Besë” ose “Lidhja e Pejës” 1899, deri në Kuvendin e Junikut, me 1912…
Ka qenë një nga themeluesit dhe udhëheqës i organizatës me ndikim “Islihati”, që ishte një lëvizje e madhe për pajtim…
Në vitin 1912, në Kalanë e Shkodrës “Rozafat” ishte Hafiz Guta që ngriti Flamurin Kombëtar dhe mbajti fjalën kryesore, që i frymëzojë shkodranët, të cilët e kanë përmendur me nderim, ndër vite, Hoxhën, Hafiz Ymer Guta, që s’dinte ç’është tuta, këtë hoxhë të Gjakovës, këtë burrë të Kosovës…
Në kohën e Sërbisë, të Austro-Hungarisë, në kohën e Krajlit, si gjithnjë, Hafiz Ymer Guta ishte në ballë, si një shqipe e malit…
Ka shërbye në disa xhami të Gjakovës, deri edhe në xhaminë kryesore të qytetit, në Xhaminë e Hadumit, si imam, hatib, predikues, ku asnjëherë nuk e frikësoi asnjë pushtues…
Në kohën e komunizmit, Hafiz Ymer Guta edhe pse ishte plakur, e kishte rrokur pleqëria, thoshte hapur:
“Shkoi fashizmi-erdhi komunizmi, por jo lirija, na dan nga nona, Shqipnija…”
Ndrroi jetë në vitin 1963, në Gjakovë, moshën 103 vjeçare.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …