Mexhid YVEJSI: KOSOVA PRET 120-DITËT E GJATA, PËR NEGOCIATA TË THATA

Për Kosovën çdo shtyerje është fyerje. 
Për Kosovën çdo fyerje është thyerje. 
Për Kosovën bisedimet shtesë janë një tjetër shtrëngesë. 
Për Kosovën bisedimet shtesë janë një tjetër ngatërresë. 
Për Kosovën bisedimet shtesë janë një tjetër kërkesë. 
Kërkesë jo për t’u pavarësuar, por të na kurthuar. 
Kohëve të fundit, Kosova e shkretë po përjeton një verë tepër të nxehtë, me temperatura të larta, pyjet, malet i ka kapluar flaka, me ditë të gjata, aq më tepër, Kosova po përjeton shumë deklarata, për negociata të thata. 
Këto deklarata, për negociata të thata, të cilat po quhen bisedime shtesë, kanë për qëllim për të na shtuar dhimten e kresë. 
Për Kosovën çdo shtyerje është fyerje. 
Për Kosovën çdo fyerje është thyerje. 
Për Kosovën bisedimet shtesë janë një tjetër shtrëngesë… 
Për Kosovën bisedimet shtesë janë një tjetër kërkesë, Kërkesë jo për t’ u pavarësuar, por të na kurthuar. 

Çka vjen prej Vjene? 

Zyrtarë ndërkombëtarë vlerësojnë se përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Woflgang Ischinger, ka një rol më specifik në kuadër të Treshes, sesa dy kolegët e tij, amerikani Frenk Uisner dhe rusi, Aleksandër B.Harçenko. 
Pse? Sepse, për dallim nga dy përfaqësuesit, i Amerikës, Uisner, dhe i Rusisë, Harçenko, Ischinger në procesin e bisedimeve 120-ditore përfaqëson 27 qeveri anëtare të Bashkimit Europian, të cilat madje nuk kanë një qëndrim unik se si duhet të zgjidhet çështja e Kosovës, deri më 10 dhjetor 2007, dita kur është paraparë të përfundojnë bisedimet. 
Kryeministri, Agim Çeku, në takimin e rregullt javor, 24 gusht 2007, me shefin e UNMIKUT-ut, Jokaim Ryker, deklaroi: 
Në në këtë periudhë 120 ditëshe duhet të bisedojmë për arritjen e konsensusit apo unitetit brenda Bashkimit Evropian, për ta njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 10 dhjetorit, tha kryeministri. Kjo periudhë, sipas tij, duhet shfrytëzuar që bashkarisht me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të caktohet data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 

Mirëpo, shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, e ka përkujtuar kryeministrin Agim Çeku, ndër sy, aty për aty, me këto fjalë: 
Më lejoni të them se UNMIK-u, po ju përkujtoj se ende punon në bazë të rezolutës 1244 dhe nuk dua të spekulojmë në këtë drejtim, por ju inkurajoj që mos spekuloni se çka do të ndodhë pas 120-ditëshit të negociatave, sepse nëse hyjmë në spekulime dhe komunikata të shumta, atëherë ju rrezikoni periudhën e tanishme dhe ky nuk është qëllimi i Bashkimit Evropian, tha shefi i UNMIK-ut. Ai, më në fund, i ftoi kosovarët të kenë besim te Bashkimi Evropian. 
Bashkimi Europian, me 27 qeveri, pra nuk është për pavarësi, por shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, na fton që të kemi besim te Bashkimi Evropian, që nuk e do Kosovën shtet sovran
Dihet qëndrimi i Rusisë, sikur që dihet qëndrimi i Amerikës, për një pavarësi të kushtëzuar, tani e mbikqyrur, që është një fjalë e dredhur, kjo, shul-shqip, do të thotë: pavarësi e tredhur. 
Ky është një zbulim! Për këtë zbulim, Amerikë: Aferim! Bertold Breht-i thoshte: Sot çdo zbulim pritet me një thirrje triumfi, por shpejt kthehet në një thirrje frike. 
Një fjalë e urtë e Lindjes thotë: Çfarë nuk sheh me sytë tuaj, mos e shpik me gjuhë. 
Të gjitha po dihen, sepse po shihen. 
Kriterët përcaktuese në fazën kur u zhvilluan dhe u përmbaruan bisedimet në Vjenë, dihet se dështuan. 
Dështuan për Kosovën, sepse Kosova nga Serbia nuk u shkëput, kurse fitoj Serbia, sepse Sërbia në Kosovë edhe më thellë u fut. 
Sigurisht që nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet palëve edhe në bisedimet shtesë, meqë qëndrimet janë diametralisht të kundërta dhe për shkaqe të panumërta. 
Një nga shkaqet është se kriteret janë bërë shtrembër. 
Në Bibël shkruan: Ajo që është bërë e shtrembër s’ mund të drejtohet. 
Pse është vepruar kështu? 
Stenlej Kabrik do të thoshte: Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vegjël si prostituta. 
Pra, me bisedimet e Vjenës shtesë, Sërbia jeton me shpresë, ndërsa Kosovës i shtohet dhimta e kresë. 

Çfarë duhet të bëjmë?

Ka shumë mënyra për të dështuar, thoshte Aristoteli, ndërsa për sukses është vetëm një. 
Po nisemi nga Rezoluta 1514 të Këshillit të Sigurimit: 
Vetëvendosja është e drejtë e të gjithë popujve të kolonizuar. 
Që Kosovën mos ta merrë lumi i duhet Referendumi. 
Referendum për Pavarësi ose bashkim me Nanën Shqipni. 
Kjo e drejtë nuk duhet shikohet shtrembër, as nuk duhet trembur, sepse ajo është në shpirt, në zemër. 
Kur njeriu e shkelmon një fakt nga dritarja, thoshte Emerson-i, e gjenë sërish tek këndi i oxhakut.

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …