MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË KONVENTËS SË TË DREJTAVE TË FËMIJËVE

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, vizituan shkollën fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri. Kjo vizitë u realizua në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen kudo në botë dhe në Kosovë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, me ç`rast morën pjesë në një orë mësimi kushtuar kësaj ngjarje. Ministri Bytyqi, ndër tjera është shprehur se, kjo ngjarje është e veçantë për fëmijët tanë dhe të gjithë botës dhe theksoi nevojën e angazhimeve të përbashkëta me qëllim që të krijojmë një ambient të lumtur dhe perspektivë të ndritshme për fëmijët. “Sot është një ditë e veçantë për fëmijët e gjithë botës ndërsa jemi këtu për të shënuar këtë ngjarje së bashku me nxënësit e shkollës fillore në Vushtrri, ku për disa çaste edhe  diskutuam lidhur me angazhimet që po i bëjmë në vazhdimësi”, tha ministri Bytyqi. Ne do të angazhohemi në vazhdimësi, theksoi Ministri, që t`u sigurojmë fëmijëve tanë një të ardhme më të sigurt, një edukim cilësor, t`u sigurojmë një ambient sa më të mirë , që fëmijët tanë të zhvillohen sikurse fëmijët e Evropës dhe gjithë botës. “Entuziazmi i fëmijëve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, programi që ata shfaqën enkas për këtë ngjarje, si dhe pyetjet që ata shtruan, na bëjnë që të angazhohemi dyfish më shumë që së bashku të krijojmë kushte të mira  dhe që ditët e veçanta të jenë të përditshme, të hareshme për të gjithë”, tha në fund ministri Bytyqi. Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat  Sahin, tha se ndjehet i lumtur që së bashkë më fëmijët  e kësaj shkolle po e shënojnë këtë ngjarje të nivelit global dhe shtoi se UNICEF-i angazhohet çdo ditë e kudo në botë që të mbështesë fëmijët në rritën e tyre, në edukimin sa më cilësor dhe perspektivën e tyre në jetë, ndërsa ka falënderuar ministrin Bytyqi për angazhimin  e tij, si dhe nxënësit e mësimdhënësit e shkollës në Vushtrri që kjo ngjarje të shënohet në mënyrë të dinjitetshme.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …