MINISTRI BYTYQI PRITI 120 NXËNËS NGA KOSOVA DHE SHQIPËRIA, TË CILËT FILLUAN PROJEKTIN E SHKËMBIMIT TË NXËNËSVE

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur 120 nxënës nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët janë të parët që kanë filluar programin e përbashkët për shkëmbimin e nxënësve mes dy vendeve. Të 60 nxënësit kosovarë kanë qëndruar për një javë në Shqipëri, të shpërndarë nëpër familje, ku edhe kanë ndjekur mësimin në gjimnazet atje. Ndërsa, 60 moshatarët e tyre, të ardhur bashkë me ta në Kosovë, do të qëndrojnë në familjet e këtyre nxënësve dhe po ashtu, do të ndjekin mësimin në gjimnazet në Kosovë. Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka uruar nxënësit që janë bërë pjesë e këtij programi të rëndësishëm që ka për qëllim krijimin dhe thellimin e miqësive mes të rinjve tanë. Ai u ka thënë nxënësve se tashmë e kanë përjetuar se ne vërtetë jemi një komb. Ministri ka theksuar se kjo është një mundësi e mirë që ata të njihen mes vete, pra të krijojnë dhe të thellojnë miqësi, e cila do t’i shërbejë të ardhmes së dy vendeve që kanë të njëjtën gjuhë, kulturë dhe traditë. Ndërsa, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, ndër të tjera ka theksuar edhe faktin se nxënësit kanë rastin të mësojnë se si funksionon sistemi i arsimit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjatë qëndrimit të Kosovë, nxënësit nga Shqipëria bashkë me moshatarët e tyre, përveç mësimit do të vizitojnë edhe vende kulturore dhe historike. Programi për shkëmbimin e nxënësve ka filluar me marrëveshjen paraprake mes ministrave të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, Shyqiri Bytyqi dhe Besa Shahini dhe do të vazhdojë me grupe të tjera të nxënësve. Vizita e nxënësve nga Shqipëria, do të përmbyllet me një ceremoni në Prizren, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe ministrat e Arsimit të dy vendeve.

Kontrolloni gjithashtu

Në komunën e Ferizajt u publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024

U publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024, në komunën e …