Ministri Shala: Fuqizimi i Agjencisë së Metrologjisë është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në ditën Botërore të Metrologjisë, theksoi se mbrojtja e konsumatorit gjatë këtij mandati qeverisës ka qenë në fokus kryesor të MTI-së. Sipas Shalës, fuqizimi i mëtutjeshëm i metrologjisë kosovare është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të përmbushur kriteret e parapara me MSA-në dhe ERA-në, e mbi të gjitha të rrisim standardin e jetës së qytetarëve tanë. “Ne, tashmë kemi miratuar ligjin e ri të metrologjisë dhe jemi në proces të hartimit të akteve nënligjore në mënyrë që të implementojmë këtë ligj të standardeve të BE-së sa më mirë që është e mundur. Për më tepër, me ndihmën e Bankës Botërorë, ne jemi duke rehabilituar një objekt të MTI-së, që deri më tash ka qenë i pashfrytëzuar dhe besojmë që gjatë vitit të ardhshëm do të krijohen edhe kushtet fizike dhe teknike që secili kriter ligjor i paraparë të jetësohet në atë që ne po e quajmë Qendra Kombëtare e Cilësisë së Kosovës”, tha Shala. Shala ka bërë të ditur se gjatë fund-vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti kanë nisur inspektimet e paparalajmëruara për matjen e peshës së bukës, me qëllim kryesor mos lejimin e mashtrimit për qytetarët tanë.“Gjithashtu, gjatë fund-vitit të kaluar kemi filluar edhe atë që po e quajmë litri-litër, që nënkupton kalibrimi i pajisjeve të karburanteve duke evituar çdo mashtrim në këtë lëmi. Së shpejti do të vazhdojmë edhe me kontrollin e pajisjeve të tensionit të ulët, arit, orëve të rrymës dhe të ujit dhe po ashtu kalibrimin dhe kontrollin e pajisjeve mjekësore, sepse nuk do të lejojmë asnjë mashtrim për konsumatorin”, tha ai. Ministri Shala tha se me qëllim që Kosova të jetë një vend i suksesshëm në zhvillimin dhe përkrahjen e bizneseve, të cilat do të mund të jenë konkurente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, ka nevojë që të ketë një sistem metrologjie, të njohur në nivel ndërkombëtar. “Në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kosova do të marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin horizontal dhe sektorial të BE-së për sigurinë e produktit dhe të sjellë infrastrukturën e cilësisë, siç janë procedurat evropiane të standardizimit, metrologjisë, akreditimit dhe vlerësimit të konformitetit. Tashmë, ligjet tona të standardeve të BE do të implementohen”, tha Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …