Në moshën 79 vjeçare ndërroi jetë drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor, Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Një fotografi që nxori në sipërfaqe një histeri të neveritshme

Fotografia, që ka publikuar deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duke menduar se ajo ishte filmuar gjatë luftës në Kosovë dhe  duke pretenduar që ajo nxirrte në sipërfaqe mizoritë e kriminelëve serbë mbi femrat shqiptare gjatë luftës në vendin tonë, nga disa medie dhe emra të përveçëm, zyrtarësh e deputetesh  nxori në sipërfaqe një histeri të çoroditur, një sulm mizor kundër një veprimtareje, që ka kaluar nëpër kalvarin e burgjeve serbe në kohën e luftës.

Sulmin histerik e bënë në radhë të para ata, që rrinë kujdestarë për të goditur pikërisht viktimat serbe në Kosovë. Meqë fillimisht nuk u zbulua autenticiteti i fotos, ku shihen tre kriminelë që dhunojnë një femër, histeria e goditja që iu drejtuan Flora Brovinës, kishte të bënin me pamjen e rëndë të fotos, ndaj  atyre, që pretendohej se iu kthente në kujtesë kohën e dhunimeve. Pale, disa nga femrat që kanë reaguar edhe mund të jenë ndier keq në shpirt, po jo në ndërgjegje, sepse dhunimi nuk e vret ndërgjegjen, por e dhunon shpirtin.

Shtrohet edhe pyetje tjetër, po pse aq shumë u histerizuan disa meshkuj, madje nga mesi i atyre, që luftën në Kosovë e kanë parë nga televizorët në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi apo gjetkë në Evropë. Flitet se disa syresh janë dhunuar gjatë atij rrugëtimi, apo janë vetëshpallur të dhunuar, por nuk pranojnë të denoncojnë publikisht dhunuesit serbë.

Histeria ishte aq e çoroditur sa ka mbetur vetëm të ngrihet në këmbë krejt një racë, “shqipo-jurishnikësh” për ta demonizuar  deputeten Brovina, vetëm sepse u solli në kujtesë dhunimet serbe, në kohën kur pas njëzet vitesh disa politikanëve tanë iu ka ra në mend se duhet paditur Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë. Deri tani nuk kanë pasur kohë sepse kanë zhvatur pasuritë e Kosovës, dhe tani që janë bërë milionerë e miliarderë duan ta godasin Serbinë.

 

Ja çfarë histerie  bombarduese prodhon në medie një Resul  Sinan:

 

Si ndihen viktimat e përdhunuara? Si ndihen familjarët e tyre?  Në çfarë gjendje janë ato? Çfarë tronditje kanë përjetuar ato? Pse të ju bëhet një akt i tillë?  Pse, sot, pas 20 vjetësh, pas kaq ditësh e netësh nëpër të cilat kushedi sa kanë vuajtur deri më sot dhe sa janë munduar të harrojnë dhe për një moment, ju kthehet gjithçka, që për një moment i shemb emocionalisht e shpirtërisht, një gafë epike e një deputeteje na e cila nuk kërkohej asgjë më shumë se të heshtte, e të mos prekte mbi plagën e tyre!. Ja tërë një arsenal goditjesh hava.

Ku burri, që nuk duket të jetë dhunuar nga serbët ( kudi, mbase) flet në emër të të gjithë grave të dhunuara, sepse ato qenkan munduar ta harrojnë dhunën, po ja paska ndodhur një “gafë epike” dhe paska shembur gjithçka. Një termet i vërtetë. Një histeri e shpifur e përcjellë sikur me pyetjet e inspektorëve të UDB-së si:

-Ku e mori fotografinë? Kush ia dha? Prej kur e ka pasur këtë fotografi? Pse nuk e ka publikuar më herët? Kush kishte interes për një manipulim të tillë?

Ja çfarë kontraverze bën ky burri i cili e demonizon deputeten për publikim dhe madje pyet pse nuk e ka publikuar më herët, por pikërisht tani kur po “mundohemi të pajtohemi me Serbinë”.

Dhe ja çfarë shkruan në fund Resuli: Mbrëmë shkrova në një status, apo më mirë të them rënkova duke thënë: “Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash! Po pse bre zonjë në këtë moshë e turpërove veten? Amani te qoftë, jep dorëheqje, e mos e ha ketë turp me bukë!..

Ky zotëri Sinani kërkon që deputetja përnjëherë të japë dorëheqje, madje jo vetëm ajo po krejt partia e saj, sepse në Kosovë paska ndodhur një termet i vërtetë.

Shembull më histerik, më të egër, më neveritës se  se ky shkrimi i R. Sinanit i botuar në “Epoka e Re” nuk besoj të ketë lexuar kush në Kosovë. Kjo do të ngel në kujtesë si turp i turpeve, nëse ai vërtetë  e di peshën e kësaj fjale.

Ja cili është reagimi po kështu histerik i ish kryetares së Zarfit të ambasadorit Dell, Atifete Jahjaga

Ja cili është reagimi po kështu histerik i ish kryetares së Zarfit të ambasadorit Dell, Atifete Jahjaga, e cila për aq vite sa e kishte qeverisur Kosovën nuk arriti ta konceptojë, ta kumtojë apo ta deklarojë drejt, as edhe një periudhë të vetme në gjuhën shqipe, madje asnjë fjali, përveç atyre që ia kishin mëshuar përmendsh.

Ajo shkruan:

Veprimi i deputetes është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit, që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka thënë Jahjaga, shkruan GazetaBlic. Atifetja  iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim të deputetes Brovina dhe të veprojnë në përputhje me ligjin! Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike”, ka shkruar ajo krejtësisht e egërsuar po ashtu si ai mashkulli, Resul Sinani.

A nuk është histeri kjo?

Njëzet vjet pas luftës shihet se  pezmi e çoroditja shpirtërore që kanë grumbulluar këta njerëz, të cilët  asgjë nuk kanë pësuar nga lufta, por kanë vjelë të gjitha favoret e lirisë së Kosovës, mbi gjakun e derdhur, mbi nderin e grave të dhunuara, mbi trupat e 1300 fëmijëve të vrarë e të masakruar mizorisht nga barbaria serbe.

A ka folur ndonjëherë a ka shkruar ndonjëherë ky njeri dhe kjo grua  për këto krime, apo ka pritur 20 vjet ta derdh mllefin kundër një femre, kundër një deputeteje, kundër një luftëtareje të lirisë, kundër një nëne, kundër një veteraneje, mjeke, humaniste, që e njeh krejt bota.

Për një gabim  pa qëllim po kërkohet linçimi  i saj, kërkohet “dhunimi” mediatik sikur bën Resuli, Atifetja e zarfit të ambasadorit Dell, disa gra të tjera, që nuk duan në asnjë mënyrë të përmenden dhunimet, që kanë kryer serbët, edhe pse ata i kanë kryer ato, ata nuk mund t’ i vrasin më shumë.

Zbardhja e krimeve serbe me foto është detyrë mbi detyrat. Fshehja dhe mospublikimi i shkon përshtat kriminelëve serbë të Milosheviqit, Vuçiqit, Daçiqit e të tjerëve, sepse ata mohojnë të kenë kryer krime të tilla në Kosovë.

Po të mos i kishim publikuar krimet e shëmtitë serbe e masakrës serbe  në fshatin Reçak qysh në kohë të luftës, edhe ajo masakër do të ishte harruar si shumë të tjera. Është e vërtetë se me rastin e hapjes së ekspozitave disa herë kanë reaguar familjarët, por  në fund janë bindur se bota duhet ta dijë çfarë mizorish ka kryer Serbia në Kosovë.

Mllefi e zemërimi që kanë grumbulluar disa individë kundër deputetes Brovina ka të bëjë  me një çoroditje të llojit të vet, sepse histeria tregon mungesë të shpirtit të emancipuar, të ndjeshëm e të kulturuar.  Sërish po ringjallen recidivët e kohës së pushtimit, sërish projektuesit e fushatave kundër luftëtarëve të lirisë po i manipulojnë faktet, po mundohen ta harrojnë luftën, po mundohen t’ i zhdukin faktet, po i gëzohen deri në thellësi të shpirtit Gjykatës Special kundër UÇK-së, po e linçojnë një deputete me prejardhje nga lufta.

Histeria kundër deputetes, Flora Brovina do të mbetet një njollë turpi për ata që fjalën turp e kanë në maje të gjuhës, për ta fshehur turpin brenda qenies së tyre.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …