Ministria e Bujqësisë dhe DRC-ja memorandum për përkrahjen e fermerëve të komunitetit pakicë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Këshilli Danez për Refugjat-Veprimi në Kosovë(DRC) kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të komunitetit pakicë, përmes dhënies së asistencës teknike në zhvillimin e veprimtarive bujqësore. Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, ka treguar se ministria është duke u angazhuar përmes formave të ndryshme të përkrah veprimtaritë bujqësore të fermerëve në vend. “Memorandumi i mirëkuptimit me DRC-në, është një nga format e mbështetjes së fermerëve të komunitetit pakicë në Kosovë, përmes së cilës synojmë që të përkrahim fermerët në zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive të tyre bujqësore, duke iu ofruar kështu trajnime dhe asistencë teknike përmes DRC-së”, ka thënë ai. Krahas kësaj, ministri ka theksuar se përmes memorandumit të mirëkuptimit, DRC-së i krijohen mundësitë që të ofrojë trajnime dhe përkrahje për fermerët e vegjël, përpunuesit dhe tregtaret, ku përmes kësaj ai theksoi se synojnë edhe krijimin e lidhjeve të këtyre fermerëve në tregjet më të mëdha bujqësore. Ndërkaq, Kristen Stec, drejtoreshë e DRC-së në Kosovë, ka vlerësuar nënshkrimin e këtij memorandumi dhe ka theksuar se gjatë kësaj periudhe, do të angazhohen në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike së komunitetit pakicë, duke iu ofruar atyre trajnime dhe përkrahje profesionale në sektorin e bujqësisë. Ajo ka treguar se ky memorandum është bërë edhe duke pasur parasysh marrëveshjen e DRC-së me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar(SIDA) për zbatimin e  projektit “Mbështetja e ndërmarrësisë shoqërore dhe promovimi e fuqizimi social-ekonomik tek komuniteti pakicë në Kosovë”, projekt ky i financuar nga SIDA.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti uron besimtarët ortodoks me rastin e festës së Pashkëve

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka uruar besimtarët ortodoks me rastin e festës …